Flet Erlind Plaku, psikolog në qendrën Aksion Plus
Një nga trendet e fundit është gjithashtu përdorimi i substancave të reja psikoaktive kryesisht nga të rinjtë nëpër festa ose klube nate.
Si ka qenë trendi i përdoruesve që vijnë kërkojnë ndihmë tek Aksion Plus?
Qendra jonë ofron trajtim kryesisht për përdoruesit e heroinës nëpërmjet trajtimit mbajtës me metadon që prej vitit 2005. Aktualisht Aksion Plus operon në Tirane ku ofron shërbim për 200 klientë, gjithashtu operon në 5 qytete të tjera (Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë dhe Korçë) dhe numri mesatar i klientëve që shërbehen në muaj është 500.
Qendra ka një marrëveshje bashkëpunimi me drejtorinë e burgjeve dhe ky ilaç që ne disponojmë i shkon në ndihmë të gjithë personave me varësi nga heroina në burgje në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu kemi një marrëveshje me Drejtorinë e Shërbimit të Provës të cilët referojnë raste me probleme me varësinë nga droga për trajtim mjekësor dhe psikologjik pranë qendrës sonë. Kryesisht personat e referuar nga Shërbimi i Provës kanë qenë përdorues të Kanabisit.
Numri i personave të cilët vijnë për të kërkuar ndihmë gjatë viteve është rritur. Ka pasur rritje të numrit të përdoruesve të heroinës nëpër qendrat e trajtimit me metadon në Tiranë dhe rrethe. Duke qene se Aksion Plus është e përqendruar tek trajtimi i përdoruesve të heroinës numri i rasteve të abuzimit me droga të tjera ka qenë disi më i vogël dhe kryesisht me abuzimin me kanabis dhe kokainë. Një nga trendet e fundit është gjithashtu përdorimi i substancave të reja psikoaktive kryesisht nga të rinjtë nëpër festa ose klube nate.
Sa përllogariten kostot për trajtimin e një përdoruesi (duke përfshirë trajtimin me medikamente dhe stafin mjekësor)?
Aksion Plus përllogarit që kosto ditore e trajtimit të një personi të varur nga droga është 1 euro. Në këtë kosto minimale përfshihet marrja e medikamenteve gjithashtu dhe burimet njerëzore.
Prej gushtit të vitit të kaluar qendra Aksion Plus ka siguruar me fondet e veta marrjen e metadonit dhe shpërndarjen e tij në Tiranë dhe rrethe pasi projekti i Global Fund në Shqipëri nëpërmjet të cilit sigurohet ilaçi po vonon të fillojë. Ministria e Shëndetësisë ka dhënë një fond për të blerë këtë medikament jetik për përdoruesit e heroinës por edhe ky tender po vonon, dhe ne si shoqatë jemi në rezervat e fundit të metadonit.
Shqipëria kë prevalencën më të lartë të përdoruesve të kanabisit dhe të kokainës në Ballkan sipas të dhënave për 2014-n, sa është mundësia që përdoruesit të kalojnë në përdorimin e drogave që merren me injektim (n.q.s. ka një përllogaritje të tipit një në tre përdorues të kanabisit kalon në përdorimin e drogave më të forta)?
Nuk është domosdoshmërish e thënë që kush konsumon këto substanca që të kalojë në përdorimin e drogave me injektim. Por gjithsesi ka një tendencë për ta bërë këtë. Nga të dhënat tona, statistikat tregojnë se hashashi ka qenë droga e parë që kanë provuar përqindja më e madhe e të varurve.
Nëse mund të më bësh profilin e një individi të varur? Cilët janë grupet më të prekshme dhe më të rrezikuara?
Klientët të cilët marrin trajtim në qendrën tonë janë të të gjithave shtresave sociale, duke treguar se pre e abuzimit me drogën mund të bjerë kushdo. Një nga grupet më të rrezikuara për të abuzuar me drogën janë të rinjtë. Ata kanë tendencën të eksperimentojnë me drogat. Nga statistikat tona, dy nga arsyet kryesore që kanë çuar në eksperimentimin me drogat janë kurioziteti dhe shoqëria dhe mosha e fillimit kryesisht është në adoleshencë. Gjithsesi është mirë që të ndahen përdorimi, abuzimi dhe varësia.
Me përdorim të një droge, kuptojmë konsumimin e një droge që nuk lë pasoja negative te individi. Ky lloj konsumi është më i zakonshmi, pra kur droga përdoret në mënyrë sporadike. Abuzimi fillon kur përdorimi i shpeshtë i drogës lë pasoja negative. Varësia shfaqet kur përdorimi i një substance bëhet i tepruar dhe si pasojë shfaqen efekte negative domethënëse brenda një afati kohor. Mund të ketë edhe një përdorim të vazhdueshëm, pa ndërprerje, ose një përdorim me doza të larta vetëm gjatë fundjavës.
Personat që dalin nga varësia nga droga, a janë në gjendje të integrohen në komunitet normalisht (të punojnë, të vazhdojnë studimet)?
Çdo person i cili është në terapi me metadon funksionon normalisht, ai është në gjendje të krijojë raporte me të tjerët, të studiojë dhe është i aftë të punojë. E rëndësishme është që duhen ndërtuar programe ri-integrimi për t’i ardhur në ndihmë këtij komuniteti pasi ka nevojë. Gjatë viteve kemi bashkëpunuar me drejtorinë e rinisë duke siguruar programe falas te formimit profesional për klientët tanë. Formimi profesional dhe marrja e një diplome është një formë e mirë për të rritur mundësinë për t’u punësuar dhe për t’u integruar përsëri në komunitet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.