Në këto momente delikate që po kalon ekonomia jonë, sidomos biznesi, politika fiskale duhet të jetë e peshuar mirë. Eksperti i fushës, Selami Xhepa, ish-anëtar i komisionit të Ekonomisë, nuk e përjashton një rritje të mundshme të taksave për vitin që vjen. Pasi sipas tij, barra e shërbimit të borxhit është rritur ndjeshëm dhe taksat duhet të rriten. Por kjo sigurisht që duhet bërë me përzgjedhje. Sipas tij duhet të ishte marrë në konsideratë rritja e taksave indirekte, të tilla si taksa e ndotjes mbi karburantin, makinat, dhe të tjera të kësaj natyre, por kurrsesi taksat direkte mbi konsumin. Një arritje e akcizës, tatim-fitimit për bizneset dhe rritja e tatimit mbi të ardhurat do të ndikonte për të kundërtën e qëllimit. Pasi në këto moment tipike të krizës globale kur konsumi ka rënë ndjeshëm, të rrisësh taksat do të thotë një frenim i mëtejshëm i ekonomisë dhe një rritje të re çmimesh për artikuj dhe shërbime. Por nga ana tjetër, rritja e taksave në masën e propozuar mund të bëhet shkak për rritjen e informalitetit. Ndaj Xhepa rekomandon se ndërhyrjet në politikën fiskale duhet të bëhen të menduara mirë, në mënyrë që të mos cenojnë ekuilibrat ekonomikë në vend. Nga ana tjetër, të gjitha ndryshimet në taksa synojnë të sjellin të ardhura shtesë në buxhet një shumë prej rreth 210 milionë eurosh. Mirëpo efekti llogaritet neto, duke marrë në konsideratë vetëm përqindjet e ndryshuara, por zbatimi praktik në Shqipëri duke iu referuar traditës sjell efekte të tjera. Rritja e taksave shpeshherë është shoqëruar me rritje të evazionit fiskal. Në përgjigje të rritjes së tatim- fitimit shumë biznese të mëdha rrezikojnë të ndahen në disa të vogla vetëm për t’i shpëtuar taksimit. Ndërsa rikthimi i progresivitetit edhe në të ardhurat personale do të stimulojë informalitetin në deklarimin e tyre. Dhe të gjitha këto ndryshime taksash në vend që të rrisin të ardhurat në buxhet, rriskojnë për të kundërtën. Për t’i paraprirë kësaj situate, burimet nga Ministria e Financave thonë se shifrat paraprake flasin për një buxhet, i cili në total nuk është më shumë se 380 miliardë lekë, duke përfshirë edhe borxhin nga 405 miliardë lekë që është buxheti i këtij viti. Por efektet e tjera negative të rritjes së taksave pritet të shtrihen në ekonominë e gjerë. Nga rritjet e kostove te biznesi, deri te punësimi në vend. Duke paguar më shumë taksa, bizneset do të kenë më pak fonde të lira për investime dhe për të punësuar të rinj. Por nëse kjo rritje do të shoqërohet me informalitet, ka gjasa që bizneset e ndershme të dalin nga tregu. I gjithë ky ndryshim në taksa duket se është frymëzuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Blerina Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.