Pasiguritë janë shtuar, mjetet mbrojtëse kanë shteruar
Nga Prof. Selami Xhepa
Doja të ndalem te rreziqet serioze që rrethojnë pritshmëritë disi optimiste të parashikuara në ligjin e buxhetit të shtetit për vitin 2022. Rritja ekonomike me mbi 4.5% në vit dhe në kushtet e një stabiliteti makroekonomik, që ka qenë tipik për pothuaj gjithë periudhën e tranzicionit, mendoj se do të jenë të kërcënuara nga të paktën dy zhvillime.
Së pari, pandemia e COVID-19 duket se ende nuk është vënë nën një kontroll të plotë, gjë që do të ketë ndikime në rikthimin e normalitetit të jetës ekonomike e sociale. Siç po provohet edhe tani, industritë e udhëtimeve e turizmit dhe disa lloje të shërbimeve, duket se do të vazhdojnë të përjetojnë goditje negative.
Së dyti, ndikimet afatgjata në shoqërinë pas-panedmike kanë filluar të manifestohen në ekonomi, duke dhënë efekte të forta dhe të dukshme. Ndërprerjet në zinxhirin global të furnizimit, ishin ndër shkaktarët kryesorë të rritjes së çmimeve të mallrave, duke ushtruar presione të forta mbi të ardhurat reale të qytetarëve, veçanërisht të familjeve me të ardhura modeste.
Nga ana tjetër, rritjet e çmimeve të produkteve energjetike, të diktuara dhe këto nga faktorë kompleks, por që në thelb lidhen me tranzicionin energjetik në të cilën ka hyrë njerëzimi. Për shkak të respektimit të detyrimeve për mbajtjen në kontroll të efekteve negative të klimës, kanë shkaktuar efekte negative në ekonominë në tërësi.
Fenomeni i inflacionit, i cili prej kohësh nuk kishte qenë në vëmendjen e publikut dhe politikëbërjes, tani janë shfaqur si shqetësime serioze për hir të pasojave të forta që mund të sjellin në ekonomi. Një rritje e normave të interesave, për të frenuar inflacionin, sipas detyrimeve ligjore që kanë bankat qendrore, do të rriste ndjeshëm koston e borxhit publik, i cili në nivelet e sotme gjykoj se e ka kaluar “vijën e kuqe”. Qeveria është e detyruar të tërhiqet nga politikat agresive buxhetore, për shkak se hapësirat fiskale janë tejkaluar prej kohësh.
Në planin social, rritja e inflacionit po gërryen përditë të ardhurat reale dhe fuqinë blerëse të familjeve. Nëse nuk do të ndërmerren politika kompensuese të të ardhurave, fenomeni i varfërisë, që edhe kështu është i lartë, mund të përkeqësohet dhe më tej.
Së fundmi, ende nuk kemi një axhendë të qartë të veprimeve të qeverisë për reformat që do të ndërmerren, në mënyrë që të stimulohen investimet private. Klima e biznesit dhe konkurrueshmëria e ekonomisë mbeten të dobëta dhe nuk japin ndonjë shpresë për një “goditje” të fortë pozitive në sektorin real të ekonomisë.
Për këto arsye, viti 2022 do të ndeshet me sfida shumë kërcënuese, të cilat mund të rrezikojnë ekuilibrat e brishtë makrofiskalë.