Qeveria po mendon të heqë TVSH për importin e makinerive dhe pajisjeve, kërkesë e kahershme e biznesit, por i cili nuk është se po gëzohet shumë. Në parim e mbështesin të gjithë, por kur diskutohet në veçanti, për disa nene, reagimet kundërshtuese janë të menjëhershme. Heqja e TVSH për një treg importi makinerish, që në vitin 2012 kapi shifrën e rreth 7.6 miliardë lekëve konsiderohet incentivë lehtësuese për biznesin shqiptar, me synim rritjen e mëtejshëm të investimeve, si dhe finalizimin e një produkti apo shërbimi me kosto sa më të ulët për konsumatorin.
Megjithatë, biznesi nuk është se po duartroket me të madhe, madje duket se propozimet e fundit, të cilat qeveria i ka miratuar para një jave në parim, më tepër po i stresojnë. E thënë më shkoqur, që biznesi/investitori të përfitojë statusin e mospaguesit të TVSH-së duhet të plotësojë një mal me letra dhe më e keqja, ajo për të cilin nguron më tepër është “plani i biznesit”, që duhet dorëzuar më parë në qeveri, si ndër kushtet kryesore.
Me këto procedura të vendosura, qeveria nuk po e nis mirë reformën e re. Skeptikët janë të shumtë, madje deklarojnë hapur se “me ndryshimet e fundit nuk jemi gjëkundi”. Kushtet e vendosura e bëjnë të pamundur zbatimin e ligjit të ri për TVSH-në. Tjetër debat lidhet për listën e makinerive dhe pajisjeve, e cila për një kategori të caktuar biznesesh mbahet e fshehur nga Ministria e Financave. Ekspertët mendojnë se duke fshehur listën, deri në ditën kur ligji do të hyjë në fuqi, qeveria shmang tentativat për të spekuluar me bilancet.
Janë tre drafte të miratuara në parim: drafti i parë përcakton kushtet se si duhet përfituar heqja e shkallës tatimore 20 për qind e TVSH (bashkë me kategoritë); drafti i dytë përcakton llojet e bizneseve që përfitojnë; drafti i tretë, skema përfshin edhe sektorin e prodhuesve të energjisë elektrike, pra HEC-et.
Nuk dihet me saktësi se kur mund të hyjnë në fuqi ndryshimet e fundit, pasi më parë do të diskutohen në Këshillin Konsultativ të Biznesit, pastaj do të miratohen në qeveri, më pas në Kuvend, që do të kërkojë kohën e nevojshme për shkak të debateve, pastaj duhet të dekretohen nga presidenti dhe në fund të publikohen në Fletoren Zyrtare. Të gjitha këto duhet të realizohen brenda muajit prill, para se Parlamenti të shpërndahet në kuadër të fushatës elektorale. Megjithatë, analistët parashikojnë hyrjen në fuqi në qershor, maksimumi pas zgjedhjeve.
Katër sektorët “përfitues”
Përfitues nga heqja e TVSH-së janë disa kategori biznesesh, apo investitorësh, që në thelb, qeveria është munduar t’i përfshijë të gjithë. Ata janë:
A) Tatimpaguesit që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit me vlerë në ose mbi 50.000.000 lekë;
b) Tatimpaguesit që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e përpunimit aktiv, pavarësisht nga vlera e investimit;
c) Tatimpaguesit (përfshirë fermerin) që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e agrobiznesit, pavarësisht nga vlera e investimit;
ç) Tatimpaguesit subjekt i taksës së biznesit të vogël të cilët importojnë makineri prodhuese në funksion të realizimit të kontratave të investimit të tyre.
Kundërshtitë kryesore vijnë nga kategoria e pikës a), për shkak të kushteve të vendosura. Sikurse shihet, në skemë janë përfshirë edhe bizneset e vogla, duke u mos u vendosur kushte mbi vlerën e pajisjes.
Në pikën dy të vendimit “Për përcaktimin e listës së makinerive dhe pajisjeve që janë të lidhura me investimin, procedurat e përjashtimeve dhe kriteret përkatëse”, thuhet se importimi i makinerive dhe pajisjeve të kryera nga tatimpaguesit e përcaktuar në VKM, është furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja, vetëm në rastet kur të tilla makineri dhe pajisje importohen në funksion të realizimit të kontratave të investimeve dhe importimi kryhet nga vetë tatimpaguesit, pa nënkontraktim. Ky është vetëm njëri kusht, pasi tatimpaguesit duhet të pajisen me Autorizimin e Përjashtimit nga TVSH-ja nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD).
Kushtet e grupit A (50 milionë lekë)
Tatimpaguesit e përcaktuar në pikën 1,a), pra grupi i investitorëve që duhet të importojnë pajisje dhe makineri me vlerë 50 milionë dhe mbi këtë shumë, pa TVSH duhet të paraqesin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave një set me dokumente. Duke filluar me kërkesë me shkrim, së cilës, kur kryhen veprime për herë të parë pranë autoriteteve doganore, i bashkëngjitet një fotokopje e certifikatës së NUIS/NIPT-it. Pastaj me radhë, kopje të marrëveshjes me qeverinë shqiptare në të cilën është miratuar kontrata e investimit ku të jetë e specifikuar vlera e investimit në ose mbi 50 milionë lekë (nëse ka një marrëveshje të tillë), ose kopje të lejes/licencës/autorizimit (vetëm për kërkesën e parë).
Kushti që i ka vendosur të gjithë bizneset në dilemë është pika c, neni 3.1, sipas së cilës biznesi duhet të dorëzojë në dogana kopje të planit të investimit, përfshirë preventivin, ku të jetë e përcaktuar se vlera e investimit është në ose mbi 50 milionë lekë dhe kohëzgjatja e investimit. Pa dashur ta paragjykojmë, por pakkush nga bizneset do të ishte i gatshëm të publikonte sekretet e punës së tij, në një treg me konkurrencë të ashpër. Kjo vërtetohet edhe nga komentet që shoqatat i kanë bërë projektit, kopjet e të cilave disponohen edhe nga “Monitor”.
Tjetër kusht lidhet me dorëzimin e kopjes së planit të investimit, përfshirë preventivin, për vitin kur kryhen importet; llojin dhe sasinë e makinerive dhe pajisjeve që do të importohen dhe periudha e instalimit, dhe në fund, vërtetimin nga Drejtoria Rajonale Tatimore se nuk ka detyrime tatimore të papaguara. Për konstatimin nëse ka apo jo borxh doganor, verifikimet kryhen brenda strukturave doganore.
Të gjitha këto kushte përmbajnë kosto për biznesin dhe kohë. Nuk mund të thuhet me ekzaktësi si del biznesi, i fituar nga plotësimi i dokumentacionit apo i humbur, duke pasur parasysh qëllimin final: mospagesën e TVSH.
Kushtet e grupit B (fasonët)
Duhet thënë se debati më i madh në fund të vitit 2012, kur nisi diskutimi mbi variantet e reja të ligjit lidhej me grupin e bizneseve përfituese, pasi qeveria nuk u kishte dhënë mundësi kategorisë së prodhuesve të veshjeve dhe fasonëve. Kjo kategori ishte përfshirë në grupin A, pra me kushtin e importit të pajisjes me vlerë 50 milionë lekë. Pas debateve dhe presioneve nga opozita, qeveria e hoqi kushtin e vlerës së importit, duke e lehtësuar këtë sektor.
Po cilat janë kriteret?
Një biznes i sektorit të fasonit duhet të paraqesë, si gjithë të tjerët te dogana një kërkesë me shkrim, së cilës, kur kryhen veprime për herë të parë pranë autoriteteve doganore, i bashkëngjitet një fotokopje e certifikatës së NUIS/NIPT-it. Pastaj të paraqesë një vërtetim nga Drejtoria Rajonale Tatimore ku është i regjistruar që nuk ka detyrime tatimore të papaguara, kopje të Ekstraktit të QKR ku të jetë specifikuar se aktiviteti ekonomik është në fushën e përpunimit aktiv. Verifikimi nëse ka ose jo Autorizimin të lëshuar nga autoriteti doganor si tatimpagues në regjimin e përpunimit aktiv, kryhet brenda strukturave doganore, si dhe kopje të planit të investimit, përfshirë preventivin, për gjithë kohëzgjatjen e investimit.
Gjithashtu, duhet të dorëzojë në dogana kopje të planit të investimit, përfshirë preventivin, për vitin kur kryhen importet, llojin dhe sasinë e makinerive dhe pajisjeve që do të importohen dhe periudha e instalimit, si dhe në përfundim, të përshkruajë në mënyrë skematike dhe narrative skemën teknologjike për çdo element të saj.
Grupi C-D (fermerë dhe biznes i vogël)
Të njëjtat kushte janë pak a shumë për këtë kategori biznesesh, pra për fermerët dhe subjektet e vogla. Për sektorin e bujqësisë, rëndësia e heqjes së TVSH-së ka peshë të madhe, aq sa debati mes mazhorancës dhe opozitës mbahet me tone të larta.
Për bujqësinë, pra për agrobiznesin, kushtet janë të njëjta si me fasonin, kurse për fermerin janë vendosur vetëm tri pika kushtesh që janë kërkesa me shkrim te dogana, vërtetimin nga Drejtoria Rajonale e Bujqësisë se është fermer si dhe llojin dhe sasinë e makinerive dhe pajisjeve që do të importohen dhe periudhën e importimit.
Biznesi i vogël, pas kërkesës, duhet të dorëzojë në doganë vërtetim nga Bashkia ose Komuna se është subjekt i taksës së biznesit të vogël, ushtron aktivitet prodhues dhe nuk ka detyrime tatimore të papaguara, por edhe vërtetim nga Drejtoria Rajonale Tatimore, kopje të Ekstraktit të QKR dhe llojin dhe sasinë e makinerive prodhuese që do të importohen dhe periudhën e instalimit. Duke vendosur biznesin e vogël, fermerin dhe fasonin pa kushtin e importimit të pajisjes me vlerë 50 milionë lekë, Ministria e Financave i druhet faktit se mund të ketë manipulime me bilancet.
Me plotësimin e dokumentacionit (kushtet), brenda 15 ditësh kalendarike, Dogana pajis tatimpaguesin me Autorizimin e Përjashtimit nga TVSH-ja në të cilin përcaktohet edhe dega doganore mbikëqyrëse. Një kopje e Autorizimit dërgohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Për çdo import të makinerive dhe pajisjeve, personat e tatueshëm duhet të paraqesin kërkesat e parashtruara në VKM për t’u pajisur me Autorizim përjashtimi.
Neni 3.5.
Rastet me leasing
Importimi i makinerive dhe pajisjeve të kryera në përputhje me shkronjat g), gj), h) dhe l) të nenit 26.1 të ligjit nr. 7928, datë 27.04.1995, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, i ndryshuar, subjekt i këtij vendimi, të bëra me ndërmjetësimin e kompanive leasing janë subjekt i përjashtimit nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Subjektet përfituese duhet të paraqesin në doganë;
a) Respektivisht sipas kategorisë së tatimpaguesit, kopje të dokumentacionit të përcaktuar në pikat 3.1; 3.2; 3.3 dhe 3.4 të këtij Vendimi.
b) Kopje të kontratës me kompaninë leasing.
Nenet 5-6
Rregullat për shoqëritë që presin rimbursim dhe kanë importuar
Si shuhet borxhi doganor, rastet për importet e deritanishme
Për tatimpaguesit e përcaktuar në pikën 1, germat a, b dhe c (investitorët e mëdhenj, fasonët dhe agropërpunuesit), për të cilët kanë importuar makineri dhe pajisje nën skemën e shtyrjes së pagesës së TVSH-së dhe afati i dhënies së autorizimeve nga Administrata Doganore ose nga ministri i Financave nuk ka mbaruar deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit nr.125/2012, datë 20.12.2012 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7928, datë 27.4.1995, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, të ndryshuar”, dega doganore mbyll situatën e tatimpaguesit përmes ndryshimit të deklaratës doganore, për përjashtimin nga TVSH-ja, dhe, njëkohësisht, deklarata e ndryshuar dhe e miratuar nga organi doganor shërben për kontabilitetin e shoqërisë për tatimpaguesin.
Mbyllja e situatës bëhet vetëm për mallrat e miratuara nga qeveria, të cilat lejohen të importohen pa TVSH.
Kjo kategori tatimpaguesish duhet të paraqesin pranë degës doganore ku kanë bërë procedurat e importimit, dokumentacionin, si kërkesë për shuarje të borxhit doganor; kopje të autorizimit të shtyrjes së pagesës së TVSH nga Administrata Doganore ose nga ministri i Financave; dhe listën e mallrave të importuara nën skemën e shtyrjes së TVSH si dhe të dhënat mbi Deklaratat Doganore me të cilat këto mallra janë importuar. Të tjera kushte lidhen me dorëzimin e kopjes së autorizimit për Regjimin e Përpunimit Aktin.
Për tatimpaguesit, të cilët kanë bërë importim të makinerive dhe pajisjeve, nën skemën e shtyrjes së TVSH dhe për të cilat ka mbaruar afati i shtyrjes së autorizimit nga administrata doganore apo ministri i Financave në datën e hyrjes në fuqi të ligjit dhe nuk kanë TVSH për rimbursim tek administrata tatimore, u shuhet borxhi doganor. Kushtet për realizimin e kësaj procedure janë të njëjta si me rastin e mëparshëm.
Nëse plotësohen kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë vendim, brenda 15 ditëve kalendarike nga data e protokollimit të kërkesës së tatimpaguesit, dega doganore mbyll situatën debitore të tatimpaguesit, përmes ndryshimit të deklaratës doganore dhe, njëkohësisht, deklarata e ndryshuar dhe e miratuar nga organi doganor shërben për kontabilitetin e shoqërisë për tatimpaguesin.
Mbyllja e situatës bëhet vetëm për mallrat e lejuara. Dega doganore njofton drejtorinë rajonale tatimore për mbylljen e procedurës së shuarjes së borxhit dhe tatimpaguesin. Në rast se janë aplikuar penalitete për mosshlyerje të TVSH-së brenda afatit, këto penalitete nuk shuhen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.