Brenda katër viteve të ardhshme, parashikohet që në çdo parcelë të tokës së punueshme të ketë ujë për vaditje. Por, ky synim, në dukje ambicioz, kërkon që të përmirësohet menaxhimi sistemit të ujitjes e kullimit që prej kohësh vuan pasojat e mungesës së investimeve dhe amortizimit të lartë. Për këtë së fundmi është dorëzuar në Kuvend nisma ligjore për t’iu dhënë më shumë kompetenca njësive të qeverisjes vendore, kjo edhe për shkak të ndarjes së re territoriale. Në strategjinë ndërsektoriale për decentralizimin (2015-2020) parashikohet kalimi i plotë i sistemeve të ujitjes dhe kullimit të bashkive.
Ligji aktual në fuqi përcakton që Ministria e Bujqësisë është institucioni kryesor përgjegjës për administrimin e ujitjes dhe të kullimit. Ndërsa administrimi i sistemeve kryhet nëpërmjet një ndarjeje të roleve dhe përgjegjësive ndërmjet bordeve të kullimit, si struktura teknike të specializuara në varësi të saj dhe organizatave të përdoruesve të ujit. Aktualisht në vend operojnë rreth 100 organizata të tilla.
Kjo formë menaxhimi, e suportuar për gati 15 vjet nga projektet e Bankës Botërore, nuk rezultoi e përshtatshme për kushtet konkrete të vendit tonë.
Me ndryshimet e propozuara, organizimi i shërbimit të ujitjes nga vetë bashkia do të bëhet në përshtatje me madhësinë e skemës ujitëse, gjendjen e saj, traditën, shkallën e kooperimit të fermerëve etj. Për këtë shërbim, të gjithë fermerët do të paguajnë një tarifë vjetore për mirëmbajtjen e infrastrukturës dhe një për shërbimin e ujitjes.
(Kujtojmë këtu që pak kohë më parë, UKT-ja filloi fushatën e ndërgjegjësimit për mospërdorimin e ujit të pijshëm për vaditje, pasi në të kundërt do të shoqërohej me gjoba që llogariteshin në rreth 50,000 lekë. Në këto kushte, fermerët do të duhet të gjenin vetë mënyrat për të lidhur marrëveshje për sigurimin e ujit jo të pijshëm).
Projektligji parashikon që bashkitë do të mbështeten nga buxheti i shtetit me investime për rehabilitimin e skemave ujitëse, mjete për pastrimin e kanaleve ujitës dhe kullues, personel etj. Për vitin 2016 është parashikuar që bashkitë do të përfitojnë nga arka e shtetit 2,45 miliardë lekë për rehabilitimin e skemave ujitëse dhe blerjen e 61 ekskavatorëve të rinj.
Në Shqipëri, sistemet e ujitjes janë projektuar për të mbuluar potencialisht me ujitje një sipërfaqe rreth 360,000 ha tokë bujqësore, ndërsa sistemet e kullimit, përfshijnë një rrjet kanalesh kullues, të ndërtuar në 280.000 ha tokë bujqësore, kryesisht në ultësirën perëndimore të vendit.
Infrastruktura aktuale e sistemeve të ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja përmban:
− 13 000 km kanale të parë dhe të dytë ujitës dhe kullues;
− 626 diga të rezervuarëve të ujitjes;
− 29 hidrovorë për kullim, me ngritje mekanike, të rreth 75 000 ha;
− 850 km argjinatura mbrojtëse lumore e detare;
− 300 km kanale të ujërave të larta;
− 640 stacione pompimi për ujitje, nga të cilët 14 stacione të mëdha pompimi, që mbulojnë me ujitje rreth 20 000 ha.
− 27 800 km kanale të tretë ujitës dhe kullues.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.