Kardif, shtohen ethet për biletat e finales së Champions League

11/05/2017 10:12 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Finalja e Champions League, Juventus – Real Madrid do të luhet më 3 qershor, në Kardif të Uellsit.

Millennium Stadium në Kardif është një impiant me katër yje, por me vetëm 66 mijë vende, nga të cilat 41.500 do të jenë të rezervuara për tifozët.
Dy finalistet (Juventus dhe Real Madrid) do të kenë 18.000 bileta secila, ndërsa 5.500 vendet e mbetura do të jenë në dispozicion në faqen zyrtare të UEFA-s. Biletat e mbetura do të menaxhohen nga sponsorët, federatat kombëtare përkatëse dhe partnerë të tjerë.

ÇMIMET

Çmimet në sektorët më të shtrenjtë në stadium shkojnë deri në 390 euro dhe vetëm 60 euro për sektorët me çmim më të ulët.

Më poshtë çmimet e biletave sipas kategorisë:

Bileta kategoria 1: 390 euro
Bileta kategoria 2: 275 euro
Bileta kategoria 3: 140 euro
Bileta kategoria 4: 60 euro
Bileta për persona me aftësi të kufizuara: 60 euro (bileta falas për personat shoqërues)

Çmenduri, një biletë shkon 8 mijë euro!

Në faqe të specializuara për shitjen e biletave, çmimi varion nga 854 deri në 5000 euro. Portali livefootballticket bënte të ditur se kishte në dispozicion 1182 bileta, duke filluar nga 854 euro. Në eBay çmimi shkon edhe në 8000 euro vetëm për një biletë. Ndërkohë në Kardif është e pamundur të gjesh një dhomë të lirë nëpër hotele – edhe nëse gjen, ato mund të arrijnë deri në 8000 euro nata. Në qytet gjithë vendet janë të zëna, dhe çmimi i një tende arrin 2 mijë euro. Duhet të shmangen website-t online ku kanë dalë në shitje disa nga 5.500 biletat e vëna në dispozicion përmes shortit nga UEFA, me çmime të kripura që variojnë nga 1200-4500 euro.

Dy finalistet

Real Madrid synon të bëhet ekipi i parë në historinë e UEFA Champions League (duke filluar nga viti 1992, para këtij viti, quhej Kupa e Kampioneve) që e fiton këtë kompeticion dy herë radhazi, dhe të thellojë rekordin duke fituar trofeun e 12.

Në vitin magjik për tifozët e Juventusit, me mundësinë e arritjes së tripletës (Seria A, Kupa e Italisë dhe Champions League), problemi tashmë është gjetja e një bilete për finalen e Champions League më 3 qershor.

Herën e fundit, dy vjet më parë në Berlin, në finalen kundër Barcelonës, ky shërbim iu besua, mes polemikash, një agjencie udhëtimesh që vuri në dispozicion paketa të plota të kushtueshme. Kjo gjë inatosi shumë tifozë, por në rastin e Kardifit, qytet që ka vetëm 45 struktura hoteliere, kjo mund të jetë e vetmja rrugë.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz