Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker e deklaroi synimin gjatë fjalimit në Parlamentin Europian më 13 shtator të 2017, se mbështeste dhe nxiste zgjerimin e BE-së në drejtim të Ballkanit Perëndimor. Sipas dokumentit të strategjisë së BE-së, që nga fillimi i vitit 2018, kandidatët kryesorë që do të bëheshin pjesë e këtij zgjerimi janë Serbia dhe Mali i Zi, duke shpresuar se që të dyja do të jenë anëtare të BE-së deri në 2025, të ndjekura nga Shqipëria, Bosnjë- Hercegovina (BiH), Maqedonia dhe Kosova.
Për BE-në, 2018 është një vit shumë i rëndësishëm, periudhë gjatë së cilës ajo dëshiron që të shohë një ndryshim vendimtar në drejtim të një normalizimi të plotë të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Të dy vendet janë ende të përfshira në një mosmarrëveshje që vazhdon që nga shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, fokusi i BE-së pas muajit qershor të këtij viti do të zhvendoset në Kosovë. Takimi ndërmjet BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur më 17 maj 2018 në Sofje, kryeqytetin bullgar, kishte për qëllim të siguronte vendet e Ballkanit Perëndimor për perspektivat e tyre drejt anëtarësimit në BE. Një ndër çështjet më problematike dhe më shqetësuese për BE-në është edhe paqëndrueshmëria politike dhe ndikimi i fuqive të treta si Rusia, Kina dhe Turqia në Ballkanin Perëndimor.
Kriza e emigracionit në vitin 2015, në të cilën qindra mijë emigrantë hynë në BE nëpërmjet Ballkanit Perëndimor, ishte një tjetër moment i rëndësishëm për të nxjerrë në pah dhe për të kujtuar rëndësinë strategjike të këtij rajoni. Përkrahësit e zgjerimit të BE-së e shohin atë si mjet kryesor për të siguruar paqen, stabilitetin, prosperitetin dhe sundimin e ligjit në rajon. BE-ja gjithashtu ndien nevojën për një mision dhe qëllim të ri, i tillë si ai i integrimit të Ballkanit Perëndimor, në epokën post-Brexit.
“Një kovë me ujë të ftohtë” për Presidentin Macron
Takimi i Sofjes u zhvillua 15 vjet pas mbajtjes së një takimi të ngjashëm në Selanik të Greqisë, ku iu premtua rajonit se ai do të përfshihej në BE. Samiti i këtij viti synon të sigurojë rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE. Deklarata e samitit ripohoi vendosmërinë e BE-së “për të forcuar dhe për të intensifikuar angazhimin në të gjitha nivelet për të mbështetur zhvillimin politik, ekonomik dhe shoqëror të rajonit”. Megjithatë, dy prej fjalëve kryesore, si “integrimi” dhe “zgjerimi” mungonin në dokumentin përfundimtar. Mesazhi kryesor i këtij dokumenti ishte i njohur për shumë: “angazhim i përbashkët ndaj vlerave europiane”; “mbështetje e qartë për perspektivën europiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor” dhe angazhim për vendosjen e demokracisë dhe shtetit ligjor.
Në këtë samit, Presidenti francez, Emmanuel Macron, u shfaq si kundërshtari kryesor i zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. “Gjatë 15 viteve të fundit, Europa është dobësuar, vetëm e vetëm sepse është menduar gjatë gjithë kohës për zgjerimin e saj”, tha ai. Presidenti Macron tha më tej se nuk ishte në favor të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së përpara se të arrihej përmbushja e reformave kryesore dhe mbi të gjitha, në drejtim të sigurisë. Në vend që të fliste për anëtarësimin e vendeve të BE-së në të ardhmen e afërt, z. Macron u ofroi vendeve të Ballkanit Perëndimor një dialog strategjik të përforcuar.
Ndërlidhja kundrejt zgjerimit
Fokusi kryesor i samitit ishte siguria, dixhitalizimi dhe investimi. Një shtojcë me katër faqe, e quajtur “Axhenda Prioritare e Sofjes”, vendos bazat për krijimin e instrumenteve për mbështetjen e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së duhur. Ajo premton bashkëpunim më të mirë në fushat e antiterrorizmit dhe kontrollit kufitar, dyfishon financimin e Erasmusit kushtuar vendeve të rajonit dhe zgjeron strukturën e Investimeve të Ballkanit Perëndimor duke nisur një sërë projektesh të reja.
Këtu përfshihen autostrada e paqes ndërmjet Nishit në Serbi dhe Prishtinës në Kosovë dhe Autostradës Blu përgjatë bregut të Adriatikut. Në shtojcë përmendet edhe realizimi i Tregut Rajonal të Energjisë Elektrike që më vonë do të integrohet brenda tregut të energjisë së BE-së. I vetëdijshëm për përshtypjen aspak të mirë që ky samit mund të ketë lënë, Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, vuri në dukje se programi i ndërlidhjes nuk ishte zëvendësues për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së dhe shtoi: “Nuk shoh asnjë të ardhme për Ballkanin Perëndimor përveçse asaj Europiane. Nuk ka asnjë alternativë”. Gjithsesi, vendet e Ballkanit Perëndimor mund të falen nëse mendojnë se perspektivat e tyre drejt anëtarësimit të BE-së po pakësohen dhe se ata po nxiten drejt alternativave të tjera.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.