Forumi Ekonomik Botëror ka renditur 11 vendet me ekonomitë më të mira në botë duke u mbështetur në Raportin vjetor të Indeksit të Zhvillimit Human (Human Development Index), i cili rendit vendet ku njerëzit jetojnë më gjatë dhe më shëndetshëm, me fjalë të tjera, vendet më të mira për të jetuar.
Organizata e Kombeve të Bashkuara mori në analizë 200 vende në të gjithë globin për një numër kategorish si pritshmërinë për jetën, arsimimin, barazinë gjinore dhe shëndetin financiar.
Shqipëria renditet e 75-a në klasifikim për 2015-n, njësoj me një vit më parë. Njerëzit në Shqipëri kanë një jetëgjatësi mesatare prej 78 vitesh dhe mesatarisht arsimohen për 14.2 vite. Në krahasim me vendet e rajonit, renditemi të tretët.
Të parët në rajon renditen malazezët, të cilët kanë jetëgjatësinë mesatare 78.6 vjet dhe shkojnë në shkollë mesatarisht 15.2 vite. Të dytët renditen banorët e Serbisë, të 66-ët nga 200 vende, jetojnë mesatarisht 77.9 vite dhe shkojnë në shkojnë në shkollë mesatarisht 14.8 vite.
Më poshtë në klasifikim është Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia, që renditen në vendin e 81-të dhe 82-të.
Vendet që u renditën të parat:
11-Shtetet e Bashkuara renditen të parët për sa i përket shëndetit financiar. Amerikanët fitojnë mesatarisht 53 mijë dollarë çdo vit.
10-Kanadaja, në garë me Shtetet e Bashkuara, renditet me pikët më të larta për sa u përket arritjeve në arsim. Më shumë se gjysma e banorëve të saj kanë një diplomë universitare.
9-Islanda, njerëzit në Islandë kanë pritshmëri të larta për jetën, ata jetojnë mesatarisht 82.7 vite.
8-Irlanda, Krimi është i ulët në Irlandë. Norma e vrasjeve është vetëm 1.1 për 1000 njerëz, sipas të dhënave më të fundit.
7- Holanda, ky vend ka një ndër normat më të ulëta për sa i përket pabarazisë në të ardhura në botë. Normë, e cila ka qenë në vazhdimësi në ulje që nga mesi i viteve ’90.
6-Singapori, edhe në këtë vend njerëzit jetojnë gjatë. Mosha mesatare është mbi 83 vite në Singapor.
5-Danimarka, hendeku gjinor për sa u përket pagave përllogaritet rreth 7.8%. Për krahasim, hendeku gjinor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndron në nivelin prej 17.9%.
4-Gjermania, që nga tetori i 2014-s, të gjitha universitetet janë falas për rezidentët dhe studentët e huaj në Gjermani, ku mbi 96% e popullsisë ka të paktën një shkollë të dytë.
3-Zvicra, renditet në vend të parë për sa i përket shëndetësisë. Mesatarisht, njerëzit jetojnë deri në moshën 83-vjeçare dhe kanë një rrezik të ulët për sa u përket sëmundjeve si malaria, HIV dhe tuberkulozi.
2-Australia, arsimi përbën rreth 5% të PBB-së së vendit. Organizata e Kombeve të Bashkuara doli në përfundimin se një studenti, studimet i zgjasin rreth 20 vite në Australi.
1-Norvegjia, mban vendin e parë për të 13-in vit me radhë. Renditet i pari për sa i përket standardit të jetesës, pritshmërisë së jetës dhe arsimit. Një njeri jeton mesatarisht 82 vite në Norvegji.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.