Yield-et e bonove 12-mujore pësuan një rënie të lehtë në ankandin e fundit të muajit prill.
Sipas Bankës së Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 3.66%, nga 3.69% që kishte qenë në dy ankandet e mëparshme të këtij muaji.
Kërkesa në ankande u paraqit më e përmirësuar. Nga 8 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim (por nga të cilat 4.5 miliardë lekë ishin të rezervuara nga Banka e Shqipërisë), vlera totale e kërkesave arriti në më shumë se 9.5 miliardë lekë.
Pro rata apo pjesa e pranuar e kërkesave konkurruese rezultoi relativisht e ulët, në nivelin 26.72%, kjo edhe për shkak të shumës relativisht të lartë që ishte e rezervuar nga Banka e Shqipërisë në ankand.
Në përgjithësi, muaji prill konfirmoi një ecuri të qëndrueshme të yield-eve të bonove 12-mujore. Ato ngelen në nivele më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar dhe me një marzh të vogël mbi normën bazë të interesit.
Si instrumenti kryesor i huamarrjes së brendshme dhe njëkohësisht ai që ka shpeshtësinë më të lartë të emetimeve, bonot 12-mujore janë indikatori kryesor benchmark në tregun financiar, edhe për huadhënien ndaj sektorit privat.
Yield-et e ulëta të bonove 12-mujore rrjedhimisht nënkuptojnë edhe ruajtjen e normave relativisht të ulëta të interesit në kreditimin e sektorit privat. Kjo po rezulton me një rritje të lartë të kreditimit edhe gjatë këtij viti.
Për tremujorin e parë të këtij viti, vlera e kredisë së re të disbursuar arriti vlerën e 82.8 miliardë lekëve, në rritje me pothuajse 30% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Kontributin kryesor në rritje vazhdon ta japë kredia në lekë, që për tremujorin e parë të vitit pothuajse është dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pesha e kredisë së re në lekë ndaj totalit ka arritur në 62%, nga 41% që kishte qenë një vit më parë.
Rënia e ndjeshme e inflacionit gjatë tremujorit të parë të këtij duket se i ka ndryshuar edhe pritshmëritë e tregut për ecurinë e normave të interesit në afatin e shkurtër. Për marsin, inflacioni zbriti në 2.3%, niveli më i ulët në dy vjet e gjysëm.
Me rënien e inflacionit poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë, një rritje e mëtejshme e normave të interesit për momentin nuk është më e pritshme. Madje, nëse inflacioni vazhdon rënien dhe leku vazhdon të forcohet në kursin e këmbimit, në teori Banka e Shqipërisë mund të konsiderojë një ndryshim kursi, duke iu kthyer uljes së normave të interesit.
Një ulje e normës bazë të interesit është shumë e mundshme të vendoset në mesin e këtij viti nga Banka Qendrore Europiane, në rast se inflacioni nuk do të pësojë rritje të papritura. Megjithatë, në Eurozonë presionet për një ulje të shpejtë të normave të interesit janë më të forta, edhe për shkak të ritmeve shumë të ulëta të rritjes ekonomike./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.