Gjatë këtij viti, në një periudhë kur leku mbeti i zhvlerësuar ndaj euros dhe kërkesa konsumatore pësoi luhatje të vogël, industria ushqimore ruajti me vështirësi nivelin e prodhimit të 2010-s. Sipas vlerësimeve të Këshillit Shqiptar të Agrobiznesit (KASH), industria ushqimore në vend po punon pothuajse në të njëjtat nivele prodhimi të fillimit të vitit të kaluar.
Po të marrim me radhë industritë e veçanta, panorama ka ngjyra të ndryshme. Eksportuesit (përpunuesit me porosi) e konservave të peshkut dhe zorrëve për sallam, iu gëzuan kursit të favorshëm të këmbimit lek-euro, por edhe ringjalljes së kërkesës në tregun italian. Përfaqësues të kësaj industrie pohojnë se po punojnë me më shumë kontrata shitjeje gjatë këtij viti.
Kohë më të mira kanë ardhur edhe për eksportuesit e esencave vajore, të nxjerra nga bimët e egra. Eksportuesit pohojnë se ka rimëkëmbje të kërkesës në tregun europian, veçanërisht në Gjermani. Esencat dhe bimët mjekësore, bashkë me konservat e peshkut, përbëjnë gati gjysmën e vlerës totale të eksporteve bujqësore. Ndaj ekspertët e tregtisë pohojnë se janë krijuar kushte të mira për këto lloj eksportesh. Tjetër është sa arrijnë të shfrytëzohen ato. Sipas Alban Zusit, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve dhe sipërmarrës i një prej fabrikave të konservave të peshkut, “këtë vit ka pasur më shumë shfaqje interesi nga sipërmarrësit italianë”. Por ai tregon se, për të plotësuar një pjesë të kërkesave i duhet të hapë vende të reja pune. “Një investim i tillë është i rëndë për mua dhe për çdo lloj biznesi në kushtet aktuale”, thekson ai. Puna në këto industri do të rritej nëse do të kishte mbështetje direkte nga qeveria për hapjen e vendeve të reja të punës.
Më pak interes përbën për industritë që po përballen me ulje të shitjeve, jo aq për shkak të kërkesës së tkurrur të blerësve, sa për orientimin deri-diku të paorganizuar të investimeve. Kur synojnë vetëm tregun e brendshëm (shifra zyrtare: pak më shumë se 3 milionë konsumatorë), industria e përpunimit të vajit të ullirit, paketimit të vajit vegjetal, industria e blojës, ajo e përpunimit të qumështit dhe deri-diku, edhe industria e përpunimit të mishit kanë një numër të konsiderueshëm ndërmarrjesh. Bizneset që prodhojnë bukë dhe ëmbëlsira u shtuan 15% vetëm në një vit. Numri i kompanive që operojnë në industrinë e qumështit është shtuar mbi 4%. Në tregun shqiptar operojnë në total mbi 2200 ndërmarrje të regjistruara, sipas vlerësimeve të Ministrisë së Bujqësisë.
Enver Ferizaj, kryetar i Shoqatës së Agrobiznesit, pohon se kompanitë janë vendosur në zonat ku duhet të prodhojnë. Megjithatë, kur kërkesa nuk është rritur dukshëm, numri i shtuar i ndërmarrjeve vetëm sa ka rritur koston e çdonjërës prej saj. Kjo vërtetohet edhe nga përfaqësues të industrisë, të cilët raportojnë më pak shitje. Ndërkohë që shitjet në total nuk kanë rënë.
Një tjetër peshë për industrinë ushqimore, por mbi të gjitha për konsumatorët, ishte taksa e ambalazhit. Prodhuesit e ujit, qumështit, vajit, raportuan se rritën çmimet gati 10% vetëm për këtë arsye. Shumë më pak u rritën çmimet e konservave të perimeve. Prodhuesit e këtij sektori tregojnë se po shesin më pak se një vit më parë, ndaj nuk mund të mendojnë të rrisin çmimet. çmimet e prodhimeve bujqësore nuk kanë ndryshuar krahasuar me një vit më parë. Enver Ferizaj thotë se “industritë e konservave po blejnë perime me të njëjtat çmime të një viti më parë”. Por prodhuesit theksojnë se tek ta rëndon ndjeshëm kostoja e ambalazhit. Në këtë sektor, ajo llogaritet të zërë 55% totalit të kostos së prodhimit.
2010 – Agroindustria rritet 5%
Prodhimi agroushqimor në vend pësoi rritje prej 5.3% në 2010-n krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave statistikore të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (MBUMK), vlera e prodhimit agroushqimor arriti në 55.51 miliardë lekë. Ministria e Bujqësisë vazhdon të marrë për bazë çmimet e vitit 2006 në përllogaritjen e vlerës së prodhimit. Krahasuar me pesë vite më parë, çmimet janë rritur në mënyrë të dukshme, ndaj edhe vlera reale e prodhimit, sipas ekspertëve të tregtisë, është shumë më e lartë.
Por të dhënat zyrtare të vlerës së prodhimit na shërbejnë për të parë luhatjen në sasi të prodhimit nga viti në vit, ndonëse ekspertët e tregtisë vlerësojnë se sasia e raportuar për shumë produkte ka gjasa të jetë më e ulët se prodhimi i realizuar.
Sipas të dhënave statistikore, vitin e kaluar është rritur prodhimi i produkteve kryesore. Prodhimi i ujit u rrit gati 8% krahasuar me një vit më parë, ai i birrës 29%. Rritjen më të madhe e pësoi prodhimi i sallamit dhe proshutës. Sipas MBUMK-së, në 2010-n u prodhuan 6.65 miliardë lekë, 90% më shumë se një vit më parë.
Më pak prodhime brumi dhe alkool
Tendenca e përmirësimit të konsumit, e vërejtur në vitin 2009, vazhdon, ndonëse ritmet konsumatorët hodhën në shportat e tyre më shumë produkte të konservuara e gjysmë të gatshme gjatë vitit që shkoi krahasuar me vitin e mëparshëm.
Agropërpunuesit tregojnë se politikat e tyre të prodhimit nxiten nga kërkesat e konsumatorëve në treg. Sipas tregtarëve, te prodhimet e përpunuara, kërkesa është rritur për produktet me çmim e cilësi mesatare.
Sipas të dhënave të agroindustrisë, shqiptarët konsumuan më shumë prodhime mishi vitin e kaluar. Krahas rritjes së prodhimit të sallameve dhe proshutave, u tregtua edhe më shumë mishi i freskët.
Sipas të dhënave të industrisë, shqiptarët konsuamuan më pak prodhime brumi. Sipas këtyre të dhënave, u prodhuan 26% më pak makarona krahasuar me një vit më parë. Në 2010-n u prodhuan rreth 30 mijë tonë makarona në vend. Te brumërat me vlerë të lartë, rënia më e theksuar prek pastiçeritë e piceritë. Me një sasi të llogaritur prej 5.5 mijë tonësh, prodhimi i tortave, pastave e picave ra gati 60% krahasuar me vitin 2009.
Por brumërat vazhdojnë të zënë peshën më të madhe në prodhimin e industrisë ushqimore shqiptare. Vitin e kaluar, totali i vlerës së prodhimit të miellit dhe nënprodukteve të tij (bukë, pica, ëmbëlsira etj.) përbënte gati 40% të vlerës së prodhimit agroushqimor, duke ruajtur të njëjtën peshë të vitit të kaluar.
Buka vazhdon të zërë peshën më të madhe në prodhim, me rreth 13% të totalit. Siç vërehet edhe nga grafiku i mësipërm, prodhimi ruajti të njëjtat vlera të një viti më parë. Krahasuar me dy vite më parë, prodhimi i bukës është në vlera shumë më të larta dhe sipas ekspertëve të tregtisë, kjo shpjegohet me uljen e konsumit të prodhimeve të tjera të brumit.
Vitin e kaluar, tkurrje të madhe të prodhimit pësoi edhe industria e pijeve, kryesisht për shkak të uljes së prodhimit të pijeve freskuese. Pesha e tyre, në totalin e prodhimit agroushqimor, u përgjysmua krahasuar me dy vite më parë. Pijet freskuese, dy vite më parë, zinin 11% të totalit të prodhimit të agroindustrisë.
Deri në vitin 2008, prodhimi i këtyre pijeve kishte tendencë rritje. Prej dy vitesh, po shënon rënie edhe industria e prodhimit të pijeve alkoolike (përjashtuar birrën). Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, sasia e verës së prodhuar ra 20%, ajo e konjakut 50%, e rakisë 40%.
Rritet 50% vaji i ullirit
Në varësi të prodhimit të ullirit, edhe industria e vajit të ullirit po i përshtatet kushteve natyrale të këtij produkti. Pas rënies së theksuar të 2009-s, prodhimi u rrit mbi 50% vitin e kaluar. Sipas të dhënave të agropërpunimit në vend, vitin e kaluar u prodhuan 7.8 mijë tonë vaj ulliri. Prodhimi gjeti më shumë vend në rrjetet e shitjes me pakicë brenda vendit, ndërsa u shfrytëzuan pak për të rritjen e eksporteve.
Shpresa Shkalla, prodhuese e vajit të ullirit në vend, tregon se industria e vajit varet tërësisht nga furnizimi i lëndës së parë. Sipas saj, për vitin e kaluar pati më shumë prodhim të ullirit në vend. Ekspertët e bujqësisë mendojnë se, luhatja e përvitshme e këtij prodhimi është pasojë e mungesës së shërbimit të ullirit dhe prodhimit të tij në kushte natyrale. Sipas të dhënave të tregut, prodhimi i vajit të ullirit vendas shkon kryesisht për furnizimin e tregut të brendshëm dhe plotëson rreth 70% të kërkesës.
Më shumë ujë të gazuar
Sasia e ujit të përpunuar që u hodh në treg vitin e kaluar u rrit me 7.5% krahasuar me 2009-n. Sipas të dhënave të MBUMK-së, vlera e këtij prodhimi ishte 3.1 miliardë lekë dhe ndikimin më të madh në këtë rritje e dha prodhimi i ujit të gazuar (40% rritje). Uji mineral natyral ruajti të njëjtat vlera prodhimi. Sasia e prodhuar ishte gati 57 mijë hektolitra. Prodhimi i ujit të gazuar arriti në 19.6 mijë hektolitra.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.