Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (QKP) në SHBA inkurajuan të gjithë personat me sistem të dobët imunitar që të paraqiten sa më shpejt për marrjen e dozave shtesë të vaksinës së koronavirusit. Shkencëtarët e agjencisë e përshkruan këtë si një përpjekje për të forcuar nivelet e mbrojtjes së këtyre njerëzve në përballen me variantin shumë ngjitës Omicron.
Anëtarët e një komiteti këshillimor të QKP sinjalizuan gjithashtu mbështetjen e tyre për një ndryshim tjetër të udhëzimeve të vaksinimit, duke lënë të kuptohej se ata do të miratonin zgjerimin e periudhës midis marrjes së dozës të parë dhe asaj të dytë për vaksinat Pfizer-BioNTech ose Moderna, afërsisht nga katër deri në tetë javë.
Ky ndryshim, i cili pritet të zvogëlojë rrezikun e efekteve anësore që lidhen me zemrën dhe të rrisë efektivitetin e vaksinave, nuk është votuar ende nga komiteti dhe as nuk është implementuar nga QKP.
Këto çështje, bashkë me përditësime të tjera të udhëzimeve të vaksinimit, ishin fokusi i një takimi njëditor të premten nga shkencëtarët e QKP dhe këshilltarë ekspertë të fushës.
Gjatë takimit, këshilltarët gjithashtu shprehën miratimin e tyre për vaksinën e koronavirusit të Moderna-s, pasi Administrata e Ushqimit dhe e Barnave në SHBA dha të hënën miratimin e plotë për vaksinën, duke e bërë atë të dytën që merr aprovim të plotë rregullator. Dr. Rochelle P. Walensky, drejtoresha e QKP, shprehu mbështetjen e saj për vaksinën e Moderna.
Pjesa më e madhe e takimit të QKP u përqendrua te mënyrat se si mund të mbrohen më mirë njerëzit me sistem të dobët imunitar, shumica prej të cilëve prodhojnë më pak antitrupa si përgjigje ndaj vaksinimit ose infektimit, duke i bërë ata më vulnerabël ndaj virusit dhe rreziqeve më të larta të sëmundjes serioze.
Për personat me sistem tepër të dobët ose të moderuar imunitar, të cilët kanë marrë tre dozat e rekomanduara të vaksinave Pfizer-BioNTech ose Moderna, QKP shkurtoi periudhën që duhet të presin për një dozë të katërt, duke e ulur atë nga pesë muaj në tre.
Dr. Elisha Hall, shkencëtare në QKP, tha se agjencia ishte e shqetësuar për uljen e niveleve të mbrojtjes te njerëzit me sistem të dobët imunitar, veçanërisht duke pasur parasysh shpejtësinë me të cilën përhapet varianti Omicron. Dr. Hall tha që disa studime të vogla kanë treguar se administrimi i një doze të katërt menjëherë pas të tretës, forcon përgjigjen imunitare për këtë grup njerëzish.
Agjencitë rregullatore federale autorizuan në gusht dozën e tretë të vaksinave Pfizer-BioNTech ose Moderna, për njerëzit me imunitet të kompromentuar që ishin vaksinuar fillimisht me këto vaksina. Autoritetet shëndetësore e konsideruan dozën shtesë për këtë grup si një pjesë integrale të serisë së tyre parësore të imunizimit, jo si një vaksinë përforcuese.
QKP gjithashtu inkurajoi të premten personat me sistem të dobët ose të moderuar imunitar, të cilët fillimisht kanë marrë vaksinën Johnson & Johnson, që të marrin dy doza shtesë, jo një.
Këshilltarët ekspertë të QKP përshëndetën tentativat për të mbrojtur më mirë njerëzit me sistem të dobët imunitar.
Dr. Camille Kotton, mjeke e sëmundjeve infektive në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusets, tha se ajo kishte parë shumë njerëz me imunitet të kompromentuar që përjetonin “infektime të rënda edhe pas vaksinimit” gjatë valës së Omicron. “Realisht mendoj se kjo do të ndihmojë në mënyrë dramatike,” tha ajo.
QKP u dha gjithashtu mjekëve liri për të administruar vaksinat Pfizer-BioNTech ose Moderna te njerëzit me imunitet të kompromentuar, duke mos marrë në konsideratë intervalet e rekomanduara të marrjes së dozave, në rastet kur “përfitimet e vaksinimit gjykohet se tejkalojnë rreziqet e mundshme dhe të panjohura”. https://www.nytimes.com/live/2022/02/04/world/covid-test-vaccine-cases