Nuk u desh shumë kohë që profecia e José Mourinho, pas blerjes së Pogba nga Manchester United të bëhej e vërtetë: “Besoj se në verë do të kemi surpriza në merkato, dhe Paul Pogba nuk do të jetë më lojtari më i shtrenjtë në botë”.
Në verë, shumë lojtarë të mirë, por jo sa ai, do të kushtojnë 100 milionë, në mos më shumë”. Dhe ja! Nga Neymar tek Mbappé, merkato shpërtheu dhe tani më, edhe mbrojtësit janë bërë pjesë e blerjeve të çmendura. Virgil Van Dijk, mbrojtësi holandez, nuk është i fundit, i blerë nga Liverpool për 85 milionë euro.
Kohët e fundit, Mourinho e ka përsëritur mesazhin në lidhje me merkaton, duke ngritur disa polemika, por duke thënë në fakt një të vërtetë të madhe: “Manchester United ka shpenzuar 300 milionë sterlina në merkato që nga dita kur kam ardhur unë. Nuk mjaftojnë. Manchester City ka blerë mbrojtës si të ishin sulmues”.
Me këto fjalë, ai i referohej mbrojtësit të majtë francez Benjamin Mendy, i blerë nga Monaco për 57,5 milionë euro, dhe anglezit Kyle Walker të marrë nga Tottenham për rreth 55 milionë. Çmimet megjithatë kanë shkuar në qiell. Mjaft të mendosh për Neymar dhe Mbappé, por edhe se sa pagoi Barcelona për Dembelé apo se sa ofroi për Coutinho.
Në vetëm pak muaj, klasifikimi i blerjeve më të shtrenjta në histori ka ndryshuar. Dhe me siguri edhe në muajt e ardhshëm do të rishkruhet.