Miliona njerëz e kanë lënë punën e tyre gjatë muajve të fundit.
Disa prej tyre gjetën punë të reja, ndërsa të tjerë u larguan pa pasur asnjë ofertë tjetër. Pra, si mund ta kuptoni nëse është koha që të filloni të kërkoni një punë të re?
“Shumë prej nesh qëllon të kenë ditë të këqija, me raste nuk na pëlqen puna që kemi dhe kemi hatërmbetje me menaxherët apo kolegët tanë, por nëse duhet ta lini punën apo jo është një pyetje e një tjetër niveli,” tha Amy Gallo, eksperte për vendet e punës dhe redaktore në Harvard Business Review.
Procesi i vlerësimit të kohës gjatë së cilës keni pasur probleme me punën dhe identifikimi i gjërave me të cilat jeni të pakënaqur, mund t’ju ndihmojnë për të përcaktuar nëse keni ngecur në një moment të vështirë apo nëse është koha për të lëvizur.
Dhe mos harroni të konsideroni rrethanat më madhore: “Gjatë pandemisë, gjërat kanë qenë shumë intensive. Të gjithë kemi pasur shumë mbingarkesë e lodhje. Të gjithë kemi qenë të stresuar në jetët tona,” tha Gallo. “A ka gjasa që e gjithë kjo të jetë duke ndikuar në perceptimin që keni për punën tuaj?”
Pasi të bëni listën e problemeve, identifikoni nëse ato mund të rregullohen dhe filloni të përshkruani ndonjë zgjidhje të mundshme për të përmirësuar kënaqësinë tuaj në punë. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë do të ishte mirë të filloni të kërkoni një punë tjetër.
Këtu janë disa shenja që mund t’ju sinjalizojnë se është koha për të gjetur një punë të re:
Ndiheni sikur jeni në vendnumëro
Është e vështirë të jeni të motivuar dhe produktiv në punë nëse mendoni se nuk ka hapësira për avancim.
Ndjesia sikur jeni në vendnumëro mund të vijë ndryshe për secilin individ. Për shembull, mund të nënkuptojë mungesë promovimesh ose rritje pagash, detyra jo interesante ose pamundësia për të mësuar aftësi të reja.
Premtimet afatgjata të paplotësuara nga shefi juaj, si për shembull një pozicion i ri, trajnime ose staf shtesë, mund të kenë mbushur kupën e durimit tuaj.
Keni probleme madhore me shefin
Do të ketë patjetër raste kur ju dhe shefi juaj nuk e shihni dot njëri-tjetrin në sy, por kur çështjet shkojnë përtej mosmarrëveshjeve të rastit dhe ka mungesë besimi e mbështetjeje, kjo mund t’i japë fund produktivitetit dhe përparimit në karrierë.
“Kur ndiheni sikur duhet të jeni vazhdimisht të kujdesshëm për atë që thoni…kur ndiheni sikur jeni duke u qortuar ose vlerësuar vazhdimisht, sikur jeni vazhdimisht nën një mikroskop dhe kur mendoni se menaxheri juaj nuk ju mbështet, atëherë nuk ka besim në këtë mes – kur këto tri gjëra janë të pranishme, nuk do të funksionojë,” tha Foram Sheth, shefe e trajnimeve dhe bashkëthemeluese e kompanisë së trajnimeve Ama La Vida.
Gallo sugjeroi të vlerësoni nëse shefi juaj i keq është një problem i izoluar apo pjesë e një çështjeje më të madhe kulturore në kompaninë tuaj.
“Çdo sjellje ngacmuese apo toksike, mendoj se është një shenjë reale”, tha Gallo. “Shikoni përreth organizatës tuaj dhe thoni: ‘a ka shefa më të mirë këtu?’ Mund të ndodhë që shefi juaj po vepron ashtu si edhe të tjerët në organizatën tuaj.”
Ju vazhdimisht i zvarrisni punët
Ne të gjithë i zvarrisim punët herë pas here, por nëse jeni vazhdimisht duke pritur deri në minutën e fundit për të përfunduar detyrat në punë, ndërkohë që më parë i planifikonit ato siç duhet, ky mund të jetë një sinjal se është koha për t’u larguar.
“Kur e zvarrisni punën, ju prireni të keni një qasje reaguese dhe të prisni deri në minutën e fundit; si rrjedhojë, cilësia e punës bëhet vetëm një kryq në listën e detyrave sa për të treguar që e keni përfunduar atë,” tha Sheth. “Krahasuar me ‘Unë e bëj këtë punë sepse kam krenarinë time për atë që bëj…Më interesojnë rezultatet.’ tani ndryshimi është: ‘Më duhet të bëj vetëm aq sa të mos hyj në telashe’.”
Ka një mospërputhje kulturore
Kultura e kompanisë suaj luan një rol në angazhimin, produktivitetin dhe lumturinë tuaj, kështu që çdo mospërputhje me atë kulturë mund të krijojë probleme.
Për shembull, nëse ekuilibri punë-jetë është i rëndësishëm për ju dhe ka një vërshim të vazhdueshëm email-esh nga shefi juaj në të gjitha orët e ditës, kjo mund të kontribuojë në tejlodhjen tuaj.
Sheth tha se punonjësit duhet të ndihen të mbështetur dhe të sigurt në punë. Mënyra se si kompanitë iu përgjigjën nevojave të punonjësve gjatë pandemisë ka luajtur rol në vendimet e njerëzve për të lënë punët e tyre, shtoi ajo.
“Nëse kompania juaj nuk ju ofroi atë sistem mbështetjeje, atëherë kjo është arsyeja pse njerëzit po largohen.”
Papritur filloni të vini re mundësi të tjera punësimi
Kur ndiheni të pakënaqur me pozicionin tuaj aktual, filloni të vini re më shpesh mundësi të tjera pune.
“Papritur filloni të vini re mundësitë e punës që ju shfaqen në LinkedIn dhe, në fakt, nuk po i kaloni këto njoftime edhe aq shpejt, por po i shikoni me vëmendje – fokusi juaj ka ndryshuar”, tha Sheth.
Ajo sugjeroi të pyesni veten: Nëse do të ishit i papunë dhe puna juaj aktuale do t’ju ofrohej ashtu siç është, a do ta pranonit apo do të vazhdonit të kërkonit për diҫka tjetër?
Sjellja juaj ka ndryshuar
Vini re nëse ka pasur një rritje të gjesteve tuaja me sy, të psherëtimave të rënda dhe të ankesave nën zë në punë.
“Nëse e kuptoni se vazhdimisht për muaj me radhë ndiheni të pakënaqur me aspekte të ndryshme të punës tuaj, ndiheni të mërzitur duke shkuar në punë, duke u ulur në kompjuterin tuaj dhe duke menduar ‘epo nuk mund ta besoj që më duhet ta bëj këtë gjë’, kjo është një shenjë që mund t’ju duhet të shikoni për një vend tjetër pune ,” tha Gallo. / CNN