India ftoi shtetin e Europës Qendrore, Bullgarinë, për të marrë pjesë në nismën “Make in India”, pasi të dy palët nënshkruan katër memorandume mirëkuptimi (MM), duke përfshirë edhe një në fushën e bashkëpunimit bërthamor.
“Bullgaria mund të bëhet një partner strategjik për Indinë në sektorin e mbrojtjes nën programin tonë ‘Make in India’ dhe në sektorë të teknologjisë intensive si Teknologjia e Informacionit, logjistika dhe infrastruktura nën programin tonë ‘Digital India’ dhe ‘Smart Cities’”, tha Presidenti indian, Ram Nath Kovind, në një deklaratë për shtyp.
“Edhe kompanitë indiane janë të prira për të zgjeruar gjurmët e tyre në tregun bullgar”, tha më tej presidenti Kovind. Ai tha se gjatë bisedimeve, të dyja palët ndanë mendime mbi çështjet rajonale dhe globale. “Ne ramë dakord të intensifikojmë bashkëpunimin tonë shumëpalësh në drejtim të përmirësimit të klimës, të një zhvillimi më të qëndrueshëm dhe të luftës antiterrorizëm”, tha z. Kovind.
Presidenti indian u shpreh më tej se e ka falënderuar edhe më parë dhe vazhdon ta falënderojë Presidentin Radev për mbështetjen e dhënë nga ana e tij për adoptimin e hershëm të Konventës Gjithëpërfshirëse të Kombeve të Bashkuara për terrorizmin ndërkombëtar (të nisur fillimisht nga India). Ne ramë dakord mbi faktin se terrorizmi përbën një kërcënim të rëndë për njerëzimin dhe prandaj është kërkuar që të merren masa të menjëhershme kundër këtij kërcënimi.
Presidenti Kovind falënderoi Bullgarinë për mbështetjen e dhënë ndaj kërkesës së Indisë për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (UNSC) dhe për anëtarësimin në Grupin e Furnizuesve Bërthamorë (NSG).
India është pjesë e G4, që përfshin edhe Japoninë, Gjermaninë dhe Brazilin, duke kërkuar anëtarësim të përhershëm në Këshillin e reformuar dhe të zgjeruar të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Kina e ka penguar kërkesën e Indisë për anëtarësim në Grupin e Furnizuesve Bërthamorë (NSG), duke i vënë asaj kushtin që, nëse do të bëhet pjesë e bllokut prej 48 anëtarësh, atëherë duhet të bëhet pjesë e Traktatit të Mosproliferimit Bërthamor (NPT).
Pas bisedimeve të javës së kaluar, India dhe Bullgaria nënshkruan katër Memorandume të Mirëkuptimit në fushat e bashkëpunimit civil bërthamor, investimeve, turizmit dhe të hapjes së një posti pune për një pedagog indian në Universitetin e Sofjes. Gjithashtu u nënshkrua një program për të rritur bashkëpunimin shkencor ndërmjet tyre.
Më pas, duke iu referuar një Forumi Biznesi Indi-Bullgari, z. Kovind tha se disa prej fushave më të rëndësishme dhe me potencial më të lartë për bashkëpunimin ndërmjet tyre përfshinin bioteknologjinë, farmaceutikën, bujqësinë, procesin e përpunimit të ushqimit, pjesët e këmbimit të makinave, pajisjet mjekësore, fushën e mbrojtjes, sektorët e infrastrukturës dhe turizmit.
Ai tha se një prej sektorëve që ka nevojë për përmirësim është tregtia dypalëshe ndërmjet Bullgarisë dhe Indisë, e cila ka shkuar në më pak se 300 milionë dollarë amerikanë, shifër që sipas tij është më poshtë potencialit të të dyja vendeve. Por z. Kovind është i bindur se mund të arrihet më shumë falë bashkëpunimit efikas.