Bankat kanë shfaqur shenja gjallërimi në tremujorin e tretë të vitit. Huaja për ekonominë po i kthehet rritjes pas një stanjacioni prej dy vitesh, kreditë me probleme po vijojnë rënien dhe fitimet janë trefishuar teksa sistemi po lehtësohet nga barra e huave të këqija. Por, planet për shitje kanë lënë në pritje shumë prej tyre
Nga Ornela Liperi
Pasi ka kaluar pjesën e parë të vitit me rënie, sistemi bankar ka shfaqur shenja të dukshme gjallërimi në tremujorin e tretë të 2017-s. Aktivet e sistemit u zgjeruan me ritme të shpejta, kredia për korporatat u gjallërua, e nxitur nga projektet e punëve publike. Ulja e kredive me probleme reduktoi shpenzimet për provigjionime duke bërë që fitimet e bankave të përmirësohen.
Megjithatë, sistemi bankar është në një fazë të rëndësishme ristrukturimi. Shumë banka, sidomos ato greke, duan të dalin nga tregu dhe janë në proces shitjeje, çka i bën që të mos jenë agresive në treg. Nga ana tjetër, interesi për t’i blerë mbetet i ulët, duke zgjatur procesin e shitblerjeve apo konsolidimeve. Pas përthithjes së Veneto nga Intesa SanPaolo dhe shitjes së NBG, numri i bankave do të reduktohet nga 16 në 14 dhe viti i ardhshëm pritet të ketë sërish zhvillime.
Aktivet rriten, por bankat i kthehen vendosjes së parave jashtë
Aktivet e sistemit bankar arritën në 1.4 trilionë lekë në fund të tremujorit të tretë të vitit, duke u zgjeruar me 2.1% me bazë tremujore. Kjo është rritja e parë e shënuar përgjatë këtij viti, teksa dy tremujorët e mëparshëm sistemi kishte njohur rënie. Si rrjedhojë, në krahasim me fundin e 2016-s, aktivet e sistemit janë rritur vetëm me 1.2%.
Bankat i investojnë paratë e depozituesve duke dhënë hua për biznesin dhe individët, duke blerë letra me vlerë të qeverisë, apo duke i vendosur te banka qendrore ose institucione financiare jashtë vendit.
Në tremujorin e tretë, forma që ka mbizotëruar ka qenë sërish ajo e vendosjes së parave në institucionet e tjera financiare (jashtë vendit). Ky zë është rritur me 12 miliardë lekë (nga 30 miliardë lekë që është zgjerimi i aktiveve gjithsej), në krahasim me tremujorin e dytë. Tremujori i tretë e shënon gjithnjë një tendencë të tillë, pasi ai përkon me periudhën kur sezonalisht rriten prurjet në valutë në sistemin bankar nga emigrantët dhe turizmi.
Pozitive ka qenë rritja e veprimeve me klientët, që është huaja që jepet për ekonominë, e zhveshur nga efekti i fshirjes së kredisë. Ky zë është rritur me gati 11 miliardë lekë, duke arritur në 604 miliardë lekë në fund të muajit shtator, i nxitur nga gjallërimi i kredisë afatgjatë, e cila merret për investime. Banka e Shqipërisë raportoi se rritja e kredisë për korporatat është nxitur nga projektet e punëve publike.
Në një sjellje të kundërt, gjatë këtij viti bankat kanë ulur ekspozimin në letrat me vlerë të qeverisë. Zëri i veprimeve me letra me vlerë është ulur me gati 3% në krahasim me fundin e vitit të kaluar.
Depozitat, rritja vjen nga bizneset
Stoku i depozitave në sistemin bankar, në fund të muajit shtator, arriti në 997 miliardë lekë, me një rrije të lehtë prej 0.2% në raport me muajin e mëparshëm, zgjerim që ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e rritjes së fortë të depozitave të korporatave jofinanciare, ndërsa kursimet e individëve vijojnë në tkurrje.
Me bazë vjetore (shtator 2017/shtator 2016), depozitat janë rritur me vetëm 0.14%, duke reflektuar ecurinë e dobët të kursimeve të individëve.
Individët po i heqin kursimet me afat në lekë nga bankat, teksa prej disa vitesh, normat e interesit nuk janë të favorshme. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i depozitave me afat në lekë të individëve arriti në fund të muajit shtator 249 miliardë lekë (25% të totalit). Në krahasim me janarin e vitit 2013, depozitat kanë rënë me 26%, apo gati 650 milionë euro kanë dalë nga bankat në kërkim të alternativave më fitimprurëse, si investimet në maturitete më afatgjata (mbi 2-vjeçare), blerjen e pasurive të paluajtshme, letrave me vlerë të qeverisë etj.
Në të kundërt, bizneset po shfaqin një sjellje të re, teksa po rrisin depozitat që mbajnë në banka. Sipas Bankës së Shqipërisë, në shtator, stoku total i depozitave në total të bizneseve (korporatave jofinanciare) arriti në 142, apo rreth 1 miliard euro.
Pesha e depozitave të biznesit arriti në 14.2% të totalit në shtator 2017, nga 8% që ishte në janar 2013.
Gjallërohet kredia
Pas një ngërçi në 7 muajt e vitit, huaja për ekonominë është gjallëruar ndjeshëm në gusht dhe në shtator, në një sinjal se biznesi po u rikthehet investimeve.
Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë në fund të muajit shtator arriti në 553 miliardë lekë, me një zgjerim prej 0.7% me bazë mujore.
Rritja ka ardhur, në mbi 80% të saj nga kredia që është dhënë për korporatat jofinanciare, pra bizneset, kryesisht në lekë. Stoku i huasë për korporatat financiare arriti në 339 miliardë lekë, me një zgjerim mujor prej 0.9%. Kredia për bizneset zë peshën kryesore të financimit që jepet nga bankat, teksa ajo përbënte 61% të totalit në fund të muajit shtator.
Megjithatë, me bazë vjetore, rritja e huasë për ekonominë është tepër e vakët. Në krahasim me shtatorin, stoku i kredisë për ekonominë është rritur me vetëm 0.7%, me stokun e huasë për biznes që për të njëjtën periudhë ka rënë me gati 2%. Negativisht në këtë tendencë ka ndikuar dhe procesi i fshirjes së kredive që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen në banka si dhe zhvlerësimi i euros, që ka ulur stokun e huasë në valutë.
Edhe kredia për individët ka vijuar rritjen në shtator, ndonëse me ritme më të ulëta se në gusht. Karakteristikë është se huaja po jepet pothuajse tërësisht për blerjen e pasurive të paluajtshme, ndërsa kredia konsumatore është në rënie. Muajt e fundit është shënuar gjallërim i tregut të pasurive të paluajtshme, kryesisht në kryeqytet, i nxitur edhe nga kredia bankare. Bankat, nga ana e tyre, po tregohen më të prira të financojnë individët, teksa ata po rezultojnë kredimarrës më të mirë dhe janë më korrektë në pagesën e kësteve mujore. Sipas të dhënave të Bankës, stoku i huasë me probleme për individë është nën 10%, ndërsa ai për biznese është afër 20%.
Një tjetër tendencë që kanë raportuar bankat është financimi i bizneseve të mesme e të vogla dhe heqja dorë prej kompanive të mëdha, ku ekspozimi është më i lartë dhe si rrjedhojë, edhe risku i moskthimit është më i madh.
Banka e Shqipërisë ka raportuar se shpërndarja e kreditimit sipas sektorëve të ekonomisë tregon se bankat në tremujorin e tretë kanë rritur financimin e sektorit të ndërtimit, të shërbimeve dhe të bujqësisë. Norma vjetore e rritjes së kredisë për bizneset e ndërtimit u përshpejtua deri në 5.5%, krahasuar me 2.4% në tremujorin e dytë. Në të njëjtën linjë ishte dhe zgjerimi vjetor i portofolit të kredisë për sektorin e shërbimeve, i cili u rrit mesatarisht me 5.5%, përkundrejt 1.2% të shënuar një tremujor më parë.
Kreditë me probleme zbresin në 14.7%
Huatë me probleme shënuan një tjetër rënie në muajin shtator, në 14.7%, duke arritur një tjetër rekord, teksa ky është niveli më i ulët i regjistruar që nga tremujori i parë i vitit 2011, kur ky tregues ishte 14.4%
Në gusht, huatë me probleme zbritën në 15.1%, nga 15.4% që ishin muajin e mëparshëm dhe larg nivelit të lartë prej gati 25% që arrin në shtator të vitit 2014.
Por, efektin kryesor në këtë reduktim ka vijuar ta japë fshirja e kredive të këqija nga bilancet e bankave.
BSH bëri të ditur më herët se ka filluar procesi i fshirjes së kredive, në janar të vitit 2015 e deri në fund të gjashtëmujorit të parë 2017 bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre 43 miliardë lekë, ose 316 milionë euro.
Banka e Shqipërisë ka sqaruar në raportin e mbikëqyrjes së 6-mujorit të parë se rënia e stokut të kredive me probleme është rezultat i ristrukturimit të kredive me probleme, shlyerjes së kredive të prapambetura të bizneseve dhe fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave.
Banka e Shqipërisë sqaron se cilësia e kredisë paraqitet më e dobët për kredinë në valutë, kredinë për bizneset dhe kredinë me afat të gjatë maturimi.
Sistemi bankar ka arritur në nivele fitimesh rekord në 9 muajt e këtij viti, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Për periudhën janar-shtator 2017, fitimi i sistemit arriti në 16.9 miliardë lekë, duke u rritur me 161% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është niveli më i lartë i fitimeve i arritur nga sistemi, që nga viti 1999, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.
Arsyeja kryesore e kësaj rritjeje të lartë të fitimeve lidhet me uljen e shpenzimeve për provigjionime (fondet që bankat vënë mënjanë për të mbuluar kreditë e pakthyera në afat nga bankat). Për 9-mujorin, shpenzimet për provigjionime ishin vetëm 1.6 miliardë lekë, me një rënie prej 87% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke bërë që sistemi të rikuperojë rreth 12 miliardë lekë.
Ulja e kredive me probleme ka bërë që bankat të rikuperojnë fondet që i kishin lënë si provigjione.
Ndërkohë, të ardhurat neto si nga interesi, ashtu dhe nga aktivitete të tjera kanë qenë në rënie. Të ardhurat neto nga interesi ranë me 4% në 33.3 miliardë lekë.
Të ardhurat neto nga aktivitete të tjera ranë me 12% në 6.4 miliardë lekë. Për shkak të shpenzimeve për provigjione, sistemi bankar ka shënuar luhatje të mëdha nga njëri vit në tjetrin. Pas humbjeve në vitin 2013, sistemi e mori veten në 2015-n, ndërsa në 2016-n fitimi u përgjysmua sërish, për të arritur nivele rekord në 2017-n (shih grafikun). Banka e Shqipërisë i raporton fitimet e sistemit sipas standardeve kombëtare të kontabilitetit, GAAP.
Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Bankave për fitimet sipas standardeve ndërkombëtare IFRS, BKT ka pasur fitimet më të larta për 9 mujorin, me rreth 4.7 miliardë lekë, me një rënie të lehtë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Raiffeisen ka kaluar nga humbjet prej 2.2 miliardë lekë në janar-shtator 2016 në fitime prej 3.4 miliardë lekë për 9 mujorin 2017. Intesa kishte fitime prej 1.5 miliardë lekësh. Në total janë 7 banka që kanë rezultuar me humbje (shih tabelën).
Bankat në shitje
Prej disa muajsh, NBG Albania është në shitje. Shoqëria e sigurimeve Eurosig, Banka Amerikane e Investimeve (ABI) dhe Banka e Parë e Investimeve (FIB) janë tre institucionet financiare që dorëzuan ofertat për blerjen e NBG-së.
Së fundmi mësohet se fituesja është ABI, por transaksioni duhet të marrë miratimin e Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Konkurrencës.
Vitin e ardhshëm edhe banka të tjera të dalin në shitje. Një prej tyre është Tirana Bank, një tjetër me kapital grek.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e fundit për parashikimin ekonomik rajonal të titulluar “Europa prek hapat e saj”, thotë se filialet e bankave greke janë nën presionin e prindërve që kanë pasur probleme likuiditeti gjatë viteve të fundit. Turbullirat financiare të Greqisë në vitin 2015 nxitën një tërheqje të depozitave ndaj filialeve të bankave greke në Maqedoni. Filialet greke në Serbi përjetuan gjithashtu një humbje të depozitave, por në nivele më të ulëta. Autoritetet në rajon u përballën me sukses me presionet nëpërmjet një game të gjerë mjetesh, duke përfshirë monitorimin e ngushtë të vendosjeve të bankave në bankat mëmë në Greqi apo filialet e tjera jashtë shtetit; inkurajimin e filialeve greke për të eliminuar gradualisht ekspozimet ndaj Greqisë; vendosjen e miratimeve paraprake për transaksione të mëdha; futjen e kontrolleve të rrjedhjes së kapitalit që synojnë parandalimin e bizneseve në pronësi greke nga huamarrja nga bankat vendase dhe transferimin e fondeve në Greqi; dhe vendosjen e masave për transferimin e kapitalit për të parandaluar bizneset me pronësi greke që të merrnin hua nga bankat lokale dhe të transferonin fondet në Greqi.
Ndërsa telashet janë zbehur, hapi tjetër do të jetë menaxhimi i tërheqjes së bankave greke nga rajoni, këshillon FMN. Planet e ristrukturimit të paraqitura nga bankat greke si pjesë e paketës së shpëtimit të udhëhequr nga BE parashikojnë tërheqje graduale nga aktivitetet e tyre jashtë vendit. Piraeus, banka më e madhe e Greqisë në aspektin e aseteve, planifikon të shesë filialet e saj në Shqipëri dhe Serbi (përveç atyre në Bullgari, Rumani dhe Ukrainë). Huadhënësi i dytë më i madh i Greqisë, Banka Kombëtare e Greqisë, mund të duhet të shesë filialet e saj në Europën Juglindore deri në qershor 2018, duke përfshirë ato në Shqipëri (NBG Albania), Maqedoni dhe Serbi. Banka Kombëtare e Greqisë ra dakord në fillim të gushtit për të shitur degën e saj në Serbi në OTP me bazë në Hungari. Alpha Bank njoftoi më 31 janar 2017 se ka rënë dakord me Grupin MK të Serbisë për shitjen e 100% të aksioneve të saj në kapitalin aksioner të Alpha Bank Srbija, thuhet në raportin e FMN.
Krahas bankave me kapital grek edhe të tjera perëndimore, me peshë të konsiderueshme në sistem, janë në shitje.
Por, kjo nuk është koha më e mirë, pasi blerësit janë të paktë dhe dëshira për të paguar po ashtu. Përgjithësisht çmim i mirë për një bankë konsiderohet kur ajo shitet 2-4 herë mbi kapitalin. Kur Banka Popullore iu shit Societe Generale në vitin 2007, ajo u vlerësua 3.8 herë mbi kapitalin, një rezultat maksimal ky. Ndërsa për NBG, këtë vit mësohet se ofertat kanë qenë rreth 1 herë mbi kapitalin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.