Pas Brexit, cilat janë marrëveshjet që negociuesit duhet t’i japin më shumë prioritet?Por më emergjente sesa nënshkrimi i marrëveshjeve të reja është mbrojtja e atyre ekzistuese
Mbështetësit e Brexit ëndërrojnë të lirohen njëherë e përgjithmonë nga prangat e Bashkimit Europian, duke imagjinuar negociatorët e zjarrtë britanikë që të nënshkruajnë marrëveshje të reja tregtare me Amerikën, Kinën dhe Indinë.
Por realiteti është disi ndryshe në krahasim me imagjinatën e tyre, shkruan The Economist.
Britania tashmë ka rreth 40 marrëveshje të tregtisë së lirë nëpërmjet anëtarësimit të saj në BE.
Ruajtja e marrëveshjeve nuk ka të njëjtën rëndësi si ajo që mund të ketë nënshkrimi i një marrëveshjeje të re, por është një prej detyrave më emergjente të Britanisë.
Së bashku, këto marrëveshje mbulojnë vendet që marrin rreth 16% të eksporteve të Britanisë dhe që dërgojnë 6% të importeve të saj. Qeveria britanike dëshiron t’i mbajë të gjitha ato, dhe këmbëngul se kjo nuk është më shumë se një ushtrim teknik. Por zgjidhja e marrëveshjeve që kanë zgjatur më shumë se 75 vjet për t’u negociuar nuk do të jetë e lehtë. Teksa momenti i largimit po afrohet, qeveria mund të detyrohet që t’u japë prioritet atyre çështjeve që ajo i konsideron si më të rëndësishme.
Numri i këtyre marrëveshjeve sigurisht që ka rëndësi sepse edhe pas BE-së, pesë partnerët kryesorë të eksportit të Britanisë së Madhe me të cilët ajo ka marrëveshje tregtare janë Zvicra, Japonia, Kanadaja, Singapori dhe Koreja e Jugut. Marrëveshjet ekonomike me vende si Algjeria, Gjeorgjia apo Tunizia kanë rëndësi të madhe politike, por prishja e tyre do të ndikonte negativisht vetëm te pak eksportues britanikë.
Flukset e mëdha tregtare mund të jenë rezultat i një marrëveshjeje të rëndësishme, që do të nxisin tregtinë. Michael Gasiorek dhe Peter Holmes nga Observatori i Politikës Tregtare në Universitetin Sussex të Mbretërisë së Bashkuar kanë llogaritur se vetëm 4 nga 100 mallrat kryesorë të Norvegjisë të importuara nga Britania do të përballen me tarifa në mungesë të marrëveshjes, krahasuar me 67 nga Turqia.
Megjithatë, studiuesit kanë krijuar një mënyrë të re matjeje të rëndësisë së një marrëveshjeje, si pjesë e projektit të Hartimit të Marrëveshjeve Tregtare së bashku me Institutin e Tregtisë Botërore, me seli kryesore në Bernë. Ato përbëjnë një maksimum prej shtatë karakteristikash kryesore të një marrëveshjeje tregtare, duke përfshirë shkurtimet e tarifave; liberalizimin e shërbimeve; rregullat e investimeve; njohjen e standardeve; liberalizimin e prokurimit publik; rregullat për konkurrencën dhe të drejtat mbi pronësisë intelektuale.
Bazuar në këtë logjikë, marrëveshjet më të rëndësishme me Kanadanë, Korenë e Jugut dhe Vietnamin do të ishin më keq në rast se do të prisheshin, në krahasim me ato më të vogla siç është ajo me Turqinë, ku marrëveshja e kësaj të fundit me BE-në i përjashton shërbimet.
Nëse bizneset britanike nuk do të këmbëngulin për t’i ruajtur këto marrëveshje, kjo është pjesërisht për shkak se ato mendojnë se qeveria britanike duhet të japë prioritet marrëveshjes së saj me BE-në, shprehet Allie Renison nga Institute of Directors, një grup lobues për bizneset.
Disa sektorë janë të shqetësuar rreth marrëveshjeve të veçanta që shtrihen përtej kësaj.
Prodhuesit e makinave, për shembull, mbështeten në dërgimin e pjesëve të makinave në dhe nga Turqia, nën tarifat e bashkimit doganor, si dhe panë trefishim të vlerës së eksporteve të tyre në Korenë e Jugut në pesë vitet e para pas zbatimit të marrëveshjes në vitin 2011. Eksportuesit e kimikateve, të cilat përbëjnë më pak se 10% të eksporteve te partnerët e BE-së, janë të prirë për të ruajtur marrëveshjet e Britanisë me Zvicrën dhe Korenë e Jugut.
Asnjë proces nuk do të jetë aq i thjeshtë saqë thjesht të përfshijë zëvendësimin e referencave të BE-së me ato në Britani. Marrëveshjet që Britania dëshiron që t’i përkthejë janë të bazuara në ligjin europian dhe kanë përmbajtje europiane.
Por negociatorët tregtarë të Britanisë mund të zgjedhin që t’u japin prioritet edhe marrëveshjeve që janë më të lehta për t’u arritur. Por të gjitha do të jenë të vështira në përgjithësi, pa e ditur ende se cila do të jetë marrëdhënia përfundimtare e Britanisë me BE-në, por supozohet se më e ndërlikuara do të jetë ajo me partnerët më të afërt tregtarë të BE-së, si Zvicra dhe Norvegjia.
Marrëveshjet e tyre cilësohen si “marrëveshje të gjalla”, të cilat sigurojnë akses në shumë fusha të tregut të BE-së, duke iu përmbajtur fort rregullave të saj. Mbajtja e lidhjeve të ngushta tregtare me ta do të thotë të qëndrosh ende pranë BE-së.
Tani për tani, qeveria britanike duket e sigurt se nuk do t’i duhet të bëjë zgjedhje të tilla. Së fundmi, Greg Hands, Ministri i Tregtisë Ndërkombëtare, siguroi komisionin e zgjedhur për tregtinë se nga 70 shtetet me të cilat qeveria kishte diskutuar, asnjë prej tyre nuk ishte shprehur se kishte ndonjë interes në ngritjen e barrierave të reja tregtare me Britaninë. Por nga tani e deri në mars të 2019-s, është një kohë e gjatë dhe mund të pritet gjithçka.