Rama thirrje për shqiptarët në sistemin financiar ndërkombëtar
Gjithë kupola e Bankës së Shqipërisë do të ndryshojë dhe ndërsa për Guvernatorin fjalën e thotë Presidenti, për Këshillin Mbikëqyrës vendos Qeveria dhe Kuvendi. Kreu i Ekzekutivit, Edi Rama, nga Kina u shpreh dje se vendet vakante do të hapen javën që vjen për ekspertë që punojnë në institucionet ndërkombëtare. “Do t’u drejtohemi shqiptarëve që punojnë në sistemin financiar ndërkombëtar për vendet në Këshillin Mbikëqyrës të BSH. Javën tjetër thirrja”, ishte postimi i Ramës në Twitter. Pas dorëheqjes së anëtarit të Këshillit të Mbikëqyrjes Ardian Civici dhe shkarkimit të ish-guvernatorit Ardian Fullani, sot në organin më të lartë drejtues të Bankës Qendrore kanë mbetur vetëm pesë anëtarë. I fundit, kandidati i nëntë, do të zgjidhet me votat e tetë anëtarëve të tjerë të Këshillit.
KANDIDATËT
Anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës nuk do t’u duhet të lënë impenjimin e tyre aktual, veçse do të duhet të respektojnë kalendarin e takimeve për vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë. Të paktën kështu e përcakton ligji. Por cilët janë disa nga emrat me eksperiencë ndërkombëtare që janë lakuar së fundi si kandidatë të mundshëm? Niko Hobdari, një ekspert që punon për llogari të Fondit Monetar Ndërkombëtar që nga viti 1995, aktualisht në Greqi. Më herët Hobdari ka qenë pjesë e Ministrisë së Financave, nga viti 1988 deri më 1993. Emri tjetër i lakuar është ai i Sybi Hidës. Shumë e kanë të dëgjuar pasi deri në vitin 2013 ishte deputet i Partisë Demokratike, ndërkohë që ka mbajtur një sërë pozicionesh të tjera në Ministrinë e Financave në vite të ndryshme, si gjatë qeverisjes së të majtëve, ashtu edhe të të djathtëve. Hida aktualisht punon për Fondin Monetar Ndërkombëtar në Republikën e Gambisë, ndërsa më herët ka punuar edhe në Moldavi, po për FMN-në. Emri i tretë për kandidate e Këshillit Mbikëqyrës është ajo e Marta Muços. Kjo e fundit ka punuar gjatë periudhës 1998 deri në prill 2001 në Bankën e Shqipërisë dhe më pas edhe si konsulente e Bankës Botërore. Aktiviteti i saj të paktën në dhjetë vitet e fundit është zhvilluar në SHBA. Emri tjetër është ai i Xhentil Demirajt. Aktualisht është këshilltar i lartë në Komitetin e Menaxhimit të Bankës së Detit të Zi. Më herët Demiraj ishte drejtor Borxhi në Ministrinë e Financave, ndërkohë që në CV-në e tij vitet 2004-2007 figurojnë si konsulent financiar në Florida dhe në 2001-2002 si analist kredie për biznesin në Sun Trust Bank. I fundit në listën e kandidatëve të diskutuar është emri i Gjergji Kondës. Ky i fundit ka qenë zëvendësministër Financash dhe më pas, në vitin 1994, ka marrë pozicionin e Guvernatorit të Shqipërisë pranë Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Nertila MAHO/Panorama
KANDIDATET
Niko Hobdari (punon për FMN)
Sybi Hida (punon për FMN)
Marta Muço (ka punuar për BB)
Xhentil Demiraj (Banka e Detit të Zi)
Gjergji Konda (ka punuar për BERZH)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.