Një kërkim i Will Strafach, nga Verify.ly, ka evidentuar 70 aplikacione iOS që lejojnë hakerat të përgjojnë përdoruesit.
Imagjinoni se jeni duke përdorur aplikacionet tuaja të preferuara në iPhone apo iPad dhe ndërkohë të mbani të informuar hakerat për çdo lëvizje tuajën. Tani mos e imagjinoni më, pasi janë zbuluar më shumë se 70 aplikacione iOS të infektuara që bëjnë pikërisht këtë punë.
Ju do të mendoni se janë aplikacione pak të vlefshme e pak të njohura. Por, nuk është kështu, pasi aplikacionet e infektuara kanë pasur rreth 18 mln download në Apple Store. Kjo shifër e rrit në përmasa të mëdha numrin e viktimave të mundshme të një sulmi nga hakerat. Është Will Strafach, specialist dhe investigues në fushën e sigurisë informatike për llogari të kompanisë Verify.ly, i cili e ka bërë këtë zbulim. Ndër aplikacionet që u japin informacione hakerave, shumë prej tyre janë për qëllime mjekësore dhe financiare, por edhe shërbime VPN, faqe informative e browser.
Aplikacionet e infektuara në App Store
Strafach i ka grupuar këto aplikacione të infektuara në tri kategori të ndryshme, në varësi të nivelit të rrezikut te përdoruesi: i ulët, i mesëm, i lartë. Ndër aplikacionet me një nivel të ulët rreziku është ooVoo, ViaVideo, Snap Upload për Snapchat, Uploader Free për Snapchat dhe Cheetah.
Strafach nuk ka dhënë informacione për aplikacionet më të rrezikshme. Dihet veç numri i tyre. Janë 33 aplikacione me një nivel të ulët rreziku, 24 ato me nivel të mesëm dhe 19 aplikacione me nivel të lartë rreziku. Këto aplikacione nuk janë bërë të ditura për një motiv të thjeshtë. Strafach ka zgjedhur t’i informojë në mënyrë sekrete krijuesit e tyre, për të shmangur në këtë mënyrë t’u japë informacion edhe hakerave.
Apple, me duar të lidhura
Sipas Strafach, ngërçi më i madh është që Apple e vetme nuk mund ta zgjidhë këtë problem. “Problemi kryesor – shpjegon investiguesi – është interesi në rritje nga ana e hakerave drejt botës së aplikacioneve. Janë ende shumë vulnerabël, si tek iOS edhe tek Adroid dhe kjo u jep hakerave liri të madhe veprimi.