Megjithëse shumica prej nesh do të preferonim që punonjësit të ishin të lumtur në vend që të ndiheshin të pakënaqur, natyra e lumturisë është kaq komplekse saqë shpesh duket si diçka që nuk është detyra e një punëdhënësi që ta ofrojë.
Në fund të fundit, siç e përshkruan Richard Easterlin në paradoksin që mban emrin e tij dhe në librin e fundit “Mësimet e një ekonomisti mbi lumturinë”, mirëqenia financiare shpesh ka ndikim mjaft të kufizuar në lumturinë tonë të përgjithshme.
Një studim nga Universiteti i Oksfordit zbuloi se punonjësit e lumtur janë rreth 13% më produktivë se kolegët e tyre të pakënaqur. “Ne zbuluam se kur punonjësit janë më të lumtur, ata punojnë më shpejt duke bërë më shumë telefonata për orë pune dhe, më e rëndësishmja, realizojnë më shumë shitje,” thanë studiuesit.
Studiuesit kanë arritur në të njëjtin përfundim me gjetjet e Easterlin, duke theksuar se puna me pagesë nuk ka të bëjë dhe aq shumë me lumturinë tonë. Por atëherë, çfarë ndikon te lumturia? Përgjigjja mund të vijë nga akademiku i Harvardit, Tal-Ben Shahar, i cili përshkruan atë që ai beson se është çelësi i lumturisë në librin e tij të botuar së fundmi, “Studimet për Lumturinë”.
5 përbërësit e lumturisë – Shpirtërore, Fizike, Intelektuale, Relacionale, Emocionale
Ai i referohet nevojës për t’u përqendruar plotësisht te vetja për të qenë vërtet të lumtur. Vetëm kur “e gjithë qenia jonë” të jetë e kënaqur, do të jemi në rrugën e duhur. Duke bërë këtë, mund të fillojmë të kuptojmë komponentët e ndryshëm që na bëjnë ata që jemi dhe kështu mund të trajtojmë këto aspekte të qenies sonë, si dhe marrëdhëniet midis tyre.
“Çdo element i qenies sonë – çdo pjesë që formon të tërën – përbën një rrugë indirekte drejt tokës së premtuar të lumturisë,” shkruan ai. “Në përputhje me natyrën ndërdisiplinore të studimeve të lumturisë, unë kam arritur të shikoj të gjithë qenien si një variabël shumëdimensionale, shumëplanëshe që përfshin mirëqenien shpirtërore, mirëqenien fizike, mirëqenien intelektuale, mirëqenien relacionale dhe mirëqenien emocionale.”
Këto pesë elemente na lejojnë që në mënyrë indirekte të bëhemi më të lumtur, qoftë nëpërmjet ushtrimeve në mënyrë të rregullt, punës me një qëllim të caktuar, mësimit të vazhdueshëm dhe kohës cilësore me familjen dhe miqtë, por Beh-Shahar beson se ka një sërë gjërash që mund të përpiqemi t’i ofrojmë në vendin e punës për të pasur punonjës më të lumtur.
Lumturia shpirtërore
Për shembull, për sa i përket lumturisë shpirtërore, gjëja kryesore është të arrish atë lloj jete të mbushur me qëllime, për të cilën është diskutuar kaq shpesh vitet e fundit. Pavarësisht se ajo që shumë e përshkruajnë si “përvoja shpirtërore” mund të mos përbëjë kuptimin e punës sonë, Ben-Shahar beson se spiritualiteti është në thelb kërkimi i kuptimit.
Nëse po kërkoni të bëni ndryshime në këtë drejtim, mund të filloni të zbatoni atë që njihet si “job crafting”, i cili në thelb është një proces gjatë të cilit punëdhënësi dhe punonjësi punojnë së bashku për të krijuar punën në mënyrë të tillë që ajo të krijojë te punonjësi ndjesinë e kuptimit dhe të qëllimit në vendin e punës. Studimet kanë treguar se ky proces jo vetëm që i bën punonjësit më produktivë, por edhe më të angazhuar me punëdhënësin dhe më të lumtur në jetën e tyre.
Lumturia fizike
Shëndeti fizik padyshim ka marrë një rol më të rëndësishëm gjatë pandemisë së Covid-19, kur njerëzit jo vetëm që duhet të merrnin masa për t’u mbrojtur nga sëmundja, por duhet të përballonin edhe stresin e shumtë të 18 muajve të fundit. Kjo situatë e ka rivendosur theksin te rëndësia që kanë aspekte të tilla si gjumi i mirë, stërvitja dhe regjimi i shëndetshëm për lumturinë dhe efektivitetin tonë në punë.
Gjithnjë e më shumë po vihet re se menaxherët shfaqin interes më të madh për të gjithë jetën e punonjësve të tyre. Aktivitete të tilla si ushtrimet fizike është provuar se nxisin jo vetëm mirëqenien fizike të punonjësve, por edhe kohezionin dhe ndjenjën e bashkësisë së ekipit.
Shëndeti intelektual
Për lumturinë intelektuale, Ben-Shahar beson se çelësi është kurioziteti. Ne po jetojmë në një epokë ku duhet të mësojmë gjatë gjithë jetës. Është thelbësore që ne të gjithë të jemi në gjendje të përshtatemi me ritmin e shpejtë të ndryshimeve që ndodhin në botën përreth nesh. Nuk është më e mundur që vetëm një pjesë e vogël e organizatës të jetë përgjegjëse për të menduar në mënyrë kritike dhe për të mësuar vazhdimisht, ndërsa pjesa tjetër thjesht të vazhdojë me rutinën e përditshme.
Për të zhvilluar kulturën e kuriozitetit në një organizatë, nevojitet jo vetëm siguria psikologjike që i lejon njerëzit të thonë mendimin e tyre edhe kur ai është kundra rrymës, por edhe krijimi i kushteve të duhura për të mundësuar ngjalljen e kuriozitetit.
Lumturia relacionale
Pandemia e Covid-19 ka hedhur dritë mbi rëndësinë që kanë të tjerët në lumturinë tonë, pasi vetmia arriti norma endemike.
Miqësitë në vendin e punës janë lidhur ngushtësisht me lumturinë dhe qëndrimin e punonjësve për një kohë të gjatë në të njëjtin vend pune. Natyra virtuale e pjesës më të madhe të jetës së punës gjatë Covid-19 e ka bërë pak më të vështirë ndërtimin e këtyre marrëdhënieve dhe, për këtë arsye, është e rëndësishme që jeta pas Covid-it të adresojë mangësitë e shkaktuara.
Ben-Shahar sugjeron gjithashtu se është e rëndësishme që të inkurajojmë veten dhe të tjerët që t’u japim bujarisht nga vetja atyre që na rrethojnë. Adoptimi i një qasjeje të hapur dhe ndihmuese ndaj punës sonë është provuar nga Adam Grant se është i suksesshëm jo vetëm për ne si individë, por edhe për ekipet dhe organizatat tona.
Mirëqenia emocionale
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, lidhet me emocionet tona. Shpesh mund të biem në grackën e të menduarit se emocionet nuk kanë vend në mjedisin e punës, pasi ato nuk tregojnë profesionalizëm. Por, Ben-Shahar thotë se kjo nuk është produktive. Nëse menaxherët duan të inkurajojnë ҫdo “element të qenies sonë”, atëherë emocionet janë një pjesë shumë e rëndësishme e saj. Kjo gjë po vihet re gjithnjë e më shumë në vendin e punës me vlerësimin që tregohet për ndjenja të tilla si pikëllimi, por edhe për ankthet që janë shfaqur gjatë pandemisë.
Menaxherët duhet të jenë në gjendje të mirëkuptojnë emocionet e stafit për t’i mundësuar atyre që të jenë vërtet të lumtur dhe të angazhuar. Kjo gjë mund të jetë hapi i parë pozitiv drejt arritjes së një kulture të tillë.
Arritja e lumturisë në kohë të tilla të pasigurta nuk është aspak e lehtë, por ndjekja e qasjes së 5 komponentëve për të arritur këtë lumturi, do t’ju bëjë të ecni në drejtimin e duhur. Pavarësisht nëse menaxhoni vetëm veten ose menaxhoni të tjerët, arritja e lumturisë është diçka që duhet ta aspironi. / Forbes