Bruto Produkti Vendor është treguesi kryesor dhe më i rëndësishëm makroekonomik në Sistemin e Llogarive Kombëtare, i cili paraqet rezultatet finale të prodhimit në të gjitha aktivitetet e njësive prodhuese rezidente.
Bruto Produktit Vendor është llogaritur sipas tri elementeve: qasja e prodhimit, qasja e shpenzimeve dhe qasja e të ardhurave në Republikën e Kosovës. Bruto Produkti Vendor për kokë banori në vendet e rajonit dhe në Kosovë, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, për vitin 2017 është:
Pavarësisht faktit se Kosova llogaritet e fundit sa i përket standardit jetësor, krahasuar me vendet e rajonit, të dhënat e Agjencisë, të cilat përfshijnë periudhën 2008 – 2017, tregojnë se gjatë kësaj periudhe, vazhdimisht ka pasur rritje të BPV-së, pasi në vitin 2008 kjo normë ka qenë 2.200 euro për kokë banori.
Ekspertë për çështje ekonomike e konsiderojnë të pamjaftueshëm këtë vlerë për të adresuar problemet thelbësore në Kosovë.
Ismail Kastrati, ish-kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se megjithëse viteve të fundit ka pasur rritje të nivelit të Bruto Produkti Vendor për qytetarët e Kosovës, kjo normë nuk ka arritur ta zbusë papunësinë dhe varfërinë.
“BPV në Kosovë ka ecur me një ritëm relativisht të mirë, por jo për të zënë Bruto Produktin për kokë banori të vendeve të rajonit dhe për të zvogëluar shkallën e papunësisë se lartë në Kosovë. Zakonisht BPV këto 17 vjet është rritur mesatarisht 3.6%, që nuk siguron zvogëlim të papunësisë dhe nuk e zë hapin me vendet e rajonit”, thotë Kastrati për Radion Evropa e Lirë.
Edhe BerimRamosaj, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, shprehet për Radion Evropa e Lirë, se krahasuar me vitet tjera, ka pasur rritje të Bruto Produktit Vendor, por kjo shumë nuk siguron standard dhe nuk gjeneronmirëqenie jetësore për qytetarët e Kosovës.
“Pa mirëqenie nuk mund të fitosh as shkollim, dije, shërbim social, shoqëror dhe as arsimor. Kështu që është nivel shumë i ulët, por duke marrë parasysh se ku kemi qenë dhe ku jemi, besoj se do të ketë efekte në të ardhmen”, thotë Ramosaj.
Ramosaj shprehet se autoritetet kompetente duhet të krijojnë kushtet e të bërit biznes, duke filluar nga industria e prodhimit, në mënyrë që Kosova të ketë mundësi të rrisë zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, rrjedhimisht edhe Bruto Produktin Vendor.
“Duke marrë parasysh zhvillimin ekonomik që e kemi shumë të ulët, nuk ka mundësi që për këtë periudhë BPV-ja të jetë më e lartë. Mirëpo, pretendohet që Kosova nëse dëshiron të jetë krahas vendeve të tjera, pa dyshim duhet të rrisë prodhimin dhe shërbimin vendor”, shprehet Ramosaj.
Kurse Ismail Kastrati thotë se sundimi i rendit dhe ligjit, eliminimi i korrupsionit dhe krimit ekonomik, siguron rritjen e të ardhurave të Bruto Produktit Vendor për kokë banori.
“Autoritetet, në rend të parë, duhet të krijojnë siguri ligjore për të tërhequr Investime të Huaja Direkte dhe krijimin e vlerave të reja të shtuara, do të thotë investim në sektorin e prodhimit. Vetëm kjo do të krijonte mundësinë e rritjes së Bruto Produktit dhe atë jo vetëm nga konsumi, por nga prodhimi. Aktualisht, determinante e rritjes së BPV-së është konsumi, i cili pjesërisht financohet nga remitancat”, thekson Kastrati.
Në anën tjetër, Bruto Produkti Vendor për kokë banori në vendet e Bashkimit Evropian është 29,396 euro. E për të arritur vendet e Ballkanit Perëndimor këtë vlerë të të ardhurave, sipas Bankës Botërore nevojiten rreth gjashtë dekada.
/RADIO EVROPA E LIRË/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.