Përpjekjet e vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë për të nxitur huadhënien në ekonomi, përmes bërjes më të lirë të kostos së parasë nuk kanë arritur të japin efekt.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se stoku i huasë për ekonominë, në fund të dhjetorit ishte 546.7 miliardë lekë, nga 567.8 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Negativisht këtu ka ndikuar dhe fshirja e huave, një proces që intensifikohet gjithnjë në muajt e fundit të vitit. Rënia më e madhe e stokut ishte në dhjetor me 5.6 miliardë lekë.
Janari ka vijuar me tkurrje, teksa stoku ka zbritur në 545 miliardë lekë.
Reduktimi i huasë rezulton të ketë ardhur tërësisht nga valuta, e cila është kryesisht në euro. Sipas statistikave, stoku i kredisë në valutë në janar 2017 ra me 6.3% në 286 miliardë lekë.
Në të kundër huaja në lekë është gjallëruar si rrjedhojë e dy faktorëve. Interesat e huave në lekë kanë qenë më të favorshme, pasi ato kanë zbritur në 8-9% dhe nga ana tjetër, vetë bankat kanë orientuar kredinë në monedhën vendase, për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit.
Kredia në lekë është rritur me gati 9% me bazë vjetore në janar, për të arritur në 258.7 miliardë lekë.
Pesha e huasë në valutë ka rënë ndjeshëm, në 52.5% të totalit në janar 2017, nga 56.2% në të njëjtën periudhë dhe shumë larg prej 70% që ajo zinte në vitet e arta 2008-2010, kur huaja për ekonominë rritjet me ritme dyshifrore, dhe ka pasur vite kur i kalonte dhe 50 zgjerim.
Rritja e vazhdueshme e kredive me probleme, që i bëri bankat më të kujdesshme, ngadalësimi i ekonomisë, maturimi i shumë sektorëve janë disa nga arsyet kryesore të ngërçit të kreditimit vitet e fundit. Në 2015, rritja vjetore e kredisë ishte negative prej -2.4%.
Bankierët pohojnë se një tjetër faktor është dhe klima e rënduar politike në vend, që ka stepur bizneset, të cilët hezitojnë të marrin kredi për të investuar. Nga ana tjetër, edhe vetë bankat janë në pritje të zhvillimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.