Projekti më i madh infrastrukturor, autostrada Prishtinë – Vërmicë, që vlerësohet t’i ketë kushtuar rreth 1 miliard euro buxhetit, nuk ndihmoi rritjen e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ky është përfundimi i arritur nga studimi i realizuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave. Në raportin e titulluar “Kosova në kontekstin rajonal – Marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare”, thuhet se eksporti i përgjithshëm tregtar nga Kosova në Shqipëri nuk ka ndonjë rritje të theksuar për shkak të autostradës, por ajo po shërben si rrugë alternative. “Pra, autostrada nuk ka shkaktuar ndonjë rritje të eksportit të Kosovës drejt Shqipërisë, ajo veç se e ka zëvendësuar Maqedoninë dhe Malin e Zi si vende transit që ishin”, thuhet në raport. Drejtori ekzekutiv i Institutit KIPRED, Ilir Deda thotë se ky raport është një fotografim i gjendjes faktike të dinamikës dhe rolit të Kosovës në rajon sa i përket ekonomisë dhe tregtisë. Brenda periudhës 5 vjeçare, pika më e ngarkuar vlerësohet të ketë qenë ajo e Hanit të Elezit me Maqedoninë, nëpërmjet së cilës qarkulluan 35% e shkëmbimit të përgjithshëm tregtar të Kosovës ose më shumë se 4.3 miliardë euro. Hulumtimi tregon se gjatë pesë viteve të fundit Kosova ka pasur deficit të lartë tregtar. Me madhësinë e saj ekonomike dhe shpenzimet buxhetore thuhet në raportin e KIPRED-it, shkëmbimet e përgjithshme tregtare prej rreth 2.8 miliardë euro përbëjnë 0.42% të vlerave të përgjithshme të shkëmbimit tregtar të rajonit.
Megjithatë, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit Kosova ka një bilanc më të çrregullt tregtar, ku raporti eksport – import brenda periudhës 2008 – 2012 ka qenë në dëm të eksportit.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila theksoi se marrëdhëniet tregtare të Kosovës në kontekstin rajonal kanë ndryshuar në krahasim me tri vjet më parë dhe kjo ka ndodhur si rezultat i reciprocitetit dhe funksionimit institucional.
“Politikat tregtare të Kosovës tashmë do të varen drejtpërdrejt nga dy marrëveshje tregtare: CEFTA, e cila është aktualisht në fuqi dhe marrëveshja e Stabilizim Asociimit, që ka në përmbajte rreth 70% komponentët tregtare. Efektet në biznes dhe tregtinë e Kosovës do të jenë të menjëhershme duke bërë që bizneset të behën më konkurruese”, tha Kusari – Lila.
Studimi i KIPRED vë në pah edhe mospërputhje në të dhënat tregtare reciproke, ku në disa raste kjo mospërputhje kalon edhe shifrën 60 milionë euro në marrëdhëniet tregtare më vetëm një shtet të rajonit dhe vetëm brenda një viti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.