Zhvlerësimi i euros kundrejt valutave të tjera po ndikon besimin për të dhënë kredi të disa emetuesve në pjesën tjetër të Europës, me emetuesit me bazë në Kroaci, të cilët janë më të prekurit ndaj trendit të monedhës, referon agjencia e vlerësimit të kredisë “Moody’s” në raportin e saj të fundit.
Raporti fokusohet në ekonomitë e mëdha, përfshirë emetuesin kombëtar, të korporatave dhe bankave, në Europën Perëndimore dhe Qendrore dhe Lindore (EQL).
“Për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, monedhat lokale janë dobësuar së bashku me euron, gjë që rezulton në barrë më të madhe të borxhit për vendet që kanë sasi të mëdha borxhi në monedhë të huaj jo-euro”, thotë Marie Diron, zv.president për politikën e kredive në Moody’s.
“Në nivelin kombëtar, ndër vendet më të mëdha të EQL, Kroacia është më e ekspozuar ndaj rritjes në koston e borxhit në monedhë të huaj jo-euro. Megjithatë për korporatat, rritja e kostos së këtij lloj borxhi është shumë e vogël”, shtoi ajo.
Agjencia vuri në dukje se rreth 40% e borxhit të qeverisë kroate është në dollarë amerikanë, ndryshe nga Bullgaria dhe Republika Çeke, ku gati i gjithë borxhi i tyre është ose në monedhën vendase, ose në euro.
“Zhvlerësimi i kunës po udhëheq drejt kostove më të larta të shërbimit të borxhit, edhe pse rreziku i rifinancimit po zbutet nga fakti se një pjesë e madhe e këtij borxhi është në pronësi të banorëve, një segment zakonisht më pak i paqëndrueshëm i investitorëve”, thotë raporti.
“Moody’s” paralajmëron se familjet kroate dhe polake po përballen me rritje të lartë në koston e borxhit për shkak të shumave të konsiderueshme të kredive hipotekore në franga zvicerane, e cila do të përkthehet në rritjen e kostos në servirjen e këtyre hipotekave. “Si rezultat i kësaj, ndikimi i familjeve mund të rritet, gjë e cila do të rrisë ndjeshmërinë e familjeve ndaj goditjeve të ardhshme negative”.
Nga ana tjetër, agjencia përmend Hungarinë, ku pjesa e kredive hipotekore në valutë të huaj në zotërim të familjeve hungareze janë reduktuar në masë të madhe pas përfundimit të planit të konvertimit të kredive hipotekore në fillim të këtij viti.
“Moody’s” tha se emetuesit me bazë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Zvicër po përballen me pak presion. “Ndërsa një euro më e dobët mund të ushtrojë presion mbi konkurrencën e çmimeve të eksportit në Britani të Madhe dhe Zvicër, ne presim që krediti të ketë ndikim të kufizuar”, tha Diron.