Sot, më shumë se gjysma e popullsisë në botë është online. Në vitin 2017 ka pasur një rritje me 7% të numrit të përdoruesve, me Afrikën që kryeson për shpejtësinë e rritjes. Nga këta përdorues, 3,2 miliardë janë aktivë në rrjetet sociale.
Këto janë të dhënat më të rëndësishme të studimit të përvitshëm nga agjencia We Are Social së bashku me platformën sociale Hootsuite. Dy platformat kanë analizuar tendencat e vitit të fundit dhe kanë bërë parashikime për vitin 2018, duke analizuar 239 vende, për të kuptuar se si po zhvillohet bota e internetit.
Tendencat e mëdha të vitit 2017
Studimi gjeti një rritje në të gjithë fushat e analizuara: jo vetëm të numrit të personave që përdorin internetin dhe rrjetet sociale, por edhe rritje të aksesit nga telefonat dhe të e-commerce. Në vitin 2017, është rritur +7% numri i përdoruesve (sot 4,021 miliardë persona), +13% në përdorimin e rrjeteve sociale, +14% përdorimi i rrjeteve sociale nga telefonat në bazë vjetore dhe +8% e-commerce, me 1,77 miliardë persona që kanë blerë online për një shumë totale prej 1,474 trilione dollarë amerikanë.
Parashikimet për vitin 2018
Rrjetet sociale do të shihen si një investim real, do të rriten TV social, do të zvogëlohet besimi tek institucionet tradicionale, ndërsa do të rritet besimi drejt fushave të vogla me ndikim, Inteligjenca Artificiale do të përhapet gjithnjë e më shumë dhe rrjetet sociale do të përdoren në masë nga organizatat. Këto janë tendencat për vitin e ri sipas Hootsuite.
Rritet numri i personave më shumë se 65 vjeç në Facebook
Ndër të dhënat më interesante në këtë studim është profili i përdoruesve në rrjetin më të madh social në botë. Në 12 muajt e fundit, është rritur me 12% numri i personave të moshës mbi 65 vjeç. Po ashtu është rritur edhe numri i adoleshentëve, ndërsa numri i 13 – 15-vjeçarëve është rritur me “vetëm” 5%. Numri i femrave që përdorin rrjetet sociale mbetet ende i ulët, veçanërisht në vendet e Afrikës Qendrore, Lindjen e Mesme dhe në Azinë e Jugut.
Filipinet, vendi më “social”
Në klasifikimin e vendeve ku përdoren më shumë rrjetet sociale, për të tretin vit radhazi, Filipinet janë në vend të parë, ku njerëzit kalojnë mesatarisht 4 orë në ditë. Në vend të dytë është Brazili me 3,39 orë në ditë, ndjekur nga Indonezia me 3,23 orë në ditë.
Facebook, rrjeti social më i përdorur
Rrjeti social i Mark Zuckerberg ka thyer një tjetër rekord vitin e kaluar, me një rritje 15% të numrit të përdoruesve. Në vitin 2016, Facebook mbetet platforma sociale më e përdorur me 2,167 miliardë persona të regjistruar. Pas tij renditen YouTube e WhatsApp, por me një distancë të madhe; respektivisht 1,500 dhe 1,300 miliardë përdorues.
Rritet tregtia online
Shopping online është rritur me 8% në 12 muajt e fundit. Po ashtu, edhe vlera e mallrave të shitur, duke arritur 1,474 trilionë dollarë. Çdo përdorues, gjatë vitit 2017 ka shpenzuar mesatarisht 833 dollarë, me një rritje +7% në një vit. Mallrat kryesore kanë qenë veshjet, ushqime, pajisje elektronike dhe lodra.
Burimi: Corriere della Sera