Festat lokale do të shtrihen gjithë sezonit turistik, jo vetëm në bregdet por në cdo zonë me potencial zhvillimi turistik. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi nga festa e luleshtrydhes në Frakull të Fierit, theksoi se çdo aktivitet që promovon produktet simbol të zonës, kulinarinë, traditat, kulturën dhe natyrën shqiptare është një formë e mirë e promovimit dhe zhvillimit të turizmit jo vetëm për turistët vendas, por edhe të huaj.
Kreu i Turizmit dhe Mjedisit u shpreh se festa të tilla do të organizohen gjatë gjithë sezonit dhe do të mbulojnë të gjithë territorin e Shqipërisë për të ofruar në këtë mënyrë për të gjithë turistët, një alternativë më shumë se turizmi i detit. Bashkia e Fierit është një nga bashkitë avangardë në promovimin e vlerave të zonës dhe ministri Klosi siguroi se ide kreative si këto festa, do të mbështeten edhe në të gjithë vendin Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi garantoi ministrin Klosi se festa të tilla do të vijojnë për të promovuar produktin simbol të zonës por edhe trashëgiminë e traditat.
Ministri Klosi, kryebashkiaku Subashi, deputetë të zonës dhe zëvendësministri i Bujqësisë, Dhimo Kote, inaguruan hapjen e festës me prerjen e tortës festive dhe më pas vizituan panairin ku luleshtrydhja ishte simbol i gatimeve apo pijeve por edhe simbol i festimeve në qendër të Frakullit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.