Rumani, KE miraton grantin 100 milionë euro për projektet e ruajtjes së baterive
Komisioni Europian ka miratuar një paketë grantesh prej 103 milionë eurosh (125 milionë dollarë) nga qeveria rumune, për projektet e ruajtjes së baterive.
Mbështetja financiare në formën e granteve të drejtpërdrejta, u njoftua nga qeveria në nëntor të vitit 2022 dhe do të mbështesë projekte të ruajtjes së baterive prej të paktën 616 MWh.
Kjo mbështetet në një grant maksimal prej 167,000 €/MWh. Pragjet e tjera sipas skemës janë maksimumi prej 15 milionë eurosh për përfituesit dhe maksimumi prej 100% të hendekut të financimit të projektit.
Projektet do të përzgjidhen deri më 31 dhjetor 2023 dhe duhet të përfundojnë deri më 31 dhjetor 2025.
Programi do të marrë 79 milionë euro nga pjesa e Rumanisë në Planin e Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë, që është skema e BE-së për të zbutur efektet negative ekonomike të pandemisë Covid-19, ndërsa qeveria do të financojë pjesën tjetër. Finlanda dhe Greqia po përdorin gjithashtu këtë lloj financimi, për të mbështetur projektet e ruajtjes së energjisë.
Rumania synon të arrijë 30,7% prodhim të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme deri në vitin 2030. Vendi nuk ka pasur shumë projekte të ruajtjes së energjisë në vitet e fundit, por tregu i energjisë diellore pritet të ndihmojë në përpjekjet për ruajtjen e baterive. Siç është raportuar nga revista PV Tech Power, zhvilluesit e energjisë diellore po zhvendosen në Rumani për një skemë të re kontratash për diferencë.
Sistemi i parë i ruajtjes së baterive në shkallë të gjerë, u përurua në vitin 2018 nga krahu i burimeve të rinovueshme të ndërmarrjes portugeze EDP Renováveis, ndërsa raportet lokale thanë se nisi ndërtimi i një njësie prej 7 MW në pranverën e vitit 2022, nga firmat austriake Core Value Capital, Gerdan Real Estate dhe Green Source.
Kompania Solar Media do të mirëpresë samitin inaugurues për ruajtjen e energjisë në Europën Qendrore-Lindore, në shtator të këtij viti. Kjo ngjarje do të mbledhë së bashku investitorët kryesorë të rajonit, politikëbërësit, zhvilluesit, shërbimet komunale, blerësit e energjisë dhe ofruesit e shërbimeve, ndërsa rajoni përgatitet për procesin e magazinimit.