Cili është hobi juaj i preferuar? Ju pëlqen të ndërtoni varka të vogla në shishe apo të koleksiononi kukulla? Ndoshta jeni koleksionistë të kartave të bejsbollit apo pëlqeni të blini sende të lira e t’i ndreqni për t’i shitur më shtrenjtë? Ndoshta hobi juaj kushton, por me siguri jo edhe aq krahasuar me hobet më të shtrenjta në botë.
Vallëzim ballosh
Mund të keni parë serialin televiziv “Dancing with the Stars”, që sjell në vëmendje të publikut kërcimin konkurrues të ballove, por a e dinit që vetëm fustani i përshtatshëm për këtë vallëzim mund të kushtojë nga disa qindra deri në disa mijëra dollarë? Shtoni tarifat e konkurseve, mësimet e vallëzimit, transportin, akomodimin dhe shpenzimet e tjera që e shoqërojnë këtë hobi luksoz, dhe do të shpenzoni më shumë se 10,000 USD në vit. Për individët që thjesht duan të dëfrehen dhe jo të konkurrojnë, kostot janë shumë më të ulëta.
Aviacioni
Kostot e marrjes së licencës private të pilotit mund të jenë rreth 5,000 USD ose diçka më pak, në varësi të disa faktorëve, por ky është vetëm fillimi i investimit. Blerja e një aeroplani privat mund të shkojë deri në 100,000 USD ose më shumë dhe për këtë, pjesa më e madhe e pilotëve anëtarësohen në një klub fluturimesh, ku marrin me qira një aeroplan për një periudhë të caktuar kohe. Së bashku me anëtarësinë e klubit, qiraja e aeroplanit fillon me 80 USD në orë. Ka shumë faktorë që ndikojnë te çmimi, por diçka është e sigurt: Fluturimi është shumë i shtrenjtë.
Hedhjet me parashutë
Të paguash 150-250 USD për një hedhje mund të mos duket shtrenjtë, por kur mendohet se kjo hedhje zgjat vetëm një minutë, atëherë çmimi fillon të duket i kripur. Sipas ekspertëve, mënyra më e mirë për të ulur çmimin është të pajisesh me certifikatë. Certifikimi kushton 1,500 USD, ndërsa hedhja me parashutë në një rast të tillë, vetëm 20 USD.
Alpinizmi
Ky sport është jo vetëm fizikisht i rrezikshëm, por edhe financiarisht i tillë. Ngjitja në Malin Everest kushton nga 8,000 deri në 13,000 USD, në varësi të llojit të pajisjeve të kampingut dhe ngjitjes që duhet të bëni. Shtojini kësaj tarifat e guidës, lejet dhe kostot e tjera shoqëruese dhe bëhuni gati për një aventurë të shtrenjtë.
Zhytje me palombar
Pajisjet kushtojnë 500 USD ndërsa certifikimi varion nga 300 – 500 USD. Për këdo që e ka marrë seriozisht zhytjen me palombar, janë të përshtatshme vendet më piktoreske dhe ekzotike. Nëse jeni në gjendje të shmangni biletën ajrore që fillon nga 1,500 USD për të shkuar në vendet e duhura, hobi juaj nuk do të kushtojë edhe aq shtrenjtë. Por rrallëherë zhytësit dhe të pasionuarit e zhytjes me palombar, kënaqen me detet dhe liqenet vendase.
Përfundimi
Këto hobi janë të shtrenjta, por kjo nuk i ka ndaluar njerëzit të marrin pjesë në to, madje të investojnë mijëra e mijëra dollarë për të shijuar pasionin e tyre deri në fund.