Gazsjellësi TransAdriatic Pipeline ka nisur zyrtarisht shtrimin e tubacionit në territorin shqiptar, i cili është 215 kilometra i gjatë. Në ceremoninë e përurimit, kryeministri Edi Rama tha se ky është investimi më i madh në Shqipëri që llogarit një vlerë prej 1 miliard euro, si dhe krijimin e 4,200 vendeve të reja të punës.
Drejtori menaxhues i TAP, Ian Bradshaw, tha se projekti ka pasur progres të kënaqshëm në Shqipëri : janë sjellë rreth 56% e tubave, janë rehabilituar rreth 100 kilometra rrugë, janë rindërtuar rreth 42 ura, ndërsa 2 janë të reja. TAP hyn në një fazë të re dhe shumë të rëndësishme.
“Janë 215 km përmes të cilave gazsjellësi do të kalojë Shqipërinë. Numri i të punësuarve do të rritet në 4200. Vetëm nga procesi i ndërtimit do të gjenerohen gjatë vitit 2017, 57 milionë euro për Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë. Përfitimet do të vijnë duke u përshkallëzuar vit pas viti, derisa sa të vijë rrjedha e gazit në vitin 2020. TAP pritet të rrisë prodhimin kombëtar me 160 milionë euro në vit, ndërsa ekonomia jonë në 20 vitet e ardhshme do të përfitojë mbi 1 miliard euro.
Ne nuk duam të mbetemi si vend kalues i gazit të Kaspikut në Europë. Kemi trashëguar një marrëveshje e cila kishte një boshllëk të madh për përfitimet direkte në simetri me vendet e tjera. I jam mirënjohës kompanisë që, edhe në këtë rast nuk ka refuzuar, por ka pranuar të negociojë me ne për të gjetur një zgjidhje, e cila bën që Shqipëria të marrë si kontribut në aspektin social të projektit njësoj si Greqia dhe Italia”, tha kryeministri.
Sipas tij, me anë të gazsjellësit TAP, do të vihet në punë edhe Termocentrali i Vlorës, një nga investimet më të shtrenjta në vend që nuk ka prodhuar energji për shkak të kostove, të cilin kryeministri e konsideroi një ‘gërmadhë për të cilën paguhen 1.2 mln dollarë në vit’’.
Ndërsa menaxheri për Shqipërinë, Shkëlqim Bozgo, tha se TAP është “mysafir” dhe duhet falënderuar qeveria, autoritetet dhe komuniteti për bashkëpunim.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, deklaroi se sot vendoset një gur i ri kilometrik në realizimin e kësaj vepre me rëndësi të madhe, ndërsa theksoi edhe bashkëpunimin me drejtuesit e projektit.
“Në Shqipëri sapo filloi shtrimi i tubacioneve dhe ky projekt po bëhet gjithnjë e më konkret. Jo çdo gjë ka qenë gjithmonë një muaj mjalti, por ne kemi negociuar me kompaninë vazhdimisht për të marrë më të mirat e mundshme për interesat e vendit. E tillë është edhe përfshirja e sa më shumë kontraktorëve lokal për t’u bërë pjesë e këtij projekti. Jam i gëzuar që vitet e fundit, një pjesë e kompanive shqiptare kanë nisur të bëhen pjesë e projektit, duke kryer punë konkrete. Kjo ka sjellë përfitime konkrete për ekonomitë familjarë”, theksoi ministri Gjiknuri.
Ai nënvizoi se Shqipëria ka pasur kushte jo shumë të favorshme në raport me vendet fqinje. “Dua të falënderoj kompaninë, e cila bashkë me autoritetet shqiptare, Ministrinë e Energjisë, është përfshirë në një proces negocimi intensiv, të cilin jemi duke e përfunduar shumë shpejt. Ky proces negociatash do të sjellë në balancë të plotë përfitimet e Shqipërisë siç i ka marrë edhe Greqia dhe kjo do të jetë shumë më mirë për të dy palët por, mbi të gjitha, për vetë qëndrueshmërinë e projektit”, vlerësoi Gjiknuri.
Drejtori menaxhues i TAP-it Ian Bradshaw tha: “Jam me të vërtetë i gëzuar që sot jam këtu me ju. TAP-i ka bërë një progres shumë të madh gjatë këtyre pak viteve të fundit dhe këtë e tregon qartë ajo çka mund të shihni sot këtu: tuba çeliku në tokë, makineri të rënda në sfond, pastrimin e korridorit të kalimit dhe kanalet që po hapen për shtrirjen e tubave. E gjithë kjo është në sajë të qindrave dhe mijërave orëve të punës të sigurtë. Dëshiroj të përfitoj nga rasti të falënderoj Qeverinë e Shqipërisë, veçanërisht Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë për mbështetjen e saj të palëkundur për projektin tonë dhe për bashkëpunimin e ngushtë, që ka hapur rrugën për realizimin e TAP-it dhe dorëzimin e projektit”.
Në Shqipëri, progresi i deritanishëm i ndërtimit të TAP-it përfshin:
23 km Korridore Kalimi të pastruara
12 km tuba të lidhur
8 km tuba të salduar
56% e tubave janë dorëzuar – Tuba linje & bërryla vazhdojnë të mbërrijnë në Durrës (që prej prillit të vitit 2016)
Më shumë se 92% e rrugëve ndihmëse dhe urave (progres i kombinuar) janë përfunduar; rreth 90% e fuqisë punëtore janë shqiptarë.
TAP-i vazhdon të jetë një aktor aktiv në Shqipëri, veçanërisht në rajonet ku projekti vepron. Projektet e investimeve sociale janë planifikuar dhe zbatuar me pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e ngushtë të përfaqësuesve të komuniteteve vendore.
Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)
TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Europë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe Detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.
Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Europës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe të tjera. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria.
TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë gjurmës së tubacionit; ai do të jetë një burim i madh i investimeve të huaja direkte dhe ai nuk varet nga grante apo subvencione. Pas shitjeve të para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, të synuara për fund-vitin 2018, prurjet e para në Europë do të fillojnë përafërsisht në fillim të vitit 2020.
Struktura aksionare e TAP-it përbëhet nga BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.