Tarifat e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë e palëve të treta kanë shënuar luhatje gjatë vitit 2015. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, produkti MTPL e brendshme, në vitin 2015, pati një rritje prej 27.53% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me rritje të numrit të kontratave prej 8.84% krahasuar me vitin 2014.
Referuar të dhënave të AMF-së tarifat mesatare të policave të sigurmit gjatë 12 muajve të vitit të kaluar shënuan luhatje. Kështu në janar të vitit 2015 kompanitë e Jo –Jetës e kompensuan heqjen e TVSH-së me rritjen e primit mesatar, çka bëri që të siguruarit të paguanin afërsisht njëlloj, por kompanitë të përfitonin në shumë të ardhura.
Sipas të dhënave ( shih grafikun) tarifa e TPL-së ka shënuar rritjen më të madhe në muajin korrik duke u llogaritur në rreth 17,200 lekë, ndërsa nivelin më i ulët u regjistrua në muajin korrik me rreth 16,600 lekë. Në krahasim me janarin e 2015-s çmimet në fund të vitit 2015 shënuan një rritje të lehtë me 1.1%.
Në fillim të këtij viti, hyri në fuqi edhe rritja e tatimit mbi primin në 10%, nga 3% që ishte një vit më parë. Sipas AMF-së përsa i takon ndikimit, që taksa e rritur mund të ketë në çmimet e sigurimit, kjo do të varet tërësisht nga politika që ndjek secila shoqëri sigurimi nëse taksa e re pasqyrohet në çmimin e sigurimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.