Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) pohon se është rritur ndërgjegjësimi i kompanive shqiptare për certifikime, si një hallkë që i ndihmon ato drejt zgjerimit edhe në tregje të reja.
Lidhur me mbështetjen e produkteve vendase, AIDA nënvizon se janë vënë një sërë fondesh në dispozicion të kompanive, për t’i ndihmuar drejt rritjes dhe konkurrueshmërisë, si dhe nisma më specifike siç është katalogu “Zgjidh të vendit”
Si i ka ndihmuar AIDA markat shqiptare nëpërmjet fondeve të vëna në dispozicion gjatë këtyre viteve, në rritjen e konkurrueshmërisë, apo investimeve në inovacion?
Deri në fund të vitit 2019, AIDA ka pasur 4 fonde në dispozicion për Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme shqiptare, konkretisht: Fondin e Konkurrueshmërisë, Fondin e Inovacionit, Fondin në mbështetje të sipërmarrjeve të reja Start–Up dhe Fondin e Artizanatit.
Fondet kishin për qëllim të ndihmonin NMVM-të, në formën e një granti me ndarje kostosh, për të nxitur eksportet e tyre, për të përmirësuar markën, etiketën dhe produktin/shërbimin, inovacionin dhe rinovimin e teknologjisë. Gjatë asaj periudhe, aplikuan në total 518 ndërmarrje dhe u mbështetën me fond 360 prej tyre.
Projektet për të cilat morën mbështetje ndërmarrjet ishin: rinovimi i teknologjisë ose makineri/pajisje pune me 32% të totalit të projekteve të financuara; certifikimi i produktit me 25%; krijimi i prototipave të rinj me 17%; auditim teknologjie dhe inovacioni me 8%; ambalazhim dhe etiketim produkti me 7%; marketingu i ndërmarrjes me 6%; si dhe pjesëmarrje në panaire dhe krijim software, përkatësisht me 4% dhe 1%.
Sa interes ka nga kompanitë e huaja për partneritet me markat shqiptare?
Momentalisht, AIDA ndihmon marrëdhënien e partneritetit midis kompanive të huaja dhe atyre shqiptare, nëpërmjet asistencës së saj të përditshme, kërkesave konkrete që vijnë nga kompanitë për partneritet, qofshin këto të huaja apo shqiptare, thirrjeve për bashkëpunime që AIDA publikon, por edhe me projektin e Rrjetit Europian të Ndërmarrjeve. Rrjeti ka për qëllim të asistojë kompanitë të rriten dhe zhvillohen nëpërmjet një mbështetje të kualifikuar, krijimit të partneriteteve të reja tregtare dhe mundësive të aksesit në financë.
Rrjeti Europian i Ndërmarrjeve është rrjeti më i madh në botë në mbështetje të NVM-ve. Rrjeti siguron ekspertizë kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e biznesit, në lidhje me shërbimet si partneritete, këshillime dhe inovacion. AIDA, nëpërmjet Rrjetit, mbështet bizneset shqiptare të jenë më konkurruese dhe inovative në Europë.
Aktualisht, janë dhjetëra kompani shqiptare që kanë arritur marrëveshje partneriteti me kompani të huaja (në Europë), nëpërmjet asistencës nga ky Rrjet. Kompanitë kanë krijuar marrëdhënie biznesi midis tyre dhe eksportojnë produktet/shërbimet në Europë.
Sa janë ndërgjegjësuar kompanitë shqiptare për të marketuar veten në tregun vendas, por edhe jashtë? Cilat janë format që përdoren?
Interesi i kompanive shqiptare është gjithmonë e në rritje për të zgjeruar tregun e produkteve/shërbimeve të tyre jashtë kufijve. Kjo vihet re edhe në interesin e shtuar të tyre për sa i përket pjesëmarrjes në panaire, aktivitete ndërmjetësimi dhe misione biznesi jashtë vendit, ose ku ka pjesëmarrje të lartë të kompanive të huaja. Interesi, gjithmonë e në rritje, gjithashtu, në fushën e certifikimeve të biznesit, tregon se kompanitë shqiptare janë të prirura drejt standardizimit të biznesit të tyre, sipas kritereve të tregjeve të huaja ku synojnë të futen.
Kompanitë e sektorit TIK, në vitet e fundit, kanë shfaqur interes edhe më të lartë për gjetje kontaktesh dhe lidhje partneriteti me kompani të huaja, në Europë e më gjerë, për shkak edhe të fleksibilitetit të natyrës së tyre të punës. Nuk ngelen pas as kompanitë në industrinë e prodhimit, të cilat gjithmonë e më tepër kërkojnë të eksportojnë produktet në rajon dhe më tej në Europë.
Si ka ndikuar pandemia te kompanitë shqiptare në planet e zgjerimit për marrëdhënie Business to Business?
Pandemia tregoi se një pjesë e mirë e shërbimeve të biznesit mund të ofrohet online, duke shkurtuar, në këtë mënyrë, kosto dhe kohë për biznesin. Gjatë vitit 2020, kompanive ju duhej të përshtateshin me ndryshimin e situatës së menjëhershme dhe përshtatjes së trendit të ri të konsumatorëve. Si rezultat, duke ndjekur edhe shembujt më të mirë të praktikave në Europë e në botë, edhe kompanitë shqiptare përshtatën strategjinë e shitjes online.
Tregtia online hapi mundësi dhe horizonte të reja për kompani të cilat deri në atë moment nuk kishin tentuar të eksploronin tregun online dhe si rrjedhojë, u rrit interesi për marrëdhënie të tjera business to business, duke u bazuar dhe duke iu përshtatur nevojave të reja të tregut. Tregtia online ju lejoi kompanive të hyjnë në marrëdhënie biznesi edhe më të shpejta dhe të drejtpërdrejta me partnerë potencialë.
AIDA shërben si një pikë qendrore për sipërmarrjet dhe është gjithmonë në mbështetje të prodhuesve shqiptarë që gjithnjë e më shumë po shtojnë produkte nën markën “Made in Albania”, duke ofruar për tregun vendas dhe atë të huaj cilësi dhe vlerat tradicionale.
Në kuadër të pandemisë dhe jo vetëm, prezantimi i produkteve “Made in Albania” shihet si domosdoshmëri në tregun vendas.
Në këtë kuadër, AIDA në mbështetje të bizneseve shqiptare dhe produkteve “Made in Albania”, është duke zhvilluar fushatën promovuese “Zgjidh të Vendit”, një nismë e domosdoshme për Shqipërinë, për markën e vendit dhe ndërmarrjet shqiptare.
Në bazë të interesit të lartë të shprehur nga vetë kompanitë, por edhe biznese të kontaktuara nga stafi i AIDA-s, është bërë identifikimi i produkteve vendase për fushatën “Zgjidh të Vendit” dhe promovimi i tyre. Që prej muajit korrik të vitit 2020 ka filluar promovimi në rrjetet sociale të institucionit, ku gjatë gjithë vitit 2020 janë realizuar 45 infografe për produktet lokale.
Në muajin qershor 2021, u publikua katalogu i parë i kësaj nisme, e cila nisi në korrik 2020.
Katalogu, si pjesë e fushatës “Zgjidh të Vendit”, përfshin periudhën korrik-dhjetor 2020 dhe prezanton 45 kompani, ku kryeson sektori i prodhimit të verës, i ndjekur nga artizanati dhe agropërpunimi. Gjithashtu, për pak histori nostalgji, për të risjellë edhe kulturën e markave autentike, sidomos të prodhimeve që datojnë para viteve ‘90, në katalogun e parë të “Zgjidh të vendit” janë përzgjedhur të shfaqen edhe disa produkte të veçanta vendase si: karamele ‘Zana’, cigare ‘Lux’, birra ‘Korça’, konjak ‘Skënderbeu’.
Fushata po vazhdon edhe gjatë vitit 2021, ndaj çdo biznes apo artizan, që prodhon produkte të ndryshme tradicionale nga gjithë Shqipëria, duke i prezantuar ato në një katalog të posaçëm, mund t’i kthejë në asete dhe në një “atraksion turistik” për vendin e origjinës nga ku prodhohen. Qëllimi është të njohim, zgjedhim dhe duam çdo ditë produktet shqiptare, t’i japim jetë artizanatit, produkteve autentike dhe unike, duke bërë bashkë çdo copëz që formon historinë e Shqipërisë me vlera.
Në periudhën janar – maj 2021 janë publikuar dhe promovuar 40 produkte. Gjatë këtij viti, fokusi është vendosur te sipërmarrje me potencial eksporti dhe mundësi për të qenë pjesë e tregjeve ndërkombëtare. Sektorët më të promovuar në 5 muajt e parë të vitit 2021 janë: sektori agro – ushqimor, sektori i prodhimit të verës i ndjekur nga sektorët artizanal.
Gjatë vitit 2020, në vijim të nismës promovim i produkteve “Made in Albania”, AIDA, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, organizoi dy forume diskutimi me tematika: Promovimi i produkteve lokale dhe forcimi i markës “Made in Albania”, i cili kishte si qëllim diskutimin mbi mënyrën e promovimit të produkteve vendase, me qëllim zgjerimin e eksporteve dhe rritjen e sipërmarrjeve shqiptare edhe në nivel ndërkombëtar;
“Politikat e Aksesit në Financë dhe rolit që ato kanë për mbështetjen e sipërmarrjeve shqiptare”, i cili u organizua në vijim të forumit të parë. Forumi kishte si qëllim diskutimin me përfaqësues të sektorit privat dhe sektorit financiar për qasje të reja në financë dhe në mbështetje dhe promovim të produkteve shqiptare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.