Nga Nertila Maho
Konflikti mes kompanive ndërkombëtare Apple dhe Swatch për regjistrimine një marke ka përfshirë edhe Shqipërinë.
Në javën e parë të marsit, pranë Gjykatës Administrative të Apelit,është regjistruar një çështje ku Swatch padit Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale për mosregjistrimin e një marke dhe si palë të treta janë kompania Apple Inc dhe Avokatura e Shtetit.
Konkretisht, në padi kërkohet shfuqizimi i vendimit të Bordit të DPPI, që ka vendosur të mos regjistrojë markën me emërtim “Tick Different”, depozituar më 16.07.2015 (me prioritet), e aplikuar në emër të shoqërisë Swatch AG, në klasën 9. Ky vendim erdhi pas kundërshtimit që i kishte bërë më herët Apple Inc. aplikimit ndërkombëtar nr. 1280843, që ishte pikërisht marka më e fundit e Swatch.
Shkak i konfliktit, ngjashmëria e markave
Kundërshtuesi, Apple Inc., është pronar i regjistrimit ndërkombëtar nr. 1210085, për markën “Think Different” (fjalë), e vlefshme në Shqipëri prej 24.07.2014, e regjistruar në klasën 9.
Kompania kundërshton regjistrimin e markës tjetër të Swatch pasi pretendon se marka e kundërshtuar “Tick Different” është tepër e ngjashme me markën e tij “Think Different” dhe bashkekzistenca e këtyre markave në treg shkakton konfuzion te konsumatori e për pasojë, marka e kundërshtuar cenon rëndë të drejtat e markës së mëparshme. Duke dhënë këto argumente ka kërkuar që markës së kundërshtuar t’i refuzohet regjistrimi në Shqipëri.
Bordi i DPPI mësohet se mori në shqyrtim kundërshtimin e bërë nga Apple, duke pasur parasysh ligjin “Për pronësinë industriale”.
Krahasimi në tre aspekte dhe konstatimi
Në krahasimin që bëhet mes markave për të nxjerrë ngjashmërinë apo jo të tyre merren në analizë aspekti vizual, fonetik dhe konceptual. Konkretisht “Think Different” e Apple dhe “Tick Different” e Swatch u analizuan në të tria këto aspekte nga ana e Bordit duke dalë edhe në konstatime.
Ngjashmëria vizuale: Marka kundërshtuese është markë fjalë, e përbërë vetëm nga elementi verbal, pa stilizim dhe pa elemente grafike. Të njëjtën situatë kemi dhe te marka e kundërshtuar.
Pavarësisht se ajo është disi e stilizuar, ky stilizim thjesht ka të bëjë me llojin e shkrimit që gjithsesi nuk influencon përshtypjen e përgjithshme, pasi nuk ka sjellë ndonjë ndryshim domethënës nga një shkrim i zakonshëm shtypi dhe në këto rrethana, ajo mbetet thjesht markë fjalë. Për këtë arsye, nuk ka vlerë të diskutohet nëse markat janë shkruar me shkronja kapitale apo jo.
Markat kanë të njëjtën strukturë, përbëhen nga dy fjalë të shkruara në të njëjtin rresht, kanë pothuajse të njëjtën gjatësi fjalësh (numër shkronjash), përkatësisht 14 dhe 13. Fjala e dytë e tyre është identike – DIFFERENT, dhe është e pozicionuar në të njëjtin vend, d.m.th përbën në të dyja rastet në shqyrtim, komponentin e dytë të togfjalëshit.
Markat gjithashtu ndajnë ngjashmëri të konsiderueshme dhe tek fjalët e para të togfjalëshave që përbëjnë markat në këtë shqyrtim: THINK vs TICK, pasi ato përkojnë në fillimin dhe fundin e tyre (shkronjat T dhe K), si dhe në shkronjën e mesit, pra T – I – K DIFFERENT. Këto ngjashmëri, që konstatojmë, i bëjnë ato, vizualisht, shumë të ngjashme.
Aspekti fonetik: Togfjalëshat në të cilat konsistojnë markat, e kanë secili fjalën e dytë identike, pra që do të shqiptohet njësoj. Ky komponent i markës përbën edhe pjesën me përmasa më të mëdha dhe me pozicion dominues në tërësinë e secilës markë. Diferenca ndërmjet dy markave qëndron te pjesa e parë e tyre THINK dhe TICK, por dhe kjo diferencë nuk luan rol të rëndësishëm në dallueshmëri, pasi mungesa e shkronjave “h” dhe “n” në markën kundërshtuese, mbulohet nga zanorja e vetme “i”.
THINK dhe TICK janë fjalë njërrokëshe me numër të vogël tingujsh, ku zanorja “i” ka impakt të konsiderueshëm përderisa rezulton të jetë e vetmja zanore në të dyja këto elemente parësore të togfjalëshave që përbëjnë markat në shqyrtim, pasi gjithashtu aty bie edhe theksi i fjalës.
Shkronja “c” e renditur pas shkronjës “i” në markën e kundërshtuar nuk shqiptohet, pasi shoqërohet nga shkronja “k”, elementi ck, tingëllon apo lexohet vetëm k. Pra, në fjalën e parë të markës kundërshtuese shkronjat që shqiptohen dhe dëgjohen gjatë shqiptimit janë shkronja “T”, “I” dhe “K”.
Gjithashtu, ritmi i shqiptimit është identik THINK/TICK. Fakt është që këto dy fjalë lexohen përkatësisht THINK dhe TIK. Pra fonetikisht tepër të ngjashme dhe të ngatërrueshshme. Menjëherë pas këtyre elementeve vjen fjala e dytë – DIFFERENT, e cila është identike. Pra, vlerësojmë se THINK DIFFERENT DHE TICK DIFFERENT janë fonetikisht tepër të ngjashme e si të tilla, të ngatërrueshme me njëra-tjetrën.
Aspekti konceptual: Markat përcjellin mesazhe kuptimore tepër të ngjashme. “Think Different” dhe “Tick Different” janë fjalë në gjuhën angleze të njohura nga konsumatori shqiptar, në veçanti nga gjeneratat e pas viteve ‘80, të cilët përbëjnë “grupin” më të gjerë të përdoruesve të produkteve të pretenduara nga të dyja markat në Shqipëri.
Think Different (Mendo Ndryshe) përcjell te konsumatori idenë e sfidimit të mendësive të vjetra, d.m.th. përcjell idenë e një përqasjeje të re. Nga ana tjetër, Tick Different, përcjell nga ana konceptuale tek konsumatori të njëjtin mesazh dhe kuptimin e një gjëje dhe ose veprimi që funksionon ndryshe, d.m.th. të qenët i veçantë dhe i dallueshëm nga të tjerët, ose të zgjedhurit të një opsioni ndryshe.
Pra të dyja markat përcjellin kuptime tepër të ngjashme te konsumatori shqiptar, duke nxitur apo duke ftuar konsumatorin të mendojë ose të veprojë ndryshe. Si pasojë e kësaj analize, vlerësojmë se shenjat në shqyrtim kanë ngjashmëri konceptuale të konsiderueshme për të shkaktuar konfuzion.
Markat ngjajnë, Bordi vendos mosregjistrimin
Pas analizës që ju bë tre aspekteve të markave Bordi i Drejtorisë sëPërgjithshme të Pronësisë Industriale doli në përfundimin se mallrat janë identike apo shumë të ngjashme, duke qenë se i përkasin të dyja klasës 9, si dhe kanë elemente shumë të ngjashme, vizuale, fonetike dhe konceptuale. Të gjitha këto sipas Bordit përbëjnë bazë të mjaftueshme për të vlerësuar në tërësi se ekziston mundësia për konfuzion, përfshirë dhe mundësinë e bashkëlidhjes së markave.
Apple, në kërkesën e saj parashtroi, se marka e kundërshtuar cenon karakterin dallues dhe reputacionin e markës së tij, si dhe përfiton, në këtë mënyrë, avantazhe të padrejta por kjo duket se nuk u mor parasysh nga Bordi, duke qenë se konstatimet e bëra nga vetë ai ishin të mjaftueshme për të mos e regjistruar markën “Tick Different” të Swatch.
Shkalla e Parë la në fuqi vendimin e Bordit
Regjistrimi i çështjes në Gjykatën Administrative të Apelit erdhi pas kalimit të kësaj çështje në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, e cila me vendimin 105, datë 23 janar 2018, ka lënë në fuqi vendimin e Bordit të Apelimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale.
Kjo nuk është hera e parë kur kompani të mëdha ndërkombëtare bëhen pjesë e çështjeve në gjykatat shqiptare. Më herët, si palë të treta të përfshira kanë qenë edhe firma të tilla si Versace apo Hugo Boss. Çështja mes Apple dhe Swatch pritet që të hyrë në kalendar për shqyrtim në një moment të mëvonshëm, duke qenë se është regjistruar vetëm në datë 7 mars 2018.
Çështja mes Apple dhe Swatch në arenën ndërkombëtare
Problematika që dy kompanitë ndërkombëtare kanë me njëra-tjetrën nuk u shfaq në Shqipëri. Historia mori një trajtë globale kur në prill të vitit 2017, Apple vendosi që të depozitonte në një gjykatë zvicerane një padi kundër Swatch për markën “Tick Different”. Ky slogan u përdor nga kompania zvicerane në orën e njohur si “Bellamy”, që ka të integruar edhe teknologji pagese VISA. Ndërkaq slogani “Think Different” i Apple daton në vitin 1997, një krijim i agjencisë që menaxhonte në atë kohë reklamat e kompanisë. Kjo u mendua si një kundërpërgjigje për gjigantin tjetër IBM që kishte si slogan thjesht fjalën “Think”.
Kjo nuk është hera e parë që Apple dhe Swatch kanë probleme me markën. Referuar një artikulli të “Forbes” të vitit 2014, Apple në atë kohë do të kishte probleme me Swatch, por situata do të ishte në kahet e kundërt që është sot. Apple u kundërshtua nga zviceranët për markën iWatch pasi kishte ngjashmëri me iSwatch.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.