Hotelet që do të marrin statusin special do të jenë pothuajse të përjashtuar nga taksat. Hotelet me 4 dhe 5 yje do përjashtohen nga tatimi 15% për 10 vitet e para.
Për hotelet me 5 yje lehtësitë shtrihen në heqjen e taksës së infrastrukturës (4% e vlerës së projektit), heqjen e taksës së ndërtesës dhe zgjerimin e TVSH-së prej 6% jo vetëm në shërbimin e fjetjes (që e ka gjithë sektori), por edhe për furnizimin e shërbimeve të tjera.
Konkretisht:
Përjashtimi nga tatimi mbi fitimin, nga 15% që është aktualisht, do të aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura me 4 dhe 5 yje, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.
Sipas relacionit shpjegues të qeverisë, parashikimi është bërë me qëllim dhënien e incentivës në momentin e fillimit të aktivitetit ekonomik, atëherë kur ky aktivitet realizon fitim, – sqarohet në relacion. E njëjta kategori hotelesh me 5 yje, përfitojnë edhe heqje të taksës së infrastrukturës. Sipas legjislacionit në fuqi, çdo biznes që ka një projekt ndërtimi, kur ky i fundit është me orientim aktivitet ekonomik, duhet të paguajë 4% të vlerës së projektit si taksë infrastrukture. Kjo nëse projekti zbatohet në Bashkinë e Tiranës, për pjesën tjetër të vendit kjo taksë varion nga 1-3% të vlerës së projektit. Pra, një resort me vlerë 100 milionë euro në zonën e Jugut do të duhet të paguajë 3 milionë euro që në fillim. Kjo taksë tashmë zerohet për hotelet me status special.
Por oferta e parajsës pa taksat nuk mbaron këtu. Të gjithë hotelet me status special dhe që janë me 5 yje do të përfitojnë trajtim të veçantë edhe te TVSH-ja. Aktualisht për gjithë sektorin ofrohet me një shkallë 6% furnizimi i shërbimit të fjetjes. Për hotelet me status special me 6% do të ofrohet edhe furnizimi i shërbimeve të tjera që përfshin nga bar-restorant te sauna, pishinë, masazhe, sallë konferencash, shezlonge. Në një rishikim të dytë të projektit të parë të Paketës Fiskale qeveria shtoi edhe më tej listën e lehtësive, duke përjashtuar hotelet me 5 yje me status special edhe nga pagesa e taksës për ndërtesat e cila në vitin 2018 do të llogaritet sipas një formule të re.
Statusi special jepet nga Kryeministri
Vulën përfundimtare nëse një hotel e përfiton ose jo statusin special e jep Këshilli i Ministrave. Projektligji për disa shtesa në ligjin për turizmin përcakton që Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin, jep statusin e veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” për subjektin që plotëson të gjitha kushtet e mëposhtme:
a) Është investitor në një strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, në Republikën e Shqipërisë, të certifikuar si e tillë nga struktura përgjegjëse sipas këtij ligji.
b) Vlera e investimit është të paktën 8 (tetë) milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe të paktën 15 (pesëmbëdhjetë) milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje.
Drafti përcakton që kriteret e tjera, procedurat dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë subjektet që duan të aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin.
Subjektet, që përfitojnë statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, nënshkruajnë marrëveshje zhvillimi me ministrinë përgjegjëse për turizmin, në të cilën parashikohen detyrimet e ndërsjella, afatet e realizimit të projektit, vlera e projektit, ndalimet për tjetërsimin e pronësisë së strukturave të ndërtuara apo pjesëve të tyre, si dhe pasojat nga mosrespektimi i detyrimeve të ndërsjella.”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.