Kolaudimi i pompave të karburanteve, tjetër taksë në horizont

19/02/2019 4:45 PM 0 komente

Shtatorin e vitit të shkuar, Ministria për Financat dhe Ekonominë do të hapte një procedurë prokurimi, që kishte në fokus kontrollin ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm. Bëhej fjalë për koncesionin 20-vjeçar të kolaudimit të pompave të naftës në stacionet e shitjes së karburantit i cili erdhi si rezultat i një oferte të pakërkuar. Kompania “Noa Control” përmes një projekti pranë Ministrisë së Ekonomisë kërkoi të merrte kolaudimin e pompave të karburanteve për 35 vjet, një shërbim që aktualisht sot e kryen Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë. Në mes të vitit të shkuar ishte pikërisht kjo kompani që u shpërblye nga qeveria me një bonus prej 10 pikësh. Kjo do të thotë se në garën e hapur në shtator 2018 kompania hyri duke pasur avantazh në raport me konkurrentët, me të paktën 10 pikë më shumë. Por nga hapja e procedurës për dhënien e koncesionit e deri më sot duket se pati një sërë zhvillimesh dinamike, që lidheshin e pezullimin e saj e së fundmi, me autorizim për vijim nga e para.

 

Procedura u ankimua nga “Penzoil”, zviceranët: Kushtet përjashtuese

Vetëm 10 ditë nga hapja e garës për koncesionin, një kompani zvicerane e interesuar dorëzoi pranë Komisionit të Prokurimit Publik një ankimim. Sipas saj, kushtet e vendosura ishin diskriminuese dhe duhet të shiheshin nga ana e autoriteteve për të vënë kompanitë në kushte të barabarta. Të pyetur nga “Monitor” në atë kohë, përfaqësues të kompanisë theksuan se ishin në pritje të masave që do të merreshin nga KPP.

“Pasi mësuam për këtë koncesion, përmes faqes së Agjencisë së Përgjithshme të Prokurimeve në Shqipëri dhe duke pasur parasysh që ne bashkëpunojmë me kompani ndërkombëtare në këtë sektor, kemi shprehur interesin tonë për të marrë pjesë në këtë procedurë. Gjithsesi, kur shqyrtuam dokumentacionin dhe kushtet për tenderin, pamë që ato shfaqnin diskriminim për kompanitë e interesuara, sidomos për ato ndërkombëtare. Në bazë të kësaj kërkuam që autoritetet kompetente (Komisioni i Prokurimit Publik) të vendoste tenderin në baza më të barabarta. Druhemi se s’mund të japim detaje të tjera për momentin, pasi kërkesa jonë është nën vlerësim nga autoritetet kompetente” thuhet në përgjigjen e Penzoil Trading SA. Në të vërtetë, nga data 28 shtator 2018 e deri në datë 6 shkurt 2019, nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik nuk u bë publik një vendim, duke e lënë procedurën të pezulluar ashtu sikurse u vendos që në ditët e para të ankimimit nga zviceranët. Kjo bëri që kompania që kishte ofertën e pakërkuar të kërkonte me ngulm një përgjigje zyrtare, që do të bënte hapjen e procesit për koncesionin.

 

KPP i dha të drejtë Ministrisë së Financave, koncesioni mbetet në fuqi

Me një vendim të datës 7 shkurt 2019, Komisioni i Prokurimit Publik autorizoi Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë që të vijojë me procedurën e koncesionit për kolaudimin e pompave të gazit. Ky komision rrëzoi kërkesën e Penzoil, duke argumentuar se kushtet e vendosura nga ministria i shërbenin procedurës.

“Komisioni i Prokurimit Publik, gjykon se, kriteret për kualifikim vendosen që t’i shërbejnë autoritetit kontraktues për njohjen e gjendjes dhe kapaciteteve të operatorëve ekonomikë, të cilët, nëpërmjet dokumentacionit të paraqitur duhet të vërtetojnë se zotërojnë kualifikimet e nevojshme teknike, profesionale, kapacitetet organizative, makineritë, pajisjet e asete të tjera fizike, reputacionin dhe besueshmërinë, përvojën e duhur, si dhe personelin e nevojshëm, gjithçka në funksion të realizimit me sukses të kontratës.

Gjithashtu, bazuar në legjislacionin për prokurimin publik në fuqi, përcaktimi i kërkesave dhe kritereve për kualifikim, si dhe përcaktimi i specifikimeve teknike, duhet të jetë i saktë, i qartë, në mënyrë që edhe operatori ekonomik të bazohet në të dhëna të sakta gjatë hartimit të ofertës së tij”, thuhet në dokumentin e miratuar nga KPP. I njëjti autorizon Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, që të vijojë me koncesionin dhe se nëse ka ankimime të tjera për këtë vendim, ato mund të bëhen në Gjykatën Administrative të Shkallës së parë në Tiranë.

 

Tjetër taksë te karburanti, nëse qeveria vendos të rishpallë garën

Pas bekimit të dhënë nga Komisioni i Prokurimit Publik për vijimin e garës për dhënien me koncesion të shërbimit të kolaudimit të pompave, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë i mbetet që ta bëjë atë efektive. Në faqen e Agjencisë së Përgjithshme të Prokurimit, aktualisht mbetet ende në sistem procedura e vjetër e cila rezulton e pezulluar. Është në dorën e Ministrisë së Financave që të riaktivizojë në sistem procedurën duke vendosur afatet e reja. Por cili është në fakt projekti që ka paraqitur “Noa Control” dhe që është në avantazh në këtë garë. Kompania synon që të ofrojë shërbimin e kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm. Ky shërbim sot ofrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë. Kompanitë e tregtimit të naftës llogarisin se kostoja vjetore e këtij shërbimi për një pompë në vit është më shumë se 100 euro. Kalimi i këtij shërbimi tek privati, përmes koncesionit, devijon mes 50-60 milionë euro gjatë gjithë periudhës së koncesionit 20-vjeçar. Nga ana tjetër, kalimi i shërbimit tek privati nuk është shoqëruar me shkrirjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, që do të thotë se kjo e fundit do të vijojë të funksionojë. Kompania në ofertën e saj të pakërkuar parashikon një investim rreth 600 mijë euro, në funksion të ofrimit të shërbimit, një kosto kjo minimale në raport me qarkullimin që do të ketë ajo gjatë koncesionit. Sigurisht ajo që mbetet e paqartë është kostoja me të cilin do të ofrohet shërbimi nga privati që sigurisht, si në çdo garë koncesioni, tarifa është pjesë e vlerësimit me pikë. Cilado qoftë ajo për koncesionin, do të ketë fitim të garantuar, kompanitë e sektorit do ta paguajnë duke e shtuar këtë detyrim tek fatura e konsumatorit fundor.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of