Deri në vitin 2010, tendenca ishte gjithnjë në rritje, ndërsa në 2011-n, shqiptarët shpenzuan më pak në lojëra fati, gati 13 miliardë lekë
Sektori që nuk njeh krizë, duket se është ai i kumarit, ku nga të dhënat rezulton se xhiron miliarda lekë. Shqiptarët njihen nga natyra për kurajën e fortë,
që guxojnë edhe aty ku shanset janë të pakta, me shpresën se një ditë, fati do t’u buzëqeshë. Duke parë ecurinë e xhiros së lojërave të fatit mësojmë se pikërisht,
në vitin më të vështirë të krizës, shqiptarët kanë shpenzuar jo pak, por mbi 18 miliardë lekë. Në vitin 2011, xhiro ra, me 27 për qind, shenjë kjo e mungesës së parave për të luajtur dhe jo e frikës për të provuar sërish.
Ekspertë të fushës gjykojnë se aktiviteti i bixhozit lidhet me situatën ekonomike në vend, me papunësinë dhe nivelin e remitancave, ku natyrshëm frekuentuesit e ambienteve të kumarit janë njerëz të ngeshëm dhe të pashpresë për të ardhmen.
Megjithatë nuk mund të mohohet fakti se lojtarët e mëdhenj gjenden në kazino, sektori ku shteti vjel më shumë, të paktën 250 milionë lekë në muaj, si taksë fikse. Sa më shumë luajnë shqiptarët,
aq më të mëdha janë të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe kjo duket tek ecuria e katër viteve të fundit.
Fenomeni që mposht krizën, sado indiferent dhe të varfër të jemi, janë pikat e shumta të basteve, të cilat, ngado të hedhësh sytë, i gjen në çdo rrugë apo rrugicë të Tiranës, rajon ku shtrihet 1/3 e aktivitetit.
Besnik Çobaj i Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit thotë se nuk është çështje e liberalizimit të tregut se sa e ndjesisë që kanë bizneset, se ky sektor sjell të ardhura.
Luajtëm më pak në 2011-n
Në katër vitet e fundit shihet nga grafikët se 2011-a rezulton me nivelin më të ulët të xhiros, pra shenjë e qartë se u luajt më pak në ambientet e bixhozit, ku futen pikat e basteve, kazinotë me makinat elektronike, si dhe bingot.
Në total, u shpenzuan 5 miliardë lekë më pak, por megjithatë, niveli i të ardhurave nuk ra në atë nivel proporcioni me xhiron, pasi taksat që paguhen janë fikse.
Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (NJMLF) thotë se të ardhurat nga aktiviteti në vitin 2011 janë afërsisht 5 miliardë lekë, por e dhëna nuk është e plotë, pasi deri më 31 mars kompanitë kanë afat të dorëzojnë bilancet (te Tatimet),
megjithatë parashikimet flasin për një nivel që mund të arrijë në 5.1 miliardë lekë.
E njëjta logjikë vlen edhe për xhirot vjetore, të cilat sipas NJMLF-së janë (deri më 15 mars) gati 12.8 miliardë lekë, por parashikimi del me një nivel 13 deri në 13.5 miliardë lekë.
Te kazinotë, kompania paguan një taksë fikse nga 100 mijë deri 400 mijë lekë për çdo sallë të hapur, si dhe një pagesë tjetër fikse mbi çdo makinë, në varësi të rrethit ku operon subjekti. Edhe aktiviteti i basteve sportive,
i paguan taksat mbi zonën ku ushtrohet loja dhe mbi numrin e pikave të hapura. Kompanitë e basteve paguajnë 25 për qind të fitimit në formë tatimi, por shuma e caktuar në ligj nuk mund të jetë më e vogël se 10 milionë lekë për ato që kanë më pak se 99 pika.
Tirana
Është rajoni ku luhet xhiroja më e madhe e basteve, pasi pikat e lojërave të fatit zënë 1/3 në raport me totalin
Shumë kazino, pak liderë
Numri i sallave të lojërave të fatit pësoi rritje në vitin 2011, duke arritur në 174 të tilla, të cilat duhet të kenë një minimum prej 10 makinash elektronike.
Të dhënat tregojnë se operojnë salla deri me 80 makina, ndërsa në total, në të gjithë vendin, janë të regjistruara 2200 slot machine. Për shtetin është e thjeshtë mbledhja e taksave,
pasi kryesisht paguhet mbi bazën e normave fikse, pavarësisht xhiros.
Shoqëritë që menaxhojnë këto salla me makina elektronike janë 38, por vetëm 6 prej tyre drejtojnë tregun. Për t’u veçuar është fakti se nga këto shoqëri, vetëm 22 janë aktive,
ndërsa të tjerat janë pasive, pra kanë ulur qepenin. Drejtori i njësisë që mbikëqyr tregun, thotë se shumë biznese tentojnë të hapin një aktivitet lojërash fati, por shumë shpejt e kuptojnë se nuk është e lehtë.
Fenomen në rritje është ai i pikave të bastit, të cilat tashmë i gjen edhe në kafene. Ekspertët gjykojnë se është vështirë t’i ndash për aq kohë sa bar-kafenetë kanë vënë në dispozicion të subjektit të bastit ambiente të shumta.
Janë mbi 1800 pika, numër tepër i lartë, ku gati 33 për qind janë në Tiranë. Duken shumë, për shkak edhe të logove dhe tabelave që vendosin kudo ku të munden, por janë kafenetë ato që kanë ndikuar në shndërrimin e tregut.
Licencat e pikave të bastit, aty ku provohet shansi me skedinën, zotërohen nga 23 subjekte në të gjithë vendin, por vetëm 7 e ushtrojnë aktivitetin, ndërsa të tjerat qëndrojnë pezull.
Megjithatë, numri i subjekteve aktive apo pikat e bastit, mund të jetë më i madh, duke pasur parasysh se vëzhgimet e njësisë së mbikëqyrjes konstatojnë një nivel informaliteti në masën 40 për qind.
Flet Besnik Çobaj, drejtor i Njësisë së Mbikëqyrjes: Server, për monitorim online të xhiros
Shumë lojëra fati? Vetëm tregu e kufizon numrin e licencave
Si shpjegohet numri i madh i pikave të bastit në Shqipëri, kryesisht në Tiranë? A ka liberalizim të kritereve apo çfarë?
Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, duke mos qenë organ politikëbërës i tregut të lojërave të fatit në Shqipëri, ka si detyrim ligjor vetëm kontrollin e ligjshmërisë dhe mbikëqyrjen e subjekteve të licencuara.
Numri i madh apo i vogël i pikave mund të ketë disa shpjegime, arsyetimi mbi të cilat del jashtë kompetencave të këtij institucioni.
Gjithsesi mund të themi që është tregu dhe konkurrenca e lirë që vendos shpërndarjen e tyre, sigurisht duke respektuar kriteret ligjore për hapjen e tyre.
Për sa i përket pjesës së dytë të pyetjes, nuk ka ndryshim të kritereve as aktualisht dhe as me daljen e ligjit nr. 10033 “Për lojërat e fatit”, më datë 11.12.2008.
Kriteret për licencim dhe hapje-mbyllje pikash janë përcaktuar në këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.
Ku konsiston projekti për monitorimin online të këtyre pikave dhe në çfarë faze është?
Projekti për monitorimin online të lojërave të fatit konsiston në përllogaritjen më të saktë të xhiros së arkëtuar nga subjektet, për çdo pajisje elektronike apo për çdo pikë të basteve sportive apo edhe të bingove.
Po kështu, nëpërmjet këtij sistemi do të bëhet e mundur të kontrollohet edhe fitimi që krijojnë vetë kompanitë e licencuara për çdo pikë të lojërave të fatit. Kjo do të sjellë taksim më të drejtë të subjekteve,
kontroll më të lartë në veprimtarinë e këtyre operatorëve, rritje të konkurrencës, mbrojtje më të mirë të lojtarit, transparencë më të madhe dhe të dhëna statistikore më të sakta.
Ky projekt aktualisht është në fazën e përcaktimit të kritereve referuese që duhet të përmbushë shoqëria/shoqëritë fituese që do të zbatojnë në terren këtë procedurë.
A përbën ky treg rrezik për pastrimin e parave?
Kjo është një pyetje që mund t’ia drejtoni Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, e cila është e specializuar në këtë drejtim.
Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me këtë drejtori. Organizatorët e lojërave të fatit, në zbatim të nenit 3/g, të ligjit nr. 9917, datë 19.5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”,
i ndryshuar, janë subjekt të deklarimeve periodike dhe detyrimeve të tjera.
A planifikohet këtë vit ndonjë aksion për prishjen e makinerive që nuk plotësojnë standardet?
Nëse i referoheni monitorimit online, ju bëjmë me dije se thuajse të gjitha pajisjet e deklaruara që operojnë në vend, do mund të kenë mundësinë e implementimit të kësaj mase,
pasi, sipas ligjit nr. 10333, certifikimi i makinave bëhet vetëm pasi të kenë dokumentacionin e prodhimit dhe të kenë plotësuar disa standarde të caktuara europiane.
Gjithashtu ky treg, në përgjithësi operon me pajisjet më të fundit, pra është një shtysë e vazhdueshme nga vetë operatorët puna me pajisje që i plotësojnë standardet.
Vetë NJMLF-ja nga ana e saj, si detyrim të sajin ligjor ka certifikimin e pajisjeve, dhe ky certifikim mbështetet në disa kritere të caktuara, të cilat janë në linjë me direktivat dhe specifikimet europiane në këtë fushë.
Asnjë pajisje që nuk i përmbush këto kritere nuk certifikohet dhe si e tillë, nuk mund të operojnë në treg.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.