Zyrtarisht quhet Millennium Technology Prize, por më shpesh njihet si “Nobeli i Teknologjisë”. Çmimi për vitin 2018 iu dha fizikanit finlandez Tuomo Suntola.
Ai është shpikësi i teknikës që përdoret aktualisht tek smartphone-t dhe kompjuterët për zvogëlimin e përmasave dhe modernizimin e pajisjeve.
Nanoteknologjia, e cila quhet “Atomic Layer Deposition” (ADL) bazohet në një proces depozitimi të shtresave të trashësisë së një atomi që nuk përcjell elektricitetin, por lejon ushtrimin e forcave elektrostatike. Në fillim u zhvillua në vitin 1974 nëpër spitale, për të zvogëluar dimensionet e ekraneve dhe për t’i bërë sa më të hollë. Falë saj, sot mund të komunikojë në mënyrë më efikase nëpërmjet pajisjeve. Kjo teknologji ka përfshirë edhe sektorë të tjerë, nga mjekësia tek energjitë e rinovueshme.
“Në fillim nuk kishim një laborator, por kisha Tabelën Periodike të Elementeve në mur, dhe duke e parë, më lindi ideja të krijoj një përzierje nga përbërësit e saj” – tha shkencëtari para ceremonisë së dhënies së çmimeve që u mbajt në Helsinki. Teknologjia ka pasur një zhvillim të madh në vitet ’90 kur u aplikua tek industria e gjysmëpërcjellësve për të realizuar shtresa materialesh mjaft të holla për sektorin e teknologjisë së lartë. “ALD ka rritur ndjeshëm dendësinë e elementeve. Me fjalë të tjera, nuk do të kishim kapacitetin që kemi sot në smartphone-t apo kompjuterët tanë, pa këtë teknologji” – shpjegoi shkencëtari.
I lindur në vitin 1943 në Helsinki, Tuomo Suntola ka marrë më parë “Urdhrin e Luanit” (Order of the Lion) në Finlandë, ndërsa në vitin 2004 European Semi Award. Fizikani është ndër themeluesit e Physics Foundations Society, kushtuar kërkimit për të kuptuar më mirë realitetin. Ai është fituesi i këtij viti i “Nobelit të Teknologjisë”, i cili jepet që nga viti 2004 (një herë në dy vjet).
Çmimi u jepet atyre që kanë dhënë ndihmesën e tyre në inovacionin për të përmirësuar jetën e njerëzve. Shpërblimi? 1 milion euro.