Projekti i parë, Rruga e Arbrit, përfundon për 44 muaj
Në qershor, Gjoka Konstruksion, e cila ishte kompania që fitoi garën për të zbatuar projektin e Rrugës së Arbrit, nisi zyrtarisht punimet. Gjoka fitoi garën e hapur për këtë projekt si i vetmi operator që plotësonte kushtet, ndërkohë që përveç saj morën pjesë edhe operatori ekonomik “Adem Pojani”, i cili u skualifikua, pasi nuk plotësonte asnjë nga kriteret e kualifikimit, si dhe operatori “Alb-Star” sh.p.k. që nuk plotësonte kriteret e kualifikimit dhe nuk paraqiti ofertë financiare.
Referuar projektit, gjatësia e aksit që nis në Tiranë dhe përfundon në Bllatë, sipas studimit të fizibilitetit do të jetë afërsisht 73.5 km. Ndërtimi pritet që të shkurtojë distancën mes Tiranës dhe Dibrës, me të paktën 40 minuta. Duke pasur parasysh terrenin dhe mënyrën sesi është konceptuar projekti, rruga kategorizohet si C2 dhe është projektuar me shpejtësi minimale 60 km/orë dhe maksimale 100 km/orë. Rruga ka si pjesë përbërëse Tunelin e Murrizit, me gjatësi 3.2 kilometra, por edhe pesë tunele të tjera të vogla do të ndërtohen për të shmangur kthesat, si dhe katër ura.
Kontrata parashikon që punimet të përfundojnë për 44 muaj, çka përkon me fundin e vitit 2021. Edhe pas përfundimit të punimeve, kompania nuk do ta dorëzojë rrugën, por do të vijojë të kryejë operimin dhe mirëmbajtjen gjatë viteve të koncesionit, ndërkohë që qeveria është angazhuar që të paguajë kompaninë për një afat 13-vjeçar.
Rruga e Arbrit ka një historik të gjatë zvarritjeje që nga koha e qeverisë “Berisha” dhe në disa pjesë të saj janë kryer punime. Sot, ky aks konsiderohet i përfunduar plotësisht në 20.12 kilometra të saj, me 15.1 kilometra shtesë të përfunduara pjesërisht dhe 26.3 kilometra të tjera për t’u ndërtuar sipas projektit ekzistues. Mungesa e fondeve, si dhe nevoja për ndryshim e projektit e lidhur kjo me pjesën e tunelit bënë që situata të mbetej në vendnumëro. Pak vite më pas, interes për ndërtimin e rrugës do të shfaqte një kompani kineze, China State Constuction. Kompania u angazhua për një kohë të gjatë me negociata me qeverinë por, në finale, nuk u arrit asnjë marrëveshje. Në atë kohë, arsyeja e tërheqjes së kinezëve do të cilësohej ngurrimi i qeverisë për të dhënë garanci për kompaninë. Kjo bëri që projekti të përfundonte si pjesë e paketës “1 miliard euro”.
Projekti Thumanë – Fushë-Krujë – Vorë – Kashar
Në prill të këtij viti, Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë do të hapte garën për procedurën e dhënies me koncesion/PPP Projektit të Rrugës Thumanë – Fushë-Krujë – Vorë – Kashar, me fond limit rreth 245.7 milionë euro. Si kompani që kishte paraqitur një ofertë të pakërkuar më herët, Gener 2 ishte shpërblyer me 8.5 pikë, çka do të thotë se në këtë garë, kompania është në avantazh në raport me të tjerat që e nisin nga zero. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se aktualisht ky institucion është në fazë vlerësimi, për ofertat e dorëzuara lidhur me këtë projekt. Rruga sipas projektit parashikohet të jetë 20.8 kilometra e gjatë dhe e kategorisë “A”.
Gjurma e saj nis nga Thumana, 150 metra në brendësi të autostradës ekzistuese me 4 korsi, që lidh Milotin me Thumanën në drejtim të Fushë–Krujës. Vijon me një djathtas dhe vazhdon e drejtë në fusha deri në afërsi të Fushë-Krujës. Më pas, me anë të një kthese të dyfishtë i afrohet Aeroportit të Rinasit. Gjurma e rrugës vazhdon në krahë të djathtë të rrugës automobilistike të Rinasit, deri në lidhjen e saj me Autostradën Tiranë-Durrës në Kashar (rreth km të 12 në drejtimin Tiranë -Durrës). Shpejtësia e projektuar për këtë rrugë është 140 kilometra/orë, ndërkohë që pjesë përbërëse e saj janë 14 nënkalime, 12 ura me gjatësi totale 4 kilometra, 3 mbikalime korsi emergjencash në secilën anë me nga 3 metra.
Gjerësia totale e rrugës parashikohet 28 metra. Objekti i kontratës me kompaninë, që do të dalë fituese nga gara, do të jetë i njëjtë si për Rrugën e Arbrit, duke ndjekur parimin “me çelësa në dorë”. Koncesionari do të kryejë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Thumanë – Fushë-Krujë – Vorë – Kashar, sipas standardeve të miratuara nga Autoriteti Kontraktues. Afati i koncesionit do të jetë 13 vjet. Pagesa e parë për kompaninë fituese të zbatimit të projektit të rrugës, nga ana e qeverisë, do të bëhet vetëm pasi të jenë kryer jo më pak se 25% e punimeve të rrugës.
Dhe projekti Thumanë-Kashar nuk është një projekt i palakuar më parë. Ai daton që në mandatin e parë të qeverisë “Berisha” kur një kompani e huaj u ofrua për ta ndërtuar këtë segment, por me kushtin që qeveria të dilte garant për të siguruar financimin. Në atë kohë, në korrespondencën mes ministrive, u ra dakord se nëse qeveria do të duhej të garantonte kompaninë e huaj, shumë mirë mund ta ndërtonte e vetme, duke kërkuar financim. Kjo bëri që kompania që shfaqi interes, të tërhiqej dhe projekti të lihej në harresë.
Projekti Milot-Balldren, kompania A.N.K merr bonusin
Në javën e fundit të qershorit, qeveria miratoi një bonus për kompaninë A.N.K sh.p.k., e cila ka paraqitur një ofertë të pakërkuar lidhur me ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, pjesë e programit të qeverisë “1 miliard euro për rindërtim”. Kompania është shpërblyer me 8.5% të pikëve, çka do të thotë se në momentin që do të hapet gara nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ajo do të hyjë me pikë ekstra në raport me konkurrentët e tjerë. Përfitimi i bonusit i hap rrugë tashmë procedurave të tjera, që lidhen me përgatitjen e dokumenteve specifike, hapjen e procedurës së prokurimit dhe më pas vlerësimin e ofertave deri në shpalljen e fituesit. Milot-Balldren është aksi më i shkurtër i planifikuar për t’u ndërtuar përmes paketës deri më tani, me vlerë të përafërt investimi prej 100 milionë eurosh.
Ajo është pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane, apo e njohur ndryshe si Korridori Blu. Vlerësohet si korridori që do të bëjë lidhjen nga Kroacia deri në Greqi, duke kaluar përgjatë bregdetit. Konkretisht, segmenti i propozuar Milot-Balldren përfshin ndërtimin e rrugës së re përgjatë aksit të rrugës ekzistuese nga Miloti deri në nyjen e rreth rrotullimit të Lezhës, duke bërë ngritjen e trupit të rrugës varion nga 0.5 metra deri në 0.8 metra nga niveli i rrugës ekzistuese. Më pas vijon me ndërtimin e aksit të ri rrugor, nga nyja e rreth-rrotullimit të Lezhës deri në hyrjen e tunelit në Balldren, duke kaluar përmes kënetës së Kune-Vainit si dhe ndërtimin e segmentit rrugor për të bërë lidhjen me rrugën ekzistuese në drejtim të Shkodrës.
Projekti përfshin ndërtimin e rrugëve sekondare dhe rrugëve ndërlidhëse të nyejve, me gjatësi të përafërt 9.5 kilometra, ndërtimin e interseksioneve dhe ndërhyrje në interseksionet ekzistuese për të bërë të mundur lidhjen e autostradës me zonat urbane, një tunel 850 metra të gjatë. Rruga është bërë pjesë e deklaratave sidomos gjatë turit të llogaridhënies së qeverisë, duke theksuar se investimi do t’i japë zgjidhje përfundimtare trafikut në zonën urbane të Lezhës dhe kryqëzimin me Shëngjinin, do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit në superstradën Shkodër –Tiranë.
Projekti parashikon që rruga të jetë e kategorisë A, me të paktën gjashtë korsi, dy prej të cilave janë korsi emergjence dy ura të reja të Drinit, me gjatësi 224 metra dhe Matit 620 metra. Shpejtësia e lëvizjes do të kufizohet mes 90-140 km/orë. Edhe për këtë rrugë, parimi është i ngjashëm lidhur me operimin dhe mirëmbajtjen, ku ndërtuesi do ta dorëzojë pas 13 vitesh.
Orikum-Himarë, “në start” faza e parë
Një nga rrugët më të lakuara ka qenë ajo Orikum-Himarë. Qeveria do të ndodhej përpara dy alternativave lidhur me lehtësimin e trafikut nga Vlora drejt Jugut të Shqipërisë, ku e para ishte rehabilitimi i plotë i rrugës, që kalonte nga Llogoraja. E dyta është një rrugë tërësisht e re, që përfshin edhe një tunel në përbërje të saj. Në fakt, u zgjodh varianti i dytë dhe në fund të qershorit, qeveria vendosi që të miratonte bonusin me 6% të pikëve për kompaninë Gjikuria sh.p.k. e cila ka bërë një ofertë të pakërkuar për segmentin nga Porti i Jahteve në Orikum deri tek Ura e Shën Elizës në Dukat. Kjo është faza e parë për këtë rrugë, e cila llogaritet me kosto 70 milionë euro, ku përfshihet ndërtimi, mirëmbajtja me kosto 50.5 milionë euro dhe interesat me rreth 19.5 milionë euro. Ende qëndron pezull pjesa që lidhet me fazën e dytë Orikum-Himarë, që përfshin edhe pjesën e tunelit të kësaj rruge, që mundëson shmangien e Llogorasë. Referuar të dhënave zyrtare, pjesa nga Orikumi në Dukat do të ketë një rrugë të kategorisë C2, në të cilën shpejtësia e projektuar e lëvizjes do të jetë mes kuotave 60-80 kilometra/orë sipas zonave ku kalon. Zgjerimi i korsive do të jetë 3.5 metra dhe bankinë e shtuar 1.25 metra. Aktualisht, rruga ekzistuese ka një gjerësi që varion mes 6-7 metra, por nuk përfshihet në asnjë kategori. Në total, gjatësia e segmentit nga Orikumi në Dukat është 15 kilometra, por kjo nuk përfshin pjesën nga Dukati në Himarë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tashmë duhet të hapë garën normale për këtë projekt, për të përzgjedhur fituesin.
Kardhiq-Delvinë del nga lista e “1 miliardëshit”, e ndërton buxheti
Në fillim të vitit, qeveria do të publikonte një listë me projektet e mundshme që do të ndërtoheshin përmes programit 1 miliard euro. Në këtë listë përfshiheshin edhe Kashar-Thumanë-Vorë, Rruga e Arbrit, Milot-Balldren, Orikum-Himarë, Kardhiq-Delvinë, spitali rajonal i Fierit, Shkolla Publike Tiranë. Por qeveria vendosi së fundmi që, aksi Kardhiq-Delvinë të dilte nga kjo listë, duke kaluar si një rrugë që do të financohej dhe ndërtohej nga buxheti i shtetit, sipas praktikës normale, duke mos përfshirë në këtë mes pjesën e koncesionit. Në total, rruga është e gjatë 32 kilometra ndërkohë që fondi limit i vënë në dispozicion pak muaj më parë nga ana e ARRSH-së ishte 7.2 miliardë lekë.
Punimet për këtë aks të rëndësishëm pritet që të nisin në vjeshtë, duke pasur parasysh të gjitha hapësirat që kërkon pjesa e vlerësimit të ofertave apo lidhjes së kontratës me kompaninë që do të shpallet fituese. Ndërhyrja do të bëhet në tre lote të segmentit Kardhiq-Delvinë, ndërkohë që rruga përfshin edhe një tunel 850 metra të gjatë.
“Kjo rrugë për dy-tre muaj do të fillojë punimet konkrete dhe për dy vjet Delvina e Saranda do të lidhen me Kardhiqin. Do të dalin shumë më shkurt në rrugën kryesore që të çon drejt Levanit e Tiranës. Pra, Kardhiq-Delvinë një investim i qeverisë shqiptare, më i madhi që ka parë ndonjëherë kjo zonë, janë 90 milionë euro dhe patjetër kjo rrugë do të sjellë zhvillim të madh ekonomik për Delvinën”, do të deklaronte pak kohë më parë, ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë, Damian Gjiknuri. Aktualisht, përveç pjesës së vlerësimit të ofertave të rrugësve në proces, është edhe supervizioni i punimeve për tre lotet.
Rruga e Arbrit
Kostoja – 240 milionë euro
Gjatësia – 73.5 kilometra
Kategoria e rrugës – C2
Gjerësia – 9.5 metra
Shpejtësia – 60-100 km/orë
Karexhata – 2 gjerësi 3.5 m secila
Bankina – 2 gjerësi 1.25 metra secila
Tunel 1 – gjatësi 3.2 kilometra
Tunele të vegjël – 5
Thumanë-Kashar
Kostoja – 244 milionë euro
Gjatësia – 21 kilometra
Kategoria e rrugës – A
Gjerësia – 28 metra
Shpejtësia – 90- 140/km orë
Korsi – 2 nga 3.75 metra për karexhatë
Korsi emergjencash – 3 metra në secilën anë
Nënkalime – 14 nënkalime
Lidhje me 34 rrugë dytësore
Ura – 12 me gjatësi totale 4 kilometra
Mbikalime – 3
Milot-Balldren
Kostoja – 100 milionë euro
Gjatësia 18.2 kilometra
Kategoria e rrugës – A
Gjerësia e rrugës – 29.5 metra
Shpejtësia e projektuar – 90-140 km/orë
Korsi kalimi – 2 me nga 3 metra
Korsi emergjence – 2
Rrugë sekondare ndërlidhëse – 9.5 km
Ura e Drinit – 224 metra
Ura e Matit – 620 metra
Tre ura të vogla
Tunel 1 gjatësi 850 metra
Orikum-Himarë
E ndarë në dy faza
Faza e parë – Orikum-Dukat
Kostoja për këtë pjesë – 70 milionë euro
Gjatësia – 15 kilometra (deri tek tuneli)
Kategoria e rrugës – C2
Shpejtësia – 60-100 km/orë
Karexhata – 2 nga 3.75 metra
Është dhënë bonusi 6% e pikëve
Oferta e pakërkuar “Gjikuria” sh.p.k
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.