Diplomacia ekonomike është një ndër mënyrat që Shqipëria po përdor për të tërhequr investime të huaja. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati evidentoi Zvicrën si prej vendeve, me të cilin mund të rritet bahskëpunimi ekonomik, nëpërmjet krijimit të Dhomës së Përbashkët të Tregtisë. Ndërsa Ministret Ekonomi dhe Gjermeni informuan mbi masat që po merr Qeveria për të përmirësuar klimën e biznesit në vend.
Ndërsa gara në rajon për thithjen e investimeve të huaja tashmë është hapur, Shqipëria po përdor dioplomacinë ekonomike për të informuar investitorët mbi avantazhet që ofron vendi ynë.
Në aktivitetin e organizuar në bashkëpunim me Ambasadën zvicerane ‘Investo në Shqipëri, sfida e mundësi’, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, deklaroi se po hidhen hapa konkretë për të tërhequr investime nga Zvicra.
Bushati: Ne besojmë si Qeveri që ka ardhur koha të stimulojmë hapjen e Dhomës së Përbashkët të Tregtisë, një praktikë të cilën unë personalisht ja kam kërkuar dhe kolegëve dhe partnerëve zvicerianë nën shembullin e asaj që vetë Zvicra ka bërë me Serbinë përmes hapjes së Dhomës së Përbashkët të Tregtisë, është një mundësi për kanalizim të informacionit më të mirë por dhe adresimin e problematikave të ndryshme me të cilat mund të përballet biznesi.
Për të përmirësuar klimen e biznesit, Qeveria po merr masa konkrete që nga eleminimi i burokracive e deri te lehtësitë, si dixhitalizimi i lejeve të ndërtimit.
Ekonomi: Për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë dhe për të nxitur dhe më shumë investimet e huaja direkte ka shumë për të bërë, po një nga gjërat e rëndësishme është që duhet të jemi shumë të thjeshtë, duhet të japim mesazhet shumë mirë, duhet të tregojmë që administrata funksionon, di ta kryejë detyrën e vet dhe çdo herë e më shumë përpiqet të ketë në linjë me zhvillimet e reja të rajonit.
Gjermeni: Aplikimi për lejet online është i hapur, por deri në shtator duke pasur parasysh vështirësitë, komplikacionet që mund të ketë për individë por dhe stafet vendore, kemi kërkuar që të jetë e lejuar dhe aplikimi online por dhe me dosje të qytetarëve apo investitorëve.
Përfaqësuesit e Qeverisë deklaruan se Shqipëria ka ende potenciale të pashfrytëzuara, çka është një mundësi e mirë për kompanitë që janë të interesuara për rajonin e Ballkanit.
/Oranews
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.