Qeveria ka zbardhur të plotë në fletoren zyrtare analizën nga Komisioni I Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Ekonomisë, të ofertave të kompanive që morën pjesë në garën për privatizimin e Albpetrol, që u fitua nga konsorciumi Vetro Energy. Në raport jepet një panoramë e gjerë e aksionerëve, kushteve që ata plotësojnë, ofertës financiare si dhe planit të biznesit të parashikuar për Albpetrol.
Konsorciumi Vetro Energy PTE. Ltd.
Konsorciumi Vetro Energy, përbëhet nga YPO Oil & Energy/Home Creek dhe SilkRoad Equity/Huddleston.
Sipas raportit, kërkesa ndaj kandidatit, që të jetë një shoqëri e specializuar në fushat e kërkimit, zhvillimit, prodhimit dhe tregtimit të naftës dhe të gazit, dhe të ketë ushtruar veprimtarinë në këtë fushë në nivel ndërkombëtar për jo më pak se 5 (pesë) vjet është plotësuar nga:
a) Konsorciumi, nëpërmjet YPO Oil & Energy PTE. Ltd./Home Creek Energy LLC, ka paraqitur një përshkrim të eksperiencës mbi pesë vjet në një shumëllojshmëri projektesh në fushat e kërkimit, zhvillimit, prodhimit dhe tregtimit të naftës dhe të gazit.
b) Për më tepër, shoqëria SilkRoad Equity, LLC, e cila zotëron grupin Huddleston, ka eksperiencë të zgjeruar në të njëjtat fusha. Në dokumentet e themelimit të shoqërisë Huddleston, z. Peter Huddleston listohet si drejtuesi i shoqërisë dhe shoqëria mëmë Huddleston & Co. është partnerja e SilkRoad-it në zotërimin e shoqërisë Huddleston Energy Advisors, duke i shtuar në këtë mënyrë konsorciumit të shoqërive, eksperiencën e nevojshme.
c) Konsorciumi ka eksperiencë në fushat e kërkimit, zhvillimit, prodhimit dhe tregtimit të naftës dhe gazit. Home Creek Energy LLC, e cila zotërohet 100% nga YPO Oil & Energy PTE. Ltd., ka zhvilluar dhe menaxhuar mbi 100 puse në “Pellgun Permian” përgjatë katër shteteve, duke përfshirë marketingun e projektit, i cili ka përfunduar me shitjen e puseve dhe prodhimit të marrë prej tyre. Shoqëria, gjithashtu, ka kryer operacione riparimi, duke rivënë në punë një numër pusesh në fushën e Hendrick Ranch në Haskell County, Texas, të cilat më pas u shitën. Në vitin 2007, shoqëria shpoi një numër pusesh në Luizianë, USA, të cilat si pasojë e operacioneve të suksesshme gjithashtu u shitën. Në mënyrë të ngjashme, në vitin 2008, shoqëria mori në zotërim një seri prej 8 pusesh në Teksas, të cilat i rivendosi në punë dhe që janë ende duke u punuar prej saj. Më së fundmi, përkatësisht në prill të vitit 2012, shoqëria mori në zotërim operimin e një numri pusesh në St. Helena Parish, Luiziana, të cilat janë duke u punuar prej saj dhe aktualisht janë në fazën e operacioneve të përmirësimit. Shoqëria ka eksperiencën e kërkuar prej pesë vitesh në fushat e kërkimit, zhvillimit, prodhimit dhe tregtimit të naftës dhe të gazit.
d) Duke plotësuar eksperiencën e Home Creek Energy LLC, shoqëria Huddleston dhe drejtuesi i saj z. Peter Huddleston, kanë gjithashtu eksperiencë të zgjeruar në kërkimin, zhvillimin, prodhimin dhe tregtimin e naftës dhe të gazit. Duke filluar nga viti 2007, Huddleston ka qenë i përfshirë në kërkimin dhe zhvillimin e puseve në Teksasin e Jugut, USA, në projektin e quajtur “Energji PPPCO CB”, i cili ka pasur si rezultat shpimin e suksesshëm dhe prodhimin në pesë puse. Huddleston gjithashtu ka shërbyer si konsulenti kryesor në një projekt prodhimi në Brazil, i cili ka nisur në vitin 2011 dhe ka punuar gjithashtu në vende të tilla, si: Ekuadori, Venezuela, Franca dhe në një numër të madh vendesh të tjera në Amerikën Qendrore dhe Jugore, në Europë, në Afrikë dhe në Azi, përgjatë pesë viteve të fundit, por edhe më herët. Z. Huddleston, nëpërmjet një shoqërie të themeluar prej tij, të quajtur CIMA, menaxhon dhe operon një firmë marketingu të naftës dhe të gazit me më shumë se 50 punonjës, e cila ka zhvilluar operacione të vazhdueshme që nga viti 1996 deri më sot.
e) Z. Huddleston, nëpërmjet grupit të drejtuar prej tij, i cili është pjesë e grupit të SilkRoad-it për këtë projekt, ka dhënë shërbime konsulence inxhinierike në fushën e naftës për më shumë se 500 shoqëri nafte dhe gazi, shoqëri të transmetimit të gazit, banka dhe institucione të tjera financiare. Projektet e huaja përfshijnë vende, si: Kanadaja, Amerika Qendrore dhe Jugore, Afrika, Australia, Kina, Kuvajti, Indonezia, Deti i Veriut dhe Komunitetin e Shteteve të Pavarura (“CIS” – më parë Bashkimi Sovjetik). Shoqëria e zotëruar prej tij menaxhon interesa joint venture dhe partneriteti në më shumë se 2,000 pasuri prodhuese, dhe ai ka gjithashtu në zotërim një shoqëri operative nafte dhe gazi e cila operon në më shumë se 400 puse të ndodhura në Arkansas, Kaliforni, Kansas, Luiziana, North Dakota, Oklahoma, Teksas dhe Wyoming.
f) Home Creek Energy LLC, e cila duke qenë e zotëruar 100% nga YPO Oil & Energy PTE. Ltd., është pjesë e këtij Konsorciumi, nëpërmjet letrës së dërguar prej saj në datën 21 shtator 2012, ka konfirmuar edhe njëherë se Home Creek Energy LLC është tërësisht e angazhuar në zbatimin e planit të biznesit të paraqitur në lidhje me ofertën, në zbatimin e të gjithë procesit të privatizimit, ashtu si dhe në zbatimin e operacioneve të “Albpetrol”-it në vijim të këtij procesi. Për më tepër, kandidati na informoi se z. Huddleston i shoqërive Huddleston dhe z. Maye i Home Creek, do të jenë secili personalisht të përfshirë në operacionet strategjike dhe në menaxhimin e “Albpetrol”-it, në rast se Konsorciumi Vetro do të jetë fituesi i tenderit.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka konkluduar se si investitori strategjik ashtu dhe investitori financiar sjellin eksperiencën dhe njohuritë e nevojshme për të realizuar planin strategjik të projektit Albpetrol dhe për të pasur një përfundim të suksesshëm. Konsorciumi zotëron një shtrirje të gjerë aktivitetesh, duke përmbushur kërkesat e tenderit. Për më tepër, mbas sqarimeve të kërkuara Konsorciumit me anë të letrës së datës 12 shtator 2012, dërguar nga Komisioni, kandidati, nëpërmjet dy letrave të dërguara në datat 17 dhe 21 shtator 2012, paraqiti dokumente shtesë, të cilat vërtetojnë kushtet e mëposhtme përforcuese të ofertës së tyre: i) se Home Creek Energy LLC është 100% e zotëruar nga shoqëria YPO & Oil Energy dhe tërësisht e angazhuar në zbatimin e këtij projekti, angazhim i ndërmarrë nga vetë shoqëria nëpërmjet paraqitjes së një deklarate të tillë, të nënshkruar nga administratori i Home Creek Energy LLC, z. Maye; ii) se z. Huddleston i shoqërive Huddleston dhe z. Maye i Home Creek, do të jenë secili personalisht të përfshirë në operacionet strategjike dhe në menaxhimin e “Albpetrol”-it, angazhim i paraqitur me anë të letrës së datës 17 shtator 2012; iii) se Vetro Energy PTE. Ltd. ka lidhur një marrëveshje për operacione në fushën e naftës me Huddleston & Co Inc., fakt i vërtetuar me anë të paraqitjes së kopjes së marrëveshjes në fjalë.
4. Në lidhje me kriterin e kërkuar për të pasur një kapital tërësisht të paguar në shumën 80 milionë euro, si dhe vlerën neto ose vlerën neto të konsoliduar të aseteve prej të paktën 100 milionë eurosh, kandidati ka paraqitur këto dokumente:
a) Sipas raportit të auditimit të shoqërisë Jespersen të datës 31 dhjetor 2011, për investitorin financiar të Konsorciumit, shoqërinë SilkRoad, kapitali tërësisht i paguar është 178,386,753 USD (€140 milionë). Ky tregues e plotëson dhe e tejkalon kriterin e kërkuar të kapitalit të paguar prej 80 milionë eurosh;
b) Sipas raportit të sipërpërmendur, rezulton që vlera neto e konsoliduar e aseteve të investitorit financiar të Konsorciumit, SilkRoad, më 31 dhjetor 2011 është 188,426,955 USD (€ 148 milionë), duke e tejkaluar sërish kërkesën e tenderit prej 100 milionë eurosh.
5. Dokumentet e tenderit kërkojnë që investitori strategjik i çdo Konsorciumi të zotërojë të paktën 30% të kapitalit dhe të të drejtave të votimit të Konsorciumit. Secili prej anëtarëve të Konsorciumit Vetro e përmbush këtë kriter, duke qenë se YPO Oil & Energy PTE. Ltd./Home Creek Energy LLC, zotëron 51% dhe SilkRoad/Huddleston zotëron 49% të Konsorciumit. 7628
6. Në përputhje me paragrafin 2.2 të kapitullit II të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, secili nga anëtarët e Konsorciumit kanë paraqitur një prokurë të posaçme, duke autorizuar drejtorin e Vetro-s, z. Matthew Roszak, të veprojë në emër të tyre në lidhje me procesin e privatizimit, duke i dhënë atij të gjitha kompetencat dhe autorizimin për të përfaqësuar Konsorciumin në procesin e tenderit. Për më tepër, z. Roszak është i autorizuar të nënshkruajë, të vulosë dhe të paraqesë çdo dokument përgjatë këtij procesi.
Sipas komisionit, “Përveç deklaratës së përmbajtur më sipër, në ofertën e paraqitur prej Konsorciumit në datën 7 shtator 2012, bazuar në kërkesën e Komisionit të datës 12 shtator 2012, kandidati ka paraqitur pranë Komisionit në datën 27 shtator 2012 një kopje të marrëveshjes së aksionarëve, ku përmbahen në mënyrë të detajuar angazhimet dhe përgjegjësitë reciproke të anëtarëve të Konsorciumit në lidhje me privatizimin e shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Bazuar në këto dokumente, vlerësojmë se Konsorciumi e përmbush plotësisht kriterin e parashikuar më sipër”.
Dokumentet e tenderit
8. Në lidhje me pranimin nga kandidati të dokumenteve të tenderit, ashtu siç kërkohet në paragrafin 3.1 (a) dhe (b), kapitulli III i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, kandidati në letrën e tij të prezantimit të ofertës në shtator 2012, të nënshkruar nga Matthew Roszak ka pranuar:
a) Termat dhe kushtet e parashtruar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 107 dhe termat dhe kushtet e vendosur në dokumentet e tenderit;
b) Detyrimet që rrjedhin nga fitimi i tenderit;
c) Se të ardhurat e tij janë krijuar si rezultat i zhvillimit të aktiviteteve të ligjshme ekonomike në zbatim të ligjeve në fuqi dhe se në asnjë rast këto të ardhura nuk janë prodhuar, përfituar ose ndikuar në mënyrë të tërthortë nga aktivitete kriminale.
Pranimi i kandidatit nuk është i kushtëzuar nga asnjë kusht paraprak.
9. Siç kërkohet nga paragrafi 2 (c) i kapitullit III të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, anëtarët e Konsorciumit kanë paraqitur ekstrakte të pasqyrave financiare të audituara për vitet 2009, 2010 dhe gjithashtu për vitin 2011, për Vetro Energy, YPO Oil & Energy dhe SilkRoad Equity.
10. Në përputhje me dokumentet e tenderit, siç kërkohet në paragrafin 2 (f) për të provuar se kandidati nuk është në likuidim, kandidati ka paraqitur:
a) Vetro Energy PTE. Ltd.: Certifikatë e lëshuar nga Autoriteti Rregullator i Shoqërive dhe i Kontabilitetit të Singaporit, numër regjistrimi 200704225W, duke identifikuar Vetro Energy PTE. Ltd. të themeluar në 14 mars 2007, si një shoqëri me status aktiv dhe në gjendje të mirë. Shoqëria ka paraqitur gjithashtu një certifikatë të gjendjes së mirë, të lëshuar nga Autoriteti Rregullator i Shoqërive dhe i Kontabilitetit të Singaporit, i datës 15 gusht 2012, certifikatë nr. ACR0000004220794A, nënshkruar nga z. Tan Yong Tat, asistent regjistrues i shoqërive dhe bizneseve, që provon se shoqëria ka statusin “aktiv” dhe në gjendje të mirë dhe nuk është në likuidim.
b) SilkRoad Equity LLC: Certifikatë riparaqitjeje e datës 30 gusht 2012 nga Sekretari i Shtetit të Delware, USA, duke përfshirë një certifikatë riparaqitjeje formimi të datës 30 gusht 2012, të nënshkruar nga Matthew Roszak, në cilësinë e anëtarit dhe personit të autorizuar, duke shpjeguar se shoqëria u krijua fillimisht në datën 20 maj 2003. Shoqëria gjithashtu ka paraqitur një certifikatë të gjendjes së mirë të datës 15 gusht 2012 nga Sekretari i Shtetit të Delware, USA, z. Jeffrey Bullock, duke dëshmuar se shoqëria është në gjendje të mirë dhe se të gjitha taksat vjetore janë paguar. 7629
c) YPO Oil & Energy PTE. Ltd.: Certifikatë e lëshuar nga Autoriteti Rregullator i Shoqërive dhe i Kontabilitetit të Singaporit, numër regjistrimi 200817042M, që identifikon YPO Oil & Energy PTE. Ltd., të themeluar më 28 gusht 2008 si një shoqëri me status aktiv në gjendje të mirë. Shoqëria ka paraqitur gjithashtu një certifikatë të gjendjes së mirë, të lëshuar nga Autoriteti Rregullator i Shoqërive dhe i Kontabilitetit të Singaporit, të datës 15 gusht 2012, certifikatë nr. ACR0000004220794A, nënshkruar nga z. Tan Yong Tat, asistentregjistrues i shoqërive dhe bizneseve, që provon se shoqëria ka statusin “aktiv” dhe në gjendje të mirë dhe nuk është në likuidim.
d) Huddleston Energy Advisors, LLC: Certifikatë riparaqitjeje dhe ndryshimi e datës 30 gusht 2012, paraqitur nga Sekretari i Shtetit të Delware, USA, që dëshmon se shoqëria është themeluar më 9 korrik 2012 dhe se ortakët e shoqërisë janë SilkRoad Equity dhe Huddleston & Co., të zotëruara dhe të drejtuara nga z. Peter Huddleston.
e) Home Creek Energy LLC: Certifikatë formimi e datës 29 dhjetor 2006, të paraqitur nga Sekretari i Shtetit Delware, USA, nënshkruar nga z. Anthony Maye. Shoqëria paraqiti një letër të nënshkruar nga z. Maye, ku deklarohej se ortaku i vetëm i shoqërisë është YPO Oil. Për më tepër, shoqëria paraqiti një aplikim për regjistrim të emrit të shoqërisë nga Sekretari i Shtetit, Teksas, USA, të datës 28 gusht 2012 dhe një letër ku deklaron se shoqëria angazhohet të zbatojë biznesplanin e Vetro-s.
11. Kandidati ka paraqitur shumën në euro të çmimit total të ofruar prej tij për blerjen e aksioneve, në shumën prej 850,000,000.00 eurosh, e cila përfshin tarifën e konsulentit dhe të gjitha taksat dhe tatimet e tjera, siç parashikohet nga dokumentet e tenderit.
12. Për sa i përket deklaratës së aftësisë financiare, siç kërkohet nga dokumentet e tenderit, kandidati ka paraqitur letrën e tij mbështetëse që certifikon aftësitë financiare, të nënshkruar nga z. Matthew Roszak në emër dhe për llogari të Vetro Energy PTE. Ltd.
Komisioni komenton se megjithëse në përputhje me dokumentet e tenderit, deklarata e mësipërme është e mjaftueshme, kandidati, për të treguar seriozitetin e tij në paraqitjen e kësaj oferte, i ka paraqitur Komisionit edhe një letër mbështetëse të lëshuar nga institucioni BNP Paribas në datën 21 shtator 2012.
13. Në lidhje me garancinë e ofertës, së kërkuar në paragrafin 4 të kapitullit III të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, kandidati ka paraqitur një garanci bankare, lëshuar nga American Chartered Bank e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në datën 23 gusht 2012, në shumën prej 85,000,000 eurosh, një shumë, e cila përbën 10% të ofertës totale të paraqitur nga kandidati. Mbas kërkesës për sqarime në lidhje me garancinë e ofertës, kandidati ka deklaruar se “ka bërë që tani përparime thelbësore në sigurimin e garancisë së kontratës (e cila do të depozitohet në një nga bankat më të njohura/vlerësuara) për këtë transaksion.
Për të vërtetuar më tej përshtatshmërinë e garancisë së ofertës, Komisioni ka kryer verifikimet e tij dhe, gjithashtu, i ka kërkuar konsulentit Patton Boggs kryerjen e verifikimeve përkatëse pranë Amercian Chartered Bank. Me anë të letrës së datës 25 shtator 2012, përfaqësuesi i konsulentit z. David Farber ka konfirmuar kryerjen e verifikimeve pranë kësaj banke, duke njoftuar komisionin se garancia është e vlefshme dhe e mbuluar me një kolateral të mjaftueshëm. “Në këto kushte, ne vlerësojmë se garancia e ofertës është e vlefshme dhe përmbush qëllimin e saj të besueshmërisë financiare të ofertës së paraqitur nga Konsorciumi”, thuhet në raport.
14. Kandidati ka paraqitur planin e biznesit për vitet 2012-2017, siç kërkohet nga dokumentet e tenderit.
Vlerësimi përshkrues i ofertës teknike
Kredencialet: Kandidati, nëpërmjet entiteve të tij Huddleston & Company dhe Home Creek, ka eksperiencë të zgjeruar në fushat e zhvillimit të naftës, marketingut, vlerësimit të rezervave dhe eksplorimit, transportimit të gazit, konsulencës, rregullimit të partneriteteve dhe rinovimit të puseve. Kandidati ka zhvilluar aktivitetin e tij në: Shtetet e Bashkuara, Brazil, Kanada, Tailandë dhe 7630
Venezuelë. Ka si klientë 13 shoqëri madhore të pavarura nafte dhe gazi, duke përfshirë Chevron Texaco Corp., shoqërinë ConocoPhillips, shoqërinë ExonMobil Exploration, shoqërinë BP Amoco dhe Marathon Oil. Klientët e tjerë konsistojnë në më shumë se 200 shoqëri të tjera të pavarura nafte dhe gazi, shoqëri depozitimi dhe transmetimit të gazit, institucione edukative dhe agjenci qeveritare.
Strategjia:
Kandidati deklaron se vizioni i tij është pozicionimi i “Albpetrol”-it si lojtar kyç i tregut në Shqipëri, por edhe vendosjen e “Albpetrol”-it në zemër të planeve të kandidatit për të krijuar një platformë moderne dhe efektive rajonale. Kandidati është i vetëdijshëm për vendndodhjen strategjike të “Albpetrol”-it në tregun europian të naftës dhe të gazit, vlerën e të ardhurave të shpejta dhe të sigurta nëpërmjet të drejtave të transferimit të naftës të marrëveshjeve hidrokarbure ekzistuese, si dhe potencialet domethënëse të shfrytëzimit të burimeve të paeksploruara më parë, dhe aksesin në gazin natyror. Një pjesë e vizionit strategjik është modernizimi i infrastrukturave ekzistuese. Kandidati ka për qëllim: 1. Të vazhdojë kryerjen e operacioneve në fushat ku “Albpetrol”-i kryen aktivitet; 2. Të menaxhojë dhe të zbatojë në mënyrë më efikase marrëveshjet hidrokarbure; 3. Të eksplorojë dhe të zhvillojë blloqet e reja të naftës, që i janë dhënë rishtazi “Albpetrol”-it në mënyrë rritjen e prodhimit; 4. Të eksplorojë mundësitë e lidhura me licencën e gazit natyror dhe me licencën e shpërndarjes së energjisë elektrike.
Plani i biznesit: Përbërësit e planit të biznesit janë si më poshtë:
– Riaktivizimi i 1,048 puseve në fushat Kuçovë, Ballsh-Hekal, Patos-Marinza dhe Amonica.
– Rinovimi i infrastrukturës së puseve, njësive të dekantimit dhe të tubacioneve, dhe zhvillimi i një seti të ri procedurash administrative dhe operative të fokusuara në çështjet mjedisore, shëndetin dhe sigurinë.
– Kryerja e studimeve teknike duke përfshirë krijimin e një baze të dhënash gjeologjike, listën e puseve, dhe verifikimin e historisë së prodhimit; detektimin me matje elektrike-gjeofizike; studime gjeologjike, duke përfshirë ripërpunimin e të dhënave sizmike, përcaktimin e horizonteve kyçe të prodhimit, analizat kyçe për të matur më mirë rezervat ekzistuese sipas formatit OOIP (Original Oil in Place) dhe vlerësimin e puseve horizontale dhe rrjedhshmërisë së ujit ashtu, si dhe studime të tjera.
– Arritja e objektivit të madh të rritjes së prodhimit me anë të metodave EOR. Këto metoda përfshijnë shpimin horizontal, injektimin e ujit, përdorimin e pompave PCP dhe të makinerive të tjera specifike të puseve (që zakonisht sjellin dyfishimin e prodhimit për pus) dhe modelimit të sofistikuar.
– Angazhim për të mbajtur, rehabilituar dhe aktivizuar të gjitha puset ekzistuese dhe zonat e zotëruara nga “Albpetrol”-i në datën e blerjes.
Kandidati jep disa komente të shkurtra në planin e biznesit të paraqitur prej tij në lidhje me eksplorimin, zhvillimin dhe prodhimin e “zonave të reja” (blloqet e reja të prodhimit që i janë transferuar “Albpetrol”-it). Theksi vendoset në zonat ekzistuese dhe buxhetet vjetore për çdo aktivitet janë të përfshira në programin CAPEX të paraqitur nga kandidati.
Ambienti: Kandidati ka paraqitur të dhëna vërtet të detajuara mbi ndotjen e tokës, ujit dhe ajrit, bazuar në një studim të Universitetit të Tiranës. Sipas tij ndotja është shkaktuar nga teknologjia e papërshtatshme, amortizimi domethënës i makinerive të përdorura dhe nivelet e ulëta të disiplinës teknike të përdorur gjatë operacioneve. Masat e propozuara nga kandidati, të cilat përfshihen në buxhetin e paraqitur në programin CAPEX, janë si më poshtë:
– Masa emergjente përmirësuese.
– Minimizimin e rrjedhjeve në mjediset e hapura, nëpërmjet matjes së lëngjeve që dalin nga puset, ato që rrjedhin nga njësitë e dekantimit dhe rrjedhjet ose humbjet e naftës nga tubacionet, të ndjekura nga riparimi i puseve, përmirësimi i operacioneve nëpërmjet pompave dhe mjeteve të tjera, pastrimi i rërës etj.
– Rrethimi i zonave ku ndodhen puset e naftës.
– Parandalimi i emetimit të gazit, duke krijuar një sistem të mbyllur të rezervuarëve të akumulimit pranë pompave, njësive të dekantimit dhe sistemeve të transportit.
– Vlerësimi dhe krijimi i kompresorëve të mbledhjes së gazit për transmetimin e gazit në destinacionet ku konsumohet si energji.
– Respektimi i standardeve ndërkombëtare të tilla, si ISO dhe API për ndërtimin e tubacioneve dhe depozitave nëntokësore, matjen e emetimeve dhe arritjen e praktikave më të mira ndërkombëtare gjatë zbatimit të procedurave të mjedisit.
Efikasiteti: Kandidati ka propozuar një planveprimi, i cili trajton sfidën e rritjes së prodhimit, duke mbajtur në të njëjtën kohë në të njëjtin nivel rezervat e naftës. Përbërësit e planit janë:
– Kontraktimi i një konsulenti të respektuar për të kryer studimin e të gjitha puseve të “Albpetrol”-it dhe vlerësimin e rezervave të tyre.
– Në gjashtë muajt e parë do të vlerësohet situata teknike e çdo pusi aktiv, kapaciteti i pusit, numri i ndërprerjeve etj. Ky vlerësim do të jetë i dobishëm për vendimet e drejtuesve në lidhje me programin e rehabilitimit të puseve.
– Krijimi i një sistemi të menaxhimit të informacionit të procesit të prodhimit (PIMS). Infrastruktura kompjuterike do të instalohet përgjatë të gjitha puseve dhe depozitave të “Albpetrol”-it. Sisteme kontrolli dhe monitorimi të procesit do të integrohen përgjatë sistemit dhe do të mbahen në një data-base. Këto të dhëna do të informojnë mbikëqyrësit e operacioneve dhe menaxhimit në lidhje me kostot e mirëmbajtjes dhe operacioneve.
– Teknologji të reja prodhimi do të përdoren për çdo pus, në mënyrë rritjen e prodhimit dhe zvogëlimin e kostove për fuçi.
– Kandidati ka për qëllim të rinovojë 50% të rrjetit të tubacioneve dhe të mbajë në gjendje të mirë pune 50% të mbetur përgjatë dy viteve të para pas blerjes. Të përfshira në programin e rinovimit janë lidhjet me dy rafineritë shqiptare dhe Portin e Vlorës. Është gjithashtu në plan rinovimi i depozitave.
– Programi CAPEX përfshin ndërtimin e tri njësive të reja të dekantimit, të cilat do të bëjnë të mundur ndarjen e ujit nga nafta bruto. Rezultati i pritshëm është 15% rritje e çmimit.
Shëndeti dhe siguria: Kandidati propozon aktivitetet e mëposhtme në lidhje me shëndetin dhe sigurinë:
– Izolimin e grykës së puseve për të eliminuar rrjedhjen e pusit.
– Kandidati planifikon ndërmarrjen e masave të menjëhershme për bllokimin e rrjedhjeve nga tubacionet e amortizuara dhe të prishura, të cilat janë një burim madhor ndotjeje me efekte mbi shëndetin.
– Kandidati ka në plan të ndryshojë skemën teknologjike të njësive të dekantimit dhe të rinovojë pajisjet e tyre brenda dy viteve (këto janë pjesë e programit CAPEX). Aktualisht, uji, i cili përmban naftë dhe substanca të tjera të rrezikshme, nuk kalon në asnjë proces trajtimi.
– Kandidati propozon riinjektimin e ujërave të mbetura mbas ndarjes në mënyrë, që të mos ndoten ujërat sipërfaqësore, të cilat janë të rrezikshme për shëndetin.
Përmirësime në administrim: Kandidati deklaron se do të hartojë masa administrimi dhe do të japë disa shembuj, disa prej të cilëve janë përsëritja e aktiviteteve të listuara më sipër: drenazhi i zonave ku ndodhen puset e naftës, rinovimi dhe zgjerimi i rrjetit të tubacioneve të naftës, pastrimi dhe riparimi i depozitave të naftës, mirëmbajtja e rrjetit rrugor midis puseve të naftës dhe pastrimi dhe mirëmbajtja e kanaleve të ujit që lidhin fushat e naftës me sistemin hidrologjik.
Shpenzimet kapitale: Kandidati propozon një CAPEX në shumën prej 174.3 milionë eurosh në pesë vitet e para mbas blerjes. Aty përfshihen 394,000 euro për aktivitete inxhinierike teknike dhe financiare dhe të njëjtën shumë për studimet e mjedisit – të dyja të realizueshme brenda vitit të parë. 115.5 milionë euro janë parashikuar për riaktivizimin e puseve përgjatë periudhës pesëvjeçare. Rehabilitimi i njësive të dekantimit, sistemeve të ndarjes së ujit, tubacioneve dhe depozitave kanë një buxhet prej 37.4 milionë eurosh, për t’u përfunduar brenda 2 viteve, përveç rehabilitimit të tubacioneve që do të realizohet në 3 vjet. 9.4 milionë euro janë vendosur të përdoren për ndërtimin e 8 puseve të reja dhe 2.4 milionë euro të CAPEX-it do të përdoren për projekte kapitale në lidhje me mjedisin.
Burimet njerëzore: Kandidati nuk ka ndërmend të bëjë ndryshime personeli të nivelit mesatar të punonjësve të “Albpetrol”-it. Në bazë të një due-diligence do të bëhet edhe racionalizimi i fuqisë punëtore. Kandidati shpreh dëshirën për të mbajtur të pandryshueshëm numrin e punonjësve të trashëguar nga procesi i privatizimit.
Trajnimi: Plani i biznesit i paraqitur nga kandidati, kërkon zbatimin e teknologjive të reja të nxjerrjes, me qëllim rritjen e prodhimit. Zbatimi i këtyre teknologjive do të shoqërohet me trajnimin e personelit në departamentet e prodhimit të naftës krudo. Kandidati ka ndërmend të krijojë një njësi trajnimi dhe zhvillimi si pjesë e burimeve njerëzore, për të cilën nevojiten dy klasa dhe një workshop. Trajnimi do të realizohet si në vend ashtu edhe jashtë vendit, duke ndjekur kurse të specializuara teknike dhe administrimi. Buxheti i parashikuar për trajnimin është menduar të jetë 197,000 euro në vit.
Përfundim
Kandidati i ka përmbushur kriteret e kualifikimit dhe i ka trajtuar të gjitha çështjet operative dhe të biznesit të kërkuara në ofertën e propozuar prej tij. Të gjitha sqarimet që i janë kërkuar kandidatit, nuk janë të atij lloji që mund të modifikojnë thelbësisht cilësinë dhe vlerën e ofertës. Asnjë devijim nga kërkesat e dokumenteve të tenderit, nuk ka karakter thelbësor dhe ne e vlerësojmë ofertën në përputhje me dokumentet e tenderit. Pikët e pjesës teknike të ofertës janë 22.79 dhe jepen në bazë të analizës së bërë në tabelën në vijim. Ofertuesi mori pikët e plota të ofertës financiare, që janë 75 pikë, për shkak se paraqiti ofertën më të lartë financiare. Komisioni vlerëson se pikëzimi final për Konsorciumin Vetro, bazuar në kriteret e ofertës, është 97.79.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.