Vendi ynë de facto është afër mundësisë së hedhjes së një hapi të tille historik – zëvendësimit të Lekut shqiptar me Euron. Natyrisht që për të hedhur këtë hap nevojitet një strategji e detajuar dhe e mirëmenduar me përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara vendase dhe një mbikëqyrje e rreptë nga ana e institucioneve monetare europiane dhe FMN-ja.
Nga Zef Preçi
Në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian (BE), integrimi monetar apo adoptimi i monedhës së përbashkët (Euro) për vendet e reja anëtare shihet si etapa e fundit e anëtarësimit në këtë union. Në të vërtetë, ky proces kalon nëpër disa faza të identifikuara qysh në fillimet e këtij procesi. Në fakt, euroizimi është as më shumë dhe as më pak se vetë integrimi i ekonomisë kombëtare të vendit në BE. Qysh në fillim të viteve ‘90, integrimi monetar i vendeve në zhvillim dhe tranzicion është konsideruar si një strategji monetare për imunizimin ndaj paqëndrueshmërisë monetare ndërkombëtare.
Në vijim të këtij shkrimi, kur flitet Euroizim, fjala është për adoptim të njëanshëm të Euros në vendin tonë – një vend në proces anëtarësimi në BE – ndërsa termi “Euroizim” përdoret gjatë tekstit edhe në kuptimin e plotë të këtij nocioni në funksion të këtij qëllimi.
Teoria e Zonave Optimale të Monedhës: kriteret e saj.
Diskutimi mbi integrimin ekonomik dhe monetar është në thelb i bazuar në nocionin e Zonës Optimale të Monedhës. Në të vërtetë, nocioni i kësaj zone është një pikënisje e dobishme për çdo diskutim mbi integrimin rajonal. Studime të ndryshme teorike rreth Zonës Optimale të Monedhës kanë identifikuar edhe kriteret bazë mbi të cilën mbështetet kjo teori, të tilla si:
· Fleksibiliteti i çmimeve dhe pagave.
· Lëvizshmëria e të gjithë faktorëve të prodhimit duke përfshirë punën.
· Integrimi i tregjeve financiare.
· Shkalla e hapjes ekonomike.
· Diversifikimi në prodhim dhe në konsum.
· Ngjashmëritë e normave të inflacionit.
· Integrimi politik.
I përmenda këto kritere për të sjellë në vëmendjen e lexuesit se, pavarësisht politikës monetare të ndjekur, pavarësisht dinamikës së marrëdhënieve shumëplanëshe të shtetit shqiptar më Bashkimin Europian, në secilin nga kriteret e mësipërme të marrë veç e veç apo së bashku, është shënuar progres i dukshëm dhe se ky progres, de facto, ka shërbyer edhe në procesin e Euroizimit të ekonomisë shqiptare gjatë gjithë periudhës, qysh nga ndryshimet sistemike të vitit 1990.
Termi euroizim, ashtu si dhe ndërkombëtarizimi i monedhës tjetër të përbotshme – dollarit, ka të bëjë me ato raste në të cilat monedha kombëtare vendase, në një shkallë të caktuar, zëvendësohet nga një valutë e huaj. Dallimi i parë është midis Euroizimit zyrtar dhe atij jozyrtar. Ndërsa Euroizimi zyrtar nënkupton miratimin ligjërisht të përdorimit të monedhës së huaj për të gjitha funksionet e parasë, një euroizim jozyrtar paraqet një situatë në të cilën përdoren të dy monedhat vendase dhe të huaja njëkohësisht, por monedha e huaj nuk është një ndërmjetës i pagesave, i njohur ligjërisht.
Euroizimi jozyrtar ndodh në forma të ndryshme, si: zëvendësimi i monedhës (valuta e huaj kryen funksionin e mjetit të këmbimit), zëvendësimi i aseteve (monedha e huaj shërben si depozitë për ruajtjen e vlerave dhe si njësi e funksioneve të llogarisë kombëtare) dhe Euroizimi real (monedha e huaj përdoret për përcaktimin e çmimeve dhe të pagave). Kjo nuk ka të bëjë vetëm me rrethanat në të cilat disa vende vendosin të heqin dorë nga monedhat kombëtare dhe të miratojnë Euron. Ky pozicion e vendos vetveten në konceptin e gjerë të Euroizimit. Ndonëse janë edhe një numër fenomenesh më të nuancuara që fshihen sipas kësaj kategorie. Midis tyre, ekziston Euroizimi i kursimeve, kur qytetarët vendosin të mbajnë depozitat e tyre në euro në vend të monedhës së tyre kombëtare. Masa e zëvendësimit të monedhës është vlera e bankënotave në monedhë të huaj që qarkullojnë në ekonomi (si mjet pagese dhe depozitë vlerë) dhe të gjitha llogaritë rrjedhëse dhe depozitat në një monedhë të huaj (në këtë rast Euro) të mbajtura nga rezidentët në bankat vendase dhe jashtë vendit.
Ndonjëherë ndodh një tjetër fenomen që emërtohet edhe si Euroizim dhe që lidhet me të ashtuquajturin Euroizim i njëanshëm, i cili i referohet një situate të ngjashme me atë që vihet re në Kosovë, kur një vend, pa përmbushur kriteret e konvergjencës të Traktatit të Mastrihtit dhe jashtë procedurës formale të parashikuar në ligjin e BE-së, vendos të braktisë monedhën vendase dhe të përdorë Euron në tregtinë e jashtme dhe të brendshme.
Euroizimi dhe ekonomia shqiptare
Autorë të ndryshëm, duke përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve, kanë konstatuar edhe fenomenin që Banka e Shqipërisë, ashtu si shumë banka qendrore të vendeve Europiane jashtë Eurozonës ka ndjekur në vijimësi politikën monetare të Bankës Qendrore Europiane, veçanërisht për sa i takon uljes së normës bazë të interesit. Edhe pse jam dyshues për shkallën e ndikimit të kësaj politike mbi ekonominë shqiptare, posaçërisht sa i takon zgjerimit të kreditimit të ekonomisë reale (kjo për shkak të problemeve të brendshme të kësaj ekonomie), personalisht e çmoj pozitivisht politikën e ndjekur si një shprehje të maturisë së Bankës Qendrore. Njëkohësisht ndjekjen e politikës monetare të BQE nga Banka e Shqipërisë e shoh edhe si një reflektim të natyrshëm të avancimit të kritereve që lidhen me Zonën Optimale të Monedhës të sipërcituara. Është e kuptueshme se ky trend në politikën monetare të Bankës së Shqipërisë reflekton edhe faktin se BE përfaqëson partnerin kryesor të Shqipërisë në shkëmbimet tregtare, por edhe efektin iluziv të besimit që krijon një politikë e tillë monetare tek investitorët, etj.
Pro dhe kundër Euroizimit…
Në literaturën shumë të gjerë rreth kësaj teme njihen një numër vendesh që preferojnë të miratojnë në mënyrë të njëanshme Euro pa pjesëmarrjen e plotë dhe ligjore në Bashkimin Monetar Europian. Disa nga arsyet më të zakonshme të identifikuara pas vendimit të njëanshëm të Euroizimit janë:
– stabiliteti i kursit të këmbimit, i cili stimulon Investimet e Huaja Direkte (FDI);
– eliminimi i rreziqeve të sulmeve spekulative;
– rrezik më i ulët i këmbimit për rezervat valutore;
– normat e ulëta të interesit;
– ulja e inflacionit;
– kostot më të ulëta të transaksioneve, etj.
Nga ana tjetër, megjithatë, në literaturën rreth kësaj teme janë identifikuar edhe një numër arsyesh për të kundërshtuar Euroizimin e njëanshëm:
– dizavantazhin për të mos pasur një politikë të normës së interesit;
– rreziku më i lartë i drejtimit të bankave tregtare në mungesë të një banke qendrore “kombëtare” që vepron si burim i fundit huadhënës në rast se institucionet financiare të vendit ndeshen me vështirësi financiare apo janë pranë kolapsit, dhe
– mungesa e rezervave valutore.
Apriori pranohet gjerësisht se përfitojnë më shumë nga heqja dorë e monedhës kombëtare dhe zëvendësimin e saj me monedhë të huaj ato vende që kanë një ekonomi të vogël e të hapur, që kanë shkëmbime tregtare intensive me vendin/bashkimin ekonomik që emeton monedhën zëvendësuese (ne rastin tonë Eurozonën); vendet me një histori të inflacionit të lartë, dhe me një cikël të biznesit shumë të ndërlidhur me ciklin e vendit emetues të monedhës së huaj.
Zgjerimi i Bashkimit Europian: çështja e bashkimit monetar
Siç dihet, BE ka ofruar një qasje me tre hapa bazë për integrimin monetar të vendeve anëtare. Vendet aspirante për në BE fillimisht anëtarësohen me BE-në, pastaj hyjnë në ERM II të këtij unioni dhe, së fundi, pas përmbushjes së kritereve të konvergjencës së Mastrihtit, vjen aderimi në Zonën e Euros, d.m.th. këto vende bëhen anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar. Mbi bazën e këtij skenari, është e qartë se, me gjithë progresin e shënuar në përmbushjen e kritereve të Zonës Optimale të Monedhës, për vendet si Shqipëria, integrimi monetar me BE-në nuk është në të vërtetë një alternativë aktuale për ta. Kjo mbetet një çështje mjaft komplekse dhe e vështirë edhe për shkak të situatës ekonomike, por gjithsesi duket si perspektivë strategjike në periudhën afatgjatë.
Në rastin e Shqipërisë, pavarësisht një përpjekje të bërë në fillim të viteve 2000 për dollarizimin e ekonomisë nga i cili për arsye të kuptueshme u hoq dorë më vonë, çfarëdo rruge që të ndiqet në procesin e përfshirjes së ekonomisë kombëtare në Zonën e Euros, me apo pa integrimin ekonomik të vendit, themelore mbetet se vendi do të humbasë mundësinë e përcaktimit të politikave monetare të pavarura, rol ky që është luajtur deri më sot nga Banka e Shqipërisë. Natyrisht që diskutimi mbi impaktin e politikës monetare në ekonominë shqiptare, veçanërisht gjatë dekadës së fundit që përkon edhe me krizën ekonomike globale dhe problemet serioze strukturore të kësaj ekonomie, është një temë e gjerë, për të cilën mungon konsensusi në radhët e ekonomistëve dhe analistëve të ekonomisë.
Gjithsesi, pavarësisht kontekstit të përdorimit, Euroizimi shpreh gjithçka që lidhet që nga përdorimi i paligjshëm i Euros së bashku më Lekun shqiptar deri në miratimin zyrtar të përdorimit të Euros si mjeti kryesor apo i vetëm i pagesave, si njësinë e llogarisë kombëtare dhe/ose si depozitë e vlerave.
Ndërkaq Euroizimi mund të ndodhë atëherë kur Euro të përdoret në secilin prej tre roleve klasike të parave. Ky i fundit, shumëllojshmëria, quhet Euroizim i plotë ose zyrtar i cili duhet të shquhet nga Europizimi jozyrtar (pa miratimin formal ligjor) dhe gjysmë-zyrtar (ose zyrtarisht i quajtur përdorimi i të dy monedhave njëkohësisht), d.m.th. në rastin kur përdorimi i Euros është i ligjshëm, por ajo luan rol dytësor në krahasim me monedhën vendase. Ndoshta në këtë modelin e fundit duhen klasifikuar edhe përpjekjet e Bankës së Shqipërisë gjatë këtij viti për të inkurajuar përdorimin më të gjerë të monedhës vendase, pavarësisht faktit se besimi i konsumatorëve dhe bizneseve mbetet dukshëm më i madh në monedhën euro. Në fakt kjo ka ndodhur pavarësisht dëshirës së Bankës së Shqipërisë, po për faktin se kredidhënia në Euro është shtrënguar shumë nga rregullat e ECB-së mbi bankat europiane që operojnë në vendin tonë. Nëpërmjet këtij zhvillimi, Banka e Shqipërisë ka synuar të përforcojë transmetimin e politikës monetare. Ndërkaq, duhet pranuar se kriza nxori në dukje problemin e menaxhimit të bankave të falimentuara apo të kredive të këqija, për faktin se ky menaxhim, siç tregon edhe përvoja e vendeve të tjera, është më eficient në monedhën kombëtare.
Kuptohet se Euroizimi në rastin tonë do të duhet të analizohet nga këndvështrimi i kosto/përfitimeve apo avantazheve/dizavantazheve që gjithsesi nuk mund të kompensojnë njëra-tjetrën. Edhe pse është e vështirë të bësh llogaritje mbi përfitimet e mundshme të këtij zëvendësimi të Lekut me Euron në ekonominë tonë, nga studimi i përvojës së vendeve që kanë ecur përpara në këtë proces mund të konsiderohen si të tilla:
• ulja e kostos së transaksioneve,
• rritja e stabilitetit financiar, dhe
• rritja e kredibilitetit politik.
Siç dihet, Shqipëria pati një bum financiar edhe pa adoptim të Euros para krizës, dhe po kështu në ditët e sotme, normat e interesit janë në nivele të ulëta historike. Por të dhënat e vendeve të tjera që kanë adoptuar Euron në mënyrë të njëanshme tregon se përveç reflektimit të trendit të vendimmarrjes së Bankës Qendrore Europiane për uljen e normës bazë të interesit, vendet që kanë futur Euron përfitojnë edhe efekte shtesë jo vetëm në uljen e këtyre normave, por edhe kosto të tjera do të reduktoheshin me këtë rast.
D.m.th. krijohen kushtet për të ofruar norma më të ulëta të interesit, për kosto më të reduktuara të transaksioneve dhe ushtrohet një efekt pozitiv mbi disiplinën makroekonomike dhe reformat strukturore për të cilat ka nevojë ekonomia shqiptare në ditët e sotme.
Në rastin e vendit tonë, e gjej me vend të theksoj se nxitimi në futjen e Euros në vend të Lekut shqiptar do t’i shërbejë padyshim edhe zbutjes apo amortizimit të rrezikut nga goditjet që duken në horizont nga politikat e pakujdesshme të qeverisë, sidomos në drejtim të rritjes agresive borxhit publik, të përfshirjes kërcënuese të sektorit privat, në investimet në infrastrukturën publike, deri edhe në ekspozimin e dukshëm të ekonomisë kombëtare ndaj pastrimit të parave, me burim veprimtaritë kriminale siç është kultivimi, përpunimi, tregtimi dhe eksportimi i marijuanës dhe drogave të tjera të forta. Kjo nuk e përjashton as efektin e kundërt, siç është rasti i PIIGS , d.m.th. vendeve mesdhetare që adoptuan Euron dhe që ishin thelbi i krizës së Eurozonës në 2011-12, tregoi se ulja e normave të interesit mbi borxhin publik vetëm sa i kishte nxitur qeveritë të merrnin borxh më të madh publik. Në mënyrë që të mos përsëritet ky fenomen, mendoj se duke adaptuar në mënyrë të njëanshme Euron krijohet një terren i favorshëm për më shumë transparencë në borxhin publik dhe një rol më të madh të Bankës Qendrore Europiane në këtë drejtim. Gjithashtu mendoj se futja e Euros do të ndihmojë për të frenuar PPP-të e rrezikshme sidomos në të ardhmen dhe deri-diku edhe për mbrojtur ekonominë kombëtare nga fenomeni evident dhe kërcënues i pastrimit të parave.
Për më tepër nuk ka asnjë dyshim se në Shqipëri, ashtu si në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që ende nuk e përdorin Euron si monedhë kombëtare të tyre (Maqedonia dhe Serbia), miratimi i Euros duket me të vërtetë qëllimi përfundimtar i të dyjave palëve të interesuara: qytetarëve dhe autoriteteve shtetërore, qëllimi i të cilëve është shfrytëzimi i plotë i mundësive që ofron kjo monedhë për të përshpejtuar në tërësi integrimin europian të tyre. Në këto vende aspirante për në BE nuk pyetet më nëse do të miratohet Euro, por kur dhe si do të realizohet kjo. Pavarësisht kësaj aksiome që pranohet gjerësisht në rrethet e ekonomistëve, studiues të njohur të sistemeve bankare ngrenë shqetësimin e natyrshëm rreth sinkronizmit të ulët të ciklit të biznesit në Shqipëri me vendet e rajonit dhe vetë BE-në, duke e parë nivelin e sotëm të këtij sinkronizmi si një argument për të pasur një politikë monetare të pavarur dhe për një periudhë kohe. Duke gjykuar nga hapat klasikë të një cikli biznesi mendoj se problemet e sotme strukturore të ekonomisë shqiptare nuk lënë shumë hapësirë për identifikimin e qartë të këtyre fazave të ciklit dhe se kjo ekonomi është qartësisht e ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme.
Rritja shumë e ngadaltë mbas krizës së vitit 2008 ka sjellë nevojën për reforma më të thella fiskale, financiare, institucionale dhe rregullatore, për të rritur produktivitetin e ekonomisë sonë kombëtare dhe sidomos për të përshpejtuar rritjen dhe punësimin.
Një problem tjetër që evidencohet nga studiuesit në rastin e një adoptimi të njëanshëm të Europës në ekonominë shqiptare është edhe rreziku që qeveria të bëjë bail out të kredive të këqija apo të bankave të falimentuara, për të cilat nevojitet monedha kombëtare.
Edhe pse e pranoj se këto dy këto rreziqe nuk janë plotësisht të tejkaluara në Shqipërinë e sotme, besoj se këto duhen qartësuar hap mbas hapi në rastin e përgatitjes së një strategjie të detajuar për adoptimin e njëanshme të Euros në ekonominë shqiptare.
Pa u futur në shifrat për secilën nga këto karakteristika të analizuara më sipër, personalisht mendoj së vendi ynë plotëson dukshëm pjesërisht disa prej tyre dhe de facto është afër mundësisë së hedhjes së një hapi të tille historik – zëvendësimit të Lekut shqiptar me Euron. Natyrisht që për të hedhur këtë hap nevojitet një strategji e detajuar dhe e mirëmenduar me përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara vendase dhe një mbikëqyrje e rreptë nga ana e institucioneve monetare europiane dhe FMN-ja.
Si konkluzion mund të thuhet se futja zyrtarisht në përdorim e Euros në mënyrë të njëanshme duke zëvendësuar Lekun shqiptar ende pa u bërë vend anëtar i EMU II, pra Euroizimi i njëanshëm i ekonomisë shqiptare, në fakt nuk do të ishte gjë tjetër veçse një legjitimim i situatës në të cilën ndodhet ekonomia jonë kombëtare aktualisht. Edhe pse kjo duket si një përpjekje a mënyrë jostandarde e integrimit në EMU, kjo do të shënonte në të vërtetë një “shkurtim” të periudhës së integrimit monetar në Eurozonë dhe të vetë integrimit europian të Shqipërisë.
———
[1] Siç dihet, për shkak të recesionit ekonomik që filloi në vitin 2008, disa anëtarë të BE-së u bënë historikisht të njohur si PIIGS. Këto shtete përfshijnë Portugalinë, Italinë, Irlandën, Greqinë dhe Spanjën dhe nëse kombinohen së bashku, ato formojnë akronimin PIIGS
[2]Siç dihet, ciklet e biznesit identifikohen nëpërmjet katër faza të ndryshme: zgjerimi, piku, tkurrja dhe rënia. Një zgjerim karakterizohet nga rritja e punësimit, rritja ekonomike dhe presioni mbi çmimet.
[3]Me këtë term kuptohet ndihmesa për shpëtim, d.m.th. një situatë në të cilën bizneset, një individ ose qeveria i ofron para një biznesi të dështuar për të parandaluar pasojat që rrjedhin nga rënia e biznesit, në rastin tonë të bankave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.