Depozitat në sektorin bankar janë rritur në qershor 2014, duke kanë shënuar ecurinë më pozitive që nga shtatori 2013.
Sipas statistikave mujore të publikuara sot nga Banka e Shqipërisë, totali i depozitave në fund të muajit qershor arriti në 955 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 6 miliardë lekësh, apo 0.6%, në raport me majin 2014. Përmirësimi ka ardhur si nga shtimi i kursimeve në lekë, por më shumë nga ato në valutë.
Në krahasim me dhjetorin 2013, depozitat e shqiptarëve janë rritur me vetëm 0.5%, si rrjedhojë e performancës negative në janar, shkurt dhe prill.
Me bazë vjetore (qershor 2014/qershor 2013), kursimet janë rritur me 1.6%. Një vit më parë rritja përkatëse ishte 3.8%.
Dy vitet e fundit ritmet e rritjes së depozitave janë ngadalësuar ndjeshëm për tre arsye kryesore.
-Së pari, kriza ekonomike e ka bërë më të vështirë për individët të kursejnë, ndërkohë që dhe emigrantët po sjellin më pak para në shtëpi.
-Së dyti, ecuria e dobët e kursimeve ka ardhur për shkak të uljes së depozitave të bankës më të adhe Raiffeisen, e cila i ka shkurajuar depozituesit e saj përmes ofrimit të normave të ulëta të interesit dhe i ka orientuar drejt fondit të saj të investimeve, Raiffeisen Invest, që ofron norma kthimi relativisht të larta (fondet e investimeve u rritën me 35% për gjashtëmujorin e parë, sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare)
-Së treti, interesat e depozitave janë ulur ndjeshëm, duke i bërë më pak tërheqëse për individët. Norma mesatare e depozitav 12 mujore ëhstë aktualisht rreth 2%, nga 5-6% që ishte pak vjet më parë.