Ndonëse të punësuarit në sektorin privat jo bujqësor janë gati dyfishi i atyre që punojnë në shtet, ata kanë paguar rreth 13% më pak tatim mbi të ardhura në vitin 2013, sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Financave.
Në fund të vitit 2013, sipas INSTAT, ishin të punësuar në sektorin privat jo bujqësor 311,668, me një rritje prej 12% në raport me fundin e 2012-s.
Në shtet, numri i të punësuarve në fund të 2013-s ishte 164,000, i pandryshuar në raport me dhjetorin 2012.
Sipas statistikave të Ministrisë së Financave, të punësuarit nështet paguan në vitin 2013 rreth 9.34 miliardë lekë tatim mbi të ardhura, 4.1% më shumë se nj vit më parë.
Sektori privat jo bujqësoi kontribuoi me 8.1 miliardë lekë në 2013-n, me një rënie prej 11.9% me bazë vjetore, ndonëse të dhënat e INSTAT tregojnë rritje të të punësuarve me 12% për të njëjtën periudhë kohore.
Financat: rënia e të ardhurave nga privati nga informaliteti
Sipas raportit të buxhetit faktik të vitit 2013, Tatimi mbi të Ardhurat Personale përbën një nga dy taksat (bashkë me Akcizën) që performuan pozitivisht gjatë 2013, krahasuar me një vit më parë (rritje vjetore 5.6 për qind). Të ardhurat gjithsej nga TAP për vitin ishin 29.6 miliardë nga 28.4 miliardë të planifikuara, ose 4.1 për qind më shumë. Brenda këtij grupi tatimesh, vetëm tatimi mbi pagat e sektorit privat ka dhënë më pak të ardhura se një vit më parë .
Pozitive është ecuria e tatimit mbi pagat në sektorin shtetëror, e cila ka pësuar një rritje prej 4.1 % në krahasim me një vit më parë (kjo si pasojë e rritjes së pagave në mesin e vitit 2013, edhe pse numri i subjekteve tatim-paguese për këtë kategori ka rënë me 3 % krahasuar me vitin 2013). Ecuria negative e mbledhjes së tatimit mbi pagat në sektorin privat, që shënon ulje vjetore prej -11.9 %, është pasojë e:
• reduktimit të numrit të subjekteve tatim-paguese me -6.6 % krahasuar me vitin 2013 ose 1,803 njësi në total ;
• uljes së deklarimeve të pagave (në vijim të shfuqizimit në fund të vitit 2012 të pagave referuese);
• rritjes së pragut të përjashtimit nga TAP për pagat, nga 10 000 në 30 000 lekë (efekti i vlerësuar i këtij ndryshimi që hyri në fuqi në mesin e vitit 2013 ishte rreth 1.4 miliardë lekë për të gjitha pagat ).
Të ardhurat nga interesat mbi depozitat dhe investimi në obligacione kanë pësuar një rritje prej 6.3% kryesisht nga interesat e depozitave bankare, të cilat zënë rreth 98.5 % të totalit, ndërsa të ardhurat nga interesat e bonove të thesarit zënë vetëm 1.4% të totalit. Të ardhurat nga dividentet kanë pësuar një rritje nominale prej 72.2 % në krahasim me një vit më parë (këtu ka ndikuar derdhja e dividendit nga shitja e tre hidrocentraleve kompanisë “Kurum” në mesin e vitit 2013, në shifrën rreth 400 milionë lekë). Tatimi mbi shitjen e Pasurisë se Paluajtshme (nga individët) ka pësuar një rritje prej 66.4% në krahasim me një vit më parë.