Barcelona sheh drejt së ardhmes, por nuk i ndal sulmet në drejtim të Paris Saint Germain pas transferimit të Neymar.
“Neymar është tashmë e shkuar, Barcelona sheh drejt së ardhmes”. Kështu është shprehur presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, pas largimit të sulmuesit brazilian në Francë, për 222 milionë euro. Por para se ta mbyllë njëherë e mirë çështjen e transferimit më të nxehtë të kësaj vere, presidenti i blaugranave konfirmon: “E kemi denoncuar në UEFA këtë transferim. Jemi kundër inflacionit artificial në futboll dhe dëshirojmë që ta mbrojmë këtë sport”.
Bartomeu flet për herë të parë për çështjen Neymar, me rastin e Kongresit Botëror të Tifozëve të Barcelonës. “Dëshiroj të flas për të ardhmen, por së pari duhet të mbyllim një kapitull të së shkuarës. Neymar ishte pjesë e klubit tonë, por sot është histori. Është vendimi i tij, edhe pse bëmë gjithçka që kishim mundësi që ai të qëndronte” – theksoi presidenti i Barcelonës.
“E respektojmë vendimin e tij – shtoi Bartomeu. Por gjithçka ka një limit dhe asnjë lojtar s’mund të jetë mbi Barçën. Barcelona është një klub me 118 vjet histori, me lojtarë të mëdhenj dhe me më shumë se 140 mijë anëtarë. Ajo na përket ne dhe tifozëve tanë – dhe jo një sheiku apo oligarku”.
“Betimi i besnikërisë së Leo Messi duhet të jetë një shembull, po ashtu edhe Andres Iniesta – u shpreh presidenti Bartomeu. – E kishim parashikuar mundësinë e largimit të Neymar, ndaj edhe vendosëm klauzolën e blerjes prej 222 milionë eurosh”.
“Tani jemi duke punuar për të gjetur zëvendësuesin e tij. Do të marrim lojtarë të tjerë. I pari ishte Semedo, por natyrisht klubit do t’i bashkohen dhe shumë të tjerë”.
Sa i përket situatës ekonomike të Barcelonës, Bartomeu nuk sheh probleme. “Kemi gjeneruar një qarkullim të ardhurash më shumë se 700 milionë euro dhe një fitim prej 18 milionë eurosh, borxhet kanë rënë në kuotën e 247 milionë eurove. Edhe revista Forbes na rendit në vend të dytë ndër klubet me vlerën më të lartë, pas Manchester United”.