Enti Rregullator i Energjisë(ERE) ka vendosur që të lërë në fuqi edhe për vitin 2021 tarifën 28 lekë/m3 për transmetimin e gazit nga kompania publike Albgaz. Kjo tarifë u vendos për herë të parë në vitin 2019 duke e cilësuar si një tarifë të përkohshme e cila do të ndryshonte pas hartimit të metodologjive dhe studimeve paraprake që do të jepnin një ide më të qartë mbi kostot. Por duket se e njëjta tarifë do të mbetet në fuqi edhe në vazhdim pasi ERE në një vendim të pak ditëve më parë ka nënvizuar se ende Albgaz nuk ka kërkuar rishikim për tarifë të re.
Në vendim jepen të paktën katër argumente se pse kjo tarifë do të vazhdojë të mbetet e tillë. Ku së pari shoqëria ALBGAZ sh.a nuk ka paraqitur ende aplikim për rishikimin e tarifës së transmetimit për periudhën e ardhshme rregullatore në zbatim të pikës 1, të nenit 21 të “Rregullores për organizimin, funksionimin dhe procedurat e ERE-s”.
Së dyti në vijim të paraqitjes së planit të zhvillimit të rrjetit për periudhën 2019–2028, të miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës, nga ana e ERE-s është kërkuar qëndrimi i shoqërisë Albgaz sh.a. në lidhje me zbatueshmërinë e Planit 10-vjeçar të Zhvillimit të Rrjetit, si pasojë e konstatimeve të ERE mbi planin dhe situatën e krijuar nga gjendja e pandemisë në Republikën e Shqipërisë.
Së treti tarifa e shërbimit të transmetimit të gazit natyror është e domosdoshme për ushtrimin e aktivitetit nga shoqëria Albgaz sh.a., i cili ushtrohet konform Ligjit nr. 102/2015, “Për Sektorin e Gazit Natyror”, i ndryshuar, si dhe Direktivave të Komunitetit të Energjisë, ku aksesi në rrjet për përdoruesit e sistemit të transmetimit duhet të jetë i garantuar dhe kjo shoqëri duhet t’i ofrojë shërbimet e saj me tarifa të rregulluara nga ERE.
Së katërti shoqëria Albgaz sh.a. nuk ka paraqitur ende Pasqyrat Financiare për vitin 2019, si rrjedhojë edhe e shtyrjes së afatit nga qeveria shqiptare për pasojë të situatës së krijuar nga gjendja e jashtëzakonshme, shkaktuar nga pandemia Covid-19.
Tarifa e përkohshme do të mbetet në fuqi deri në paraqitjen e një aplikimi nga Albgaz ndërkohë që çdo diferencë në të ardhura do të rregullohet në momentin e miratimit të tarifës së re duke bërë edhe kompensimin./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.