Vijon sezoni i triumfeve për Real Madrid, të cilin vetëm finalja e Kupës së Mbretit, përballja Barcelona – Alaves të shtunën në stadiumin Vicente Calderon mund ta ndërpresë.
Dje merengues fituan La Liga-n me tre pikë avantazh ndaj blaugranave dhe tani synojnë fitoren e Champions League më 3 qershor përballë Juventus. Kjo është e treta herë në katër vjet që madrilenët arrijnë në finalen e Champions League.
Ndërkohë sipas një studimi të fundit në tregun spanjoll, Reali dominon ndaj Barcelonës edhe në komercializimin e produkteve të branduara.
Studimi i realizuar nga instituti AIMC tregon një tkurrje të tregut spanjoll sa i përket produkteve që lidhen me markën e futbollit.
9 për qind e të intervistuarve ka deklaruar se kanë blerë të paktën një produkt që lidhet me një klub të La Liga-s në vitin 2016. Sipas të njëjtit studim kjo shifër ishte 11,1 për qind në vitin 2014.
Shkak mund të jetë Kampionati Botëror, me Spanjën që pavarësisht se bëri një paraqitje të keqe, atë vit vinte në Brazil si kampione e botës në fuqi.
Më konkretisht, Real Madrid është lideri i tregut spanjoll sa i përket marketingut. Sipas të dhënave të AIMC Marche, 26,5 për qind e blerësve kanë blerë një produkt zyrtar të klubit madrilen.
Kjo do të thotë që një në katër persona ka blerë një produkt të klubit të Realit të Madridit (ky raport është një në pesë persona për klubin e Barcelonës). Ndërsa te klubi i Josep Maria Bartomeu kjo shifër arrin në 21,3 për qind. Siç shihet Real Madrid është ndjeshëm përpara Barcelonës. Në vend të tretë është Atletico Madrid me 12,5 për qind.
Surprizë në këtë studim, ndër gjashtë klubet e para, është Las Palmas me 3,9 për qind. Te ky rezultat i Klubit të Ishujve Kanarie, një faktor të rëndësishëm luan turizmi.
Sipas informacioneve të mediave spanjolle, klubi që drejtohet nga Florentino Perez thuhet se ka negociuar një marrëveshje të re me Adidas për 70 milionë euro në vit. Veç kësaj ka pasur edhe oferta nga sponsorë të tjerë si për shembull Under Armour, por duket se madrilenët do të rinovojnë marrëveshjen me gjigantin gjerman.