“Zotit dhe taksave nuk u fshihesh dot”. Bizneset më të famshme në botë janë përballur me supergjoba, faliment dhe dënim me burg, në disa raste vetëm se kanë mashtruar me taksat. Në Shqipëri nuk njihen shumë praktika të tilla, por edhe kur ndodhin, në të shumtën e rasteve fitojnë evazorët. Nisur nga situatat e reja në epokën e teknologjisë, skemat e mashtrimit me taksat janë sofistikuar ndjeshëm, kështu qeveria ka vendosur të ndryshojë Kodin Penal për të dhëna dënime më të forta për bizneset mashtruese.
Dyfishohet dënimi me burg
Qeveria ka propozuar të shtojë dënimin me burg për personat dhe subjektet që mashtrojnë me taksat, duke dyfishuar dënimin me kufij minimalë dhe maksimalë. Ndryshimet tashmë janë reflektuar nga Ministria e Drejtësisë në draftin e ndryshimeve të Kodit Penal. Neni 180 i Kodit ndryshohet si vijon: “Fshehja apo shmangia nga pagimi i detyrimeve tatimore nëpërmjet mosdorëzimit të dokumenteve ose mosdeklarimit të të dhënave të nevojshme sipas legjislacionit në fuqi, dorëzimit të dokumenteve të falsifikuara, dënohet me burg 2 deri në pesë vjet. Por nëse vlera e mashtrimit me taksat kalon 8 milionë lekë, ajo dënohet me 4-8 vjet burg”. Aktualisht Kodi Penal parashikon masë dënimi për këtë kategori gjobë deri në dy vite burg. Skemat e mashtrimit me TVSH do të gjejnë një trajtim të veçantë në ndryshimet e reja të Kodit Penal, pasi në Kodin ekzistues trajtohen vetëm skemat piramidale. Me ndryshimet e reja nenit 144 i shtohet germa (a), ku thuhet: “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar, organizimi dhe vënia në funksionim e skemave mashtruese me qëllim fitimin material për vete apo për të tjerët, nëpërmjet mospagimit apo përfitimit të kreditimit ose rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar, dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet”. Drafti i Kodit Penal parashikon dënime më të rrepta për ata që prishin shenjat e bllokimit nga tatimet, të cilët dënohen me një vit burg, masë kjo që nuk ishte e parashikuar më parë. Një ndryshim tjetër i rëndësishëm ka të bëjë me masën e dënimit nëse vjedh rrjetin e komunikimeve elektronike. Neni 137 ndryshon si vijon: “Vjedhja e rrjetit të komunikimeve elektronike dënohet me burgim deri në pesë vjet. Po kjo vepër kur kryhet në bashkëpunim më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”. Aktualisht masa e dënimit për këtë vepër penale është deri në tre vjet.
4-8
Vjet burg për ata që mashtrojnë dhe falsifikojnë për pagesat e taksave, nga dy vjet që është aktualisht.
4-8
Vjet për skemat e mashtrimit me TVSH, që aktualisht nuk është e përfshirë.
1
Vit burg për prishjen e shenjave të bllokimit nga tatimorët. Nuk është e sanksionuar aktualisht.
10
Vjet burg dëmtimi me dashje i pyjeve.
15
Vjet dëmtimi me dashje i tokës.
20
Vjet burg dëmtimi i mjedisit.
Dëmtimi i tokës dhe pyjeve, deri në 20 vite burg
Rriten masat e dënimit për dëmtimin me dashje të tokës. Kështu, shkatërrimi apo dëmtimi me dashje, me pasoja të rënda materiale i fondit pyjor, bëhet “nga pesë deri në dhjetë vjet” me ndryshimet e reja, nga tre deri në pesë vjet që është aktualisht. Ndërsa dëmtimi me dashje i tokës, me ndryshimet e reja dënohet nga 8-15 vjet, nga gjobë që është aktualisht. Dëmet në ndotjen e mjedisit dënohen nga jo më pak se 20 vite burg nga gjoba deri në 15 vite burg që ishte aktualisht.
Blerina Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.