Pensionet e ushtarakëve, ato suplementare por dhe pensionet për kategoritë e veçanta, si minatorët, naftëtarët dhe akademikët do të ndryshojnë në shtator. Ministri për Mirëqenien Sociale dhe Rininë, Erjon Veliaj deklaroi dje në Komisionin e Ligjeve se në kuadër të kësaj reforme do të ketë dhe ndryshime në 4 apo 5 ligje të tjera. Pohimet e tij u bënë gjatë diskutimeve të reformës në pensione, ligji bazë mbi të cilin do të bëhet dhe çdo ndryshim tjetër. Ministri sqaroi me detaje ndryshimet në ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” por dhe të nxjerrjes së skemës nga gropa e madhe financiare e trashëguar.
Ndryshimet ligjore
“Në vjeshtë ne do të kemi një paketë me 4 apo 5 ligje të tjera ku do të jetë ligji për pensionet suplementare shtetërore, për ushtarakët, për profesorët dhe trajtimet e veçanta. Çka nënkupton se mbi këto themele ne do të ndryshojmë gamën, pra do e zgjerojmë apo ngushtojmë sipas diskutimeve. Nëse do ketë dhe ligje të tjera siç është ligji për naftëtarët ne do ishim të gatshëm gjatë verës të punonim për të pasur një draft dhe për atë kategori”, – paralajmëroi Veliaj ndryshimet ligjore në nisje të sesionit të ri parlamentar. Pohimi i tij u bë pas shqetësimit të anëtarëve të Komisionit të Ligjeve për ndryshimet që sjell reforma tërësore në pensione. Madje deputeti socialist Bashkim Fino deklaroi se ndoshta zgjidha më e mirë do të ishte propozimi i një pakete të plotë. Ligjvënësi socialist theksoi gjithashtu domosdoshmërinë që ligji i ri të bëjë kategorizime.
“Kolegët këtu bënë sugjerime të ndryshme por unë mund të them se deputetët dhe gjithë njerëzit kushtetues siç e thotë ligji, janë shumë të rregullt me pagesën e sigurimeve shoqërore, atëherë nga kjo skemë duhet që të stimulohen. Nëse profesioni im është politika dhe deputetllëku që kam prej 17 vjetësh, do të thotë që nëse nuk stimulohem pse duhet ta votoj? Po nuk zgjidha problemet e mia personale nuk mund të zgjidh problemet e dikujt tjetër” – theksoi ai. Në përgjigje të këtij shqetësimi ministri Veliaj theksoi se ligji i ri është ngritur mbi parimin e këtij kategorizimi. “Ne kemi gjykuar se si çdo shtëpi ka nevojë për themele të forta dhe ky është ligji bazë që ndryshon formulën, nuk merret me kategori të veçanta. Formula është mbi bazën e parimit që të shkojë haku tek i zoti, ndërtohet mbi këtë bazë, ndërkohë që të drejtat e fituara nuk humbasin. Unë personalisht gjykoj se duhet të ketë diferencë dhe midis këtyre grupeve. Për shembull, një deputet karriere duhet të ketë të drejta më shumë sesa një deputet që është vetëm një herë në parlament dhe me ligjin aktual i merr thuajse të gjitha të drejtat dhe me një mandat. Gjykoj se duhet trajtuar ndryshe dikush që me politikën jeton dhe një tjetër që ka vetëm një moment angazhimi”, – tha ai.
Skema e re
Duke u ndalur tek skema aktuale e pensioneve, deputeti Llambi Subashi pyeti ministrin Veliaj lidhur me deficitin e deritanishëm dhe masat për ta reduktuar atë. “Sot që flasim sa është deficiti i skemës së pensioneve dhe kur do reduktohet ky deficit? Sot janë 450 mijë pensionistë me pension pleqërie. Me këtë ligj do ndryshojë masa e pensionit për ta?”, pyeti Subashi. Në përgjigje të tij, ministri Veliaj tha se parashikohet një përmirësim i nivelit të deficitit. “Në çdo vit kemi më shumë subvencion për pensionet, kjo është situata sot. Nga viti i parë ne parashikojmë përmirësim 4 deri 7 milionë dollarë, por në vitin 2045 do kemi përmirësim të deficitit”, tha ministri Veliaj. Ndërsa deputeti i LSI-së, Petrit Vasili u ndal tek skema e kontributeve shoqërore dhe tek pagesa e lejes së lindjes. “Sa i takon 63-ditëshit të barrës, asistohet fëmija jo prindi. Kjo leje është e pamjaftueshme ndaj propozoj rritje”, – tha Vasili. Por sipas ministrit Veliaj, leja e lindjes është rritur nga 42 në 63 ditë. “Leja e lindjes është detyruese 63 ditë për nënën ndërsa pjesa tjetër e 300 ditëve është opsionale dhe zgjedh nëse do ja kalojë burrit apo do ta mbajë për vete”, – tha ai. Me këto diskutime u mbyll diskutimi në parim i projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Debate për lejen e lindjes dhe kategorizimin e pensioneve
Erjon Veliaj: Leja e lindjes është 363 nga të cilat 63 ditë janë detyrim për gruan ndërsa 300 ditë opsionale burri ose gruaja. Për këtë çështje jemi konsultuar me ILO-n, ka qenë një kërkesë e përsëritur e tyre.
Petrit Vasili: Duhet parë me kujdes kjo çështje. Ju vërtet thoni përafrimi dhe jeni në rregull me përafrimin por me lejen asistohet fëmija jo nëna. Kjo leje është e pamjaftueshme për këtë nivel varfërie që ne kemi. Kam sugjerim dashamirës për rritjen e kësaj lejeje.
Erjon Veliaj: Ne nuk e kemi ulur lejen, ne e kemi rritur.
Petrit Vasili: E pranoj që e keni rritur por të shikojmë mundësinë për ta rritur më shumë.
Bashkim Fino: Sa prek ky ligj shtresa të caktuara për shembull, ishushtarakët, policët, akademikët apo deputetët profesionistë? Kolegët këtu bënë sugjerime për nenin 4 por unë mund të them se deputetët dhe gjithë njerëzit kushtetues siç e thotë ligji, janë shumë të rregullt me pagesën e sigurimeve shoqërore atëherë nga kjo skemë duhet që të stimulohen. Nëse profesioni im është politika dhe deputetllëku që kam prej 17 vjetësh, do të thotë që nëse nuk stimulohem pse duhet ta votoj sepse po nuk zgjidha problemet e mia personale nuk mund të zgjidh problemet e dikujt tjetër? Mos duhej që kur sillni një ligj kaq të rëndësishëm kjo të shoqërohej me një paketë në tërësi të ligjeve të tjera sepse shumë nga pyetjet do ishin ezauruar nëse ky projektligj do ishte bashkangjitur me disa nga ligjet që ju thoni do na i sillni në shtator?
Erjon Veliaj: Sa u përket shtresave të ndryshme, ne kemi gjykuar se si çdo shtëpi ka nevojë për themele të forta dhe ky është ligji bazë që ndryshon formulën, nuk merret me kategori të veçanta. Formula është mbi bazën e parimit që të shkojë “haka tek i zoti”, ndërtohet mbi këtë bazë ndërkohë që të drejtat e fituara nuk humbasin. Unë personalisht gjykoj se duhet të ketë diferencë dhe midis këtyre grupeve. Për shembull një deputet karriere duhet të ketë të drejta më shumë sesa një deputet që është vetëm një herë në parlament dhe me ligjin aktual i merr thuajse të gjitha të drejtat dhe me 1 mandat. Gjykoj se duhet trajtuar ndryshe dikush që me politikën jeton dhe një tjetër që ka vetëm një moment angazhimi.
Fatmir Xhafaj: Cilat ligje do preken dhe sa ato iu janë nënshtruar debateve sepse vetëm Gjykata Kushtetuese ka 6 vendime tre nga të cilat lidhen me pensionet?
Erjon Veliaj: Në vjeshtë ne do të kemi një paketë me 4 apo 5 ligje të tjera ku do të jetë ligji për pensionet suplementare shtetërore, për ushtarakët, për profesorët dhe trajtimet e veçanta. Çka nënkupton se mbi këto themele ne do të ndryshojmë gamën, pra do e zgjerojmë apo ngushtojmë sipas diskutimeve. Nëse do ketë dhe ligje të tjera siç është ligji për naftëtarët ne do ishim të gatshëm gjatë verës të punonim për të pasur një draft dhe për atë kategori.
Marrëveshje ndërshtetërore për pensionet e emigrantëve
Marrëveshjet dypalëshe me shtete të ndryshme janë zgjidhja që ofron qeveria për emigrantët. Në përgjigje të shqetësimeve të kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj për pensionet e emigrantëve ministri Veliaj shpjegoi se në këtë kuadër në këto 300 ditë është bërë punë më e madhe se në 8 vite. “E kemi miratuar në parlament marrëveshjen me Belgjikën, kemi mbyllur marrëveshjen me Hungarinë, Çekinë, Rumaninë, Maqedoninë, Luksemburgun dhe sapo kemi përfunduar marrëveshjen teknike me Kanadanë. Ajo që jemi mundur të bëjmë është të përfitojmë nga këto marrëveshje dhe në mënyrë indirekte.
Për shembull nëse dikush ka punuar në Belgjikë, vend me të cilin ne kemi tashmë marrëveshje, automatikisht ne njohim dhe periudhën e punës në këto vende me të cilat Belgjika ka marrëveshje edhe pse ne mund të mos kemi. Disa vende që janë në situatë të mirë ekonomike si Austria apo Gjermania pranuan të negociojnë në këtë kuadër, ndërkohë është pak më e vështirë situata me Italinë dhe Greqinë ndaj po mundohemi të mbulojmë sa më shumë territor. Me Italinë marrëveshja ka më shumë progres, ne po bëjmë një analizë të pretendimeve tona ndërsa Italia ka një interes të veçantë sepse vetëm vitin e fundit ne kemi dhënë 19 mijë leje pune për qytetarë italianë. Pra tashmë bëhet fjalë për një reciprocitet”, – sqaroi ministri. Ai shtoi se me ndryshimet vitet maksimale të kontributeve rriten duke bërë që asnjë vit pune mos shkojë dëm për emigrantët.
/Shekulli
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.