Çfarë hanë europianët për Krishtlindje?
Cilat janë ëmbëlsirat pa të cilat nuk mund të imagjinohen festimet e Krishtlindjeve?
Lexoni më poshtë se cilat janë ëmbëlsirat për Krishtlindje më të famshme në çdo vend të BE-së
1.Itali – Panettone
Italianët dinë të festojnë me shije dhe nuk kursehen tek ëmbëlsirat. Në fakt, edhe vetë italianët mund të kenë pak vështirësi të vendosin se cila është ëmbëlsira e tyre e preferuar e Krishtlindjeve. Por sipas shifrave të shitjeve, është Panettone, një bukë e ëmbël milaneze me maja, tradicionalisht e mbushur me agrume të ëmbëlsuara dhe rrush të thatë.
Por lista e ëmbëlsirave italiane është e gjatë dhe përfshin Pandoro-n, një bukë e ëmbël veroneze pa fruta të ëmbëlsuara, Torrone, Mostaccioli dhe Frutta di Martorana.
2.Gjermani – Stollen
Stollen, një bukë e ëmbël e rëndë, e mbushur me përbërës të ndryshëm, si fruta të ëmbëlsuara ose të thata, arra, erëza dhe rrush të thatë i zbutur me rum, ka qenë një element kryesor i festimeve të Krishtlindjes në Gjermani, të paktën që nga fillimi i shekullit XIV.
Kjo nuk do të thotë se ëmbëlsirat e tjera nuk konkurrojnë me Stollen në vend të parë. Ndër ëmbëlsirat e tjera për Krishtlindje në Gjermani përmendim Lebkuchen, një nga varietetet më të famshme të biskotave me xhenxhefil në botë, dhe Pfeffernüsse, biskota të vogla të mbuluara me krem të bardhë. Edhe karamelet Marzipan candy dhe Rumkugeln janë gjithashtu të dashura në këtë sezon.
3.Spanjë – Turron Nougat
Dihet se Krishtlindjet në Spanjë nuk mund të imagjinohen pa Turron, një lloj ëmbëlsire spanjolle. Ajo që e dallon nga ëmbëlsirat e tjera në Europë është përmbajtja e lartë e frutave të thata. Si Turron de Alicante edhe Turron de Jijona duhet kenë mbi 60% të peshës së tyre në bajame. Ëmbëlsira të tjera tradicionale për Krishtlindje janë Biskotat Polvorón dhe marzipan, në veçanti ai i stilit Toledo-s.
4.Francë – Bûche de Noël
Në Francë nuk mungojnë specialitetet e ëmbla që shërbehen gjatë festave të fundvitit, por Bûche de Noël është më e pëlqyera në mënyrë absolute dhe është bërë ëmbëlsira franceze më e rëndësishme e Krishtlindjes në sytë e botës.
Fakt interesant është se Bûche de Noël është ëmbëlsirë më e re se të tjera ëmbëlsira franceze si Biskotat Bredele, Pâte de Coing apo Nonettes.
5.Luksemburg – Äppelklatzen
Ndikimi i Gjermanisë dhe Francës fqinje është shumë i dukshëm në Luksemburg, me Stollen, kekun Yule Log dhe biskota me xhenxhefil, të gjitha elementet kryesore të sezonit të Krishtlindjeve. Ndër ëmbëlsirat lokale, Äppelklatzen është e preferuara në mënyrë absolute.
6.Belgjikë – Speculaas dhe Speculoos
Edhe pse emrat duken të ngjashëm, Speculaas and Speculoos janë dy biskota të ndryshme. Biskotat Lotus janë Speculoos më të famshme belge dhe shpesh një element i festave të Krishtlindjeve, si biskota, po ashtu edhe si përbërës në ëmbëlsira të tjera.
7.Holandë – Banketstaaf
Banketstaaf ose në holandisht Banket Letter është një ëmbëlsirë e mbushur me pastë bajame apo persipan, zakonisht në formë letre.
Zakonisht shërbehet dhe hahet më 5 dhjetor, për Sinterklaasavond apo në vigjilje të Shën Nikollës, festa origjinale e dhuratave. Sot shërbehet gjatë gjithë muajit, duke u bërë një nga ëmbëlsirat kryesore të sezonit. Holanda është një tjetër vend, ku Marzipan figurines janë një element i rëndësishëm i Krishtlindjes, që shpesh jepen si dhuratë.
8.Portugali – Bolo Rei (Torta e Mbretit)
Siç thotë emri, Bobo Rei (Torta e Mbretit) është ëmbëlsira kryesore e periudhës së Krishtlindjeve në Portugali. Në fakt është e detyrueshme të hash pakëz prej saj në ditën e Krishtlindjeve, edhe nëse nuk ju pëlqen. Bolo Rei është një lloj keku me fruta, arra dhe rrush të thatë të kristalizuar.
Ai përmban një objekt të vogël (tradicionalisht një fasule të thatë, por sot është e zakontë një monedhë metalike). Kush e gjen objektin e fshehur në fetën e tij do të paguajë kekun vitin e ardhshëm.
Ekziston edhe një version i kekut, i quajtur Bolo Rainha, ose Torta e Mbretëreshës. Në thelb është e njëjta por nuk përmban fruta të kristalizuara, vetëm rrush të thatë dhe arra. Formigos de Natal janë një tjetër ëmbëlsirë tradicionale e festave.
9.Bullgari – Banitsa
Banitsa është një bukë me shumë shtresa. Fletët e hola të pastës mbështillen rreth mbushjes dhe më pas piqen në furrë. Banitsa tradicionalisht përgatitet në Bullgari për festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Mund të jetë e kripur (mbushja më e njohur e Banitsa është me vezë të skuqura, kos natyral dhe djathë) ose e ëmbël (e mbushur me mollë ose kunguj, sheqer dhe arra).
10.Kroaci – Kroštule
Kroštule apo Hrustule janë shirita brumi të skuqur të cilave u hidhet shumë sheqer pluhur. Kroštule ndryshe quhen edhe krahët e engjëllit. Ëmbëlsira të tjera tipike për Krishtlindje janë edhe Kiflice, biskota në gjysmëhënë me shije vanilje dhe Breskvice, biskota rozë me dy shtresa në formë pjeshke.
11.Republika e Qipros – Gennopitta
Greqia dhe Qipro kanë shumë pjata të përbashkëta, duke përfshirë edhe ëmbëlsirat e Krishtlindjeve, por Gennopitta është padyshim një specialitet i Qipros. Ajo përgatitet në vigjilje të Krishtlindjeve dhe hahet në ditën e Krishtlindjeve.
Zbukurohet me një kryq prej brumi sipër dhe mbulohet me fara suzami. Gennopitta duhet të simbolizojë lindjen e Krishtit ndaj quhet edhe Christopsomo. Ndërsa biskotat më të njohura në Qipro janë Kourabiedes.
12.Greqi – Melomakarono
Melomakarono ose Melomakarona janë biskota me mjaltë në formë veze të mbushura me hurma dhe arra. Ëmbëlsira të tjera greke, tipike të festave dimërore përfshijnë Kourabiedes (biskota) Vasilopita (kek grek për Vitin e Ri).
13.Republika Çeke – Vánoční Cukroví
Vánoční Cukroví përkthehet fjalë për fjalë “ëmbëlsira të Krishtlindjes” dhe janë biskota me sheqer tradicionale për Krishtlindjet në Çeki. Brumit shpesh i jepet formë në figura të ndryshme të lidhura me festat, si pemë Krishtlindjesh, yje ose flokë bore dhe zbukurohet me krem shumëngjyrësh. Ëmbëlsira të tjera tipike çeke të Krishtlindjeve përfshijnë Strudelin me mollë dhe Pernik (biskota me xhenxhefil).
14.Austri – Vanillekipferl
Ëmbëlsirat austriake të Krishtlindjeve shpesh ndërthuren me të tjera të njohura në rajon, si Speculaas, Lebkuchen gjermane dhe Rumkugeln.
Por Vanillekipferl janë me shumë gjasa ëmbëlsira më karakteristike e Austrisë për Krishtlindje. Bëhet fjalë për një biskotë të vogël, me formë gjysmëhëne, e bërë me arra (por të zakonshme janë edhe bajamet dhe lajthitë) dhe me sheqer vanilje. Kanë lindur në Vjenë, dhe ende sot është ndër më të pëlqyerat në kafetë vjeneze.
15.Sllovaki – Makovník
Makovnik sllovak ka shumë ngjashmëri me Makowiec polak, i realizuar në mënyrë të ngjashme, me një fletë të hollë brumi e mbushur me një shtresë të trashë përzierjeje me farat e lulekuqes. Nëse ka një ëmbëlsirë tradicionale sllovake për Krishtlindje që mund ta konkurrojë Makocnik është Medvedie Labky (Putrat e ariut), biskota të bëra me sasi të madhe gjalpi, vezë, arra dhe kakao.
16. Danimarkë – Risalamande
Ëmbëlsirë tradicionale daneze, që shpesh shërbehet gjatë darkës apo drekës së Krishtlindjeve (Julefrokost), Risalamande është një lloj pudingu me oriz të ëmbël.
Ai dallon nga ëmbëlsirat e tjera të ngjashme, pasi pudingu përzihet me krem pana, duke bërë një ëmbëlsirë edhe më të ëmbël. Ëmbëlsira të tjera për Krishtlindje janë Brunkager dhe Klenät, versioni danez i krahëve të engjëllit, i ngjashëm me Kroštule.
17. Suedi – Lussebulle
Lussebulle është një simite suedeze me shafran. Teknikisht bëhet fjalë për një ëmbëlsirë tipike të ditës së Shën Luçias (më 13 dhjetor) dhe shërbehet gjatë periudhës festive.
Risgrynsgröt është pudingu me oriz për Krishtlindje.
Zakonisht shërbehet me sheqer dhe kanellë ose, më rrallë, me salcë me lëng frutash. Në fund, por jo më pak e rëndësishme, Suedia bën pjesë në listën e gjatë të vendeve që nuk mund të bëjnë pa biskota me xhenxhefil, ose më mirë gingersnap, gjatë festave të dimrit. Biskotat suedeze gingersnap quhen Pepparkakor.
18. Finlandë – Joulutorttu
Joulutorttu është një ëmbëlsirë, e mbushur me reçel të ëmbël kumbulle. Nëse Joulutorttu është padyshim mbreti i sezonit, biskotat finlandeze me xhenxhefil, Piparkakut, e konkurrojnë fort. Ëmbëlsira të tjera të njohura të sezonit përfshijnë Maustekakku, kek finlandez me erëza dhe Riisipuuro, puding me oriz të ëmbël, i shërbyer me kanellë.
19.Estoni – Piparkook
Festat tipike estoneze përqendrohen më shumë tek ushqimet shijshme se ato të ëmbla. Kekët dhe frutat e freskëta si mollët dhe portokajtë janë tipike, por e vetmja ëmbëlsirë karakteristike estonese është Piparkook, biskota të holla me xhenxhefil dhe erëza. Në Estoni, zakonisht Piparkook përgatitet në shtëpi, megjithatë, shumë familje e thjeshtojnë procesin duke marrë brumë të përgatitur paraprakisht.
20.Hungari – Bejgli
Bejgli është një ndërthurje e brumit të shkrifët dhe mbushjes së pasur me fara lulekuqe ose pastë arre. Në Hungari është gjithnjë e më e përhapur në mbushje edhe shtimi i qershive, kumbullave, gështenjave dhe mollëve.
Produkte të tjera hungareze për Krishtlindje janë Fatörzs, versioni hungarez i kekut francez Yule Log dhe Szaloncukor, karamele e mbuluar me çokollatë. Zakonisht mbështillen me letër shumëngjyrëshe dhe varet si dekor.
21.Rumani – Cozonac
Cozonac rumune është një bukë e ëmbël, e cila përgatitet me maja dhe me një sasi të madhe vezësh, qumështi dhe gjalpi. Piqet tradicionalisht për raste të veçanta dhe është një ëmbëlsirë tradicionale për Pashkët dhe Krishtlindjet. Karamelet hungareze Szaloncukor janë një tjetër ëmbëlsirë e njohur në Rumani gjatë sezonit të Krishtlindjeve.
22.Slloveni – Potica
Potica sllovene është në njëfarë mënyre e ngjashme me ëmbëlsirat me fara lulekuqe, por shtresa e kekut është shumë më e hollë dhe rrotullohet disa herë, duke krijuar shumë shtresa.
Potica mund të mbushet me përbërës të ndryshëm, por arrat janë më të zakonshmet. Është një kek tradicional festiv, që shërbehet për Pashkë dhe Krishtlindje.
23.Irlandë – Pudding irlandez për Krishtlindje
Pudingu irlandez, i njohur si Plum Pudding, është një recetë lokale e pudingut britanik për Krishtlindje. Është i ëmbël, i pasur me rum, i aromatizuar me fruta të thata, erëza, raki dhe uiski irlandez.
24.Letoni – Piparkūkas
Letonia është një tjetër vend ku një biskotë e hollë xhenxhefili është protagonist i periudhës së Krishtlindjeve. Në Letoni quhet Piparkūkas.
Mellenu Klimpas, një supë gjysmë e trashë me boronica dhe me peta të ëmbla të bëra nga miell gruri, qumësht, vezë dhe sheqer, është një tjetër specialitet, e cila shpesh shërbehet si ëmbëlsirë pas darkës së Krishtlindjes.
25.Lituani – Kūčiukai
Në Lituani, vakti tradicional i Krishtlindjeve është disi i ndërlikuar dhe përfshin dymbëdhjetë pjata shumë specifike. Nuk mund të ketë ushqim të nxehtë, mish ose bulmet. Kūčiukai është pjata e fundit që shërbehet, duke funksionuar automatikisht si ëmbëlsirë.
Është një bukë e vogël e thatë, e ëmbëlsuar me pak sheqer. Kūčiukai shpesh shërbehet i njomur me qumësht lulekuqe ose boronicë, duke rritur nivelin e ëmbëlsisë.
26.Maltë – Maltese Christmas Log
Ëmbëlsira tradicionale malteze ka më shumë ngjashmëri me sallamin italian me çokollatë. Baza bëhet me biskota me gjalpë të grimcuar, arra dhe qumësht të kondensuar, ndonjëherë duke i shtuar fruta të ëmbëlsuara. Përzierja rrotullohet në formë trungu dhe lihet për pak kohë. Pasi të jetë ngurtësuar, mbulohet me krem çokollate dhe zbukurohet që të duket si një trung peme.
27. Poloni – Makowiec
Roli i farave të lulekuqes mbretëron edhe një herë! Vetëm se versioni polak quhet Makowiec. Ndryshe nga Bejgli hungarez, është e rrallë të gjesh një version të ri të ëmbëlsirës. Ajo bëhet më shpesh në mënyrën tradicionale, me një fletë të hollë paste, me bazë maja të lyer me një shtresë përzierjeje të farës së lulekuqes së ëmbël, më pas rrotullohet së bashku për të formuar një trung.
Shtresa e farës së lulekuqes shpesh përmban rrush të thatë dhe fruta të ëmbëlsuara. Polonia është një tjetër vend ku sezoni nuk mund të imagjinohet pa biskota me xhenxhefil. Keku me xhenxhefil polak quhet Pierniczki.
/ Yummybazaar