Apple mobilizohet për Ditën e Tokës më 22 Prill. Kompania me seli në Cupertino bën donacione dhe prezanton robotin Daisy që çmonton iPhone për të rikuperuar materiale të çmueshme.
Prezantimi i Daisy bën pjesë në një seri njoftimesh të Apple me rastin e Ditës së Tokës këtë të diel. Apple ka ndërthurur përpjekjet e saj për tregti dhe riciklim në një program të ri të quajtur “GiveBack”, i projektuar për ta bërë më të thjeshtë shitjen e iPhone të vjetër për një kartë dhuratë Apple Store apo një kredie për blerjen e një pajisje të re.
Nëpërmjet Apple GiveBack, klientët do të mund ta kthejnë pajisjen e tyre në çdo Apple Store apo nëpërmjet apple.com për ta ricikluar ose për ta shitur.
“Jemi vazhdimisht në punë për të gjetur zgjidhje për t’u përballur me ndryshimet klimatike dhe për të ruajtur burimet e çmuara të planetit tonë. Po e bëjmë më të thjeshtë për klientët tanë për të ricikluar pajisjet tona dhe të bëjmë diçka të mirë për planetin tonë nëpërmjet programit GiveBack”, – thotë Lisa Jackson, zëvendëspresidente për Mjedisin, Politikat dhe Nismat Sociale te kompania Apple.
Deri më 30 prill, për çdo pajisje të ricikluar, shoqëria do t’i bëjë një donacion organizatës jofitimprurëse Conservation International për të mbështetur përpjekjet e saj për të ruajtur mjedisin. Organizata vepron në më shumë se 30 vende në 6 kontinente.
Si Apple Give Back edhe Daisy mbështesin angazhimin e Apple për krijimin e një planeti më të shëndetshëm nëpërmjet inovacionit – dhe e ndihmojnë kompaninë t’i afrohet objektivit që t’i realizojë produktet e veta duke përdorur vetëm materiale të riciklueshme.