A jemi gati ?!
Turizmi shpreson rimëkëmbjen. Ekspertët artikulojnë shmangien e gabimeve të përsëritura. Festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë parashikohet të sjellin zgjatjen e sezonit turistik dhe më shumë të ardhura për këtë industri. Me rajonin gara po zhvillohet edhe në tërheqjen e tregjeve të reja
Sezonin e kaluar, turizmi shqiptar i plazhit përjetoi për herë të parë rënie të ndjeshme me rreth 20-30%, sipas burimeve të marra nga bizneset. Dy faktorët kryesorë negativë, të cilët e shkaktuan këtë rënie, ishin zgjedhjet lokale të majit, të cilat penguan marrjen e masave për sezonin e plazhit dhe krijuan një atmosferë të tensionuar politike, dhe liberalizimi i vizave, që solli edhe një rrjedhje të konsiderueshme të tregut vendas drejt Greqisë, Italisë, Spanjës etj. Parashikimet e rritjes ekonomike në botë për 2012-n nuk janë shumë pozitive. Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit ka ulur parashikimet për rritjen e industrisë së turizmit nga 5% në 3%. Kjo situatë e përforcon faktin që ne do të vazhdojmë t’i mbajmë sytë nga tregu turistik vendas ose shqipfolës, por do të kërkojmë edhe të rinj.
Duke përhapur fjalën…
Shqipëria, në portalet e huaja, të specializuara për turizmin, po përshkruhet si destinacioni i ri, tërheqës dhe mesazhi është përcjellë nga Tel Avivi, Berlini e Milano. Janë panairet e fundit, ku Shqipëria është ekspozuar si destinacion në pritje, këtë herë edhe me një veçanti, me festimet për 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Pjesëmarrësit në këto panaire thonë se është rritur ndjeshëm interesi i turistëve britanikë për të vizituar Shqipërinë. Grupet e turistëve që vijnë nga ky shtet shprehen të habitur nga mikpritja dhe natyra shqiptare. Ata nuk e kanë më perceptimin e Shqipërisë, si vend ku mbizotëron mafia, përkundrazi e vlerësojnë si një nga destinacionet më të sigurta të Europës.
“Në bazë të statistikave zyrtare, vitin e kaluar, vendin tonë e vizituan 3 milionë turistë dhe ky është një tregues i rëndësishëm, edhe pse është ende herët për të dalë në konkluzione në lidhje me pritshmëritë e këtij sezoni”, thotë drejtuesi i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Klodjan Pajuni.
Cilat do të jenë avantazhet në termat e ofertës? Kemi një vijë bregdetare të paeksploruar prej 350 kilometrash, mot të ngrohtë, mijëra vjet histori, pasuri që mbrohen nga UNESCO, kuzhinë të mrekullueshme mesdhetare etj.
“Shqipëria ofron mundësi për pushime me kosto të ulët, që tani në kohë krize financiare kthehet në avantazh dhe kjo është vënë në dukje edhe nga agjencia prestigjioze, ‘Cox and Kings’, që e rendit në vendin e katërt”, thotë z. Pajuni.
Me pjesëmarrjen në panaire ndërkombëtare, si ajo e Tel Avivit, Berlinit etj., turizmi shqiptar po njihet edhe nga tregje ndërkombëtare, që nuk kanë shumë informacion, por që përbëjnë interes. “Është e rëndësishme që ne të promovojmë aspektet më tërheqëse të vendit tonë. Në Izrael pati shfaqje interesi, pasi ne kemi se çfarë t’u ofrojmë. Turistët izraelitë janë në kërkim të destinacioneve të reja, veçanërisht pas ngjarjeve në Egjipt e Turqi. Ndaj, duhet të bëhemi gati për t’iu ofruar atë që ata dhe turistë të tjerë dëshirojnë”, thotë drejtuesi i Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
Në këtë “betejë”, Shqipërisë i duhet të bëjë kujdes nga Serbia, e cila po interesohet për tregun izraelit të turizmit. Ndryshe nga ne, ka përparësi, pasi Beogradi ofron dy herë në javë fluturime direkte për në Tel Aviv. Beogradi luan me “kartën” e destinacionit të “udhëtime urbane” (jetë të gjallë nate, restorante të mira, festivale dhe femra të bukura).
Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Londër (ku Shqipëria do të ketë stendën e saj në fshatin olimpik) do të shërbejnë për ta promovuar më shumë si destinacion. Në mënyrë që të mos jetë më jashtë “radarit” të turizmit ndërkombëtar.
Edhe portalet prestigjioze të turizmit po e përfshijnë Shqipërinë në propozimet e tyre. Vitin e kaluar, “Lonely Planet” e renditi mes “më të mirëve për t’u vizituar”, e përditshmja “Financial Times” e cilësoi “një nga destinacionet më intrigues”, së fundmi edhe “MSN Travel” shkruan për Shqipërinë si një nga destinacionet më “hot” të këtij viti.
“Shpesh përshkruhet si vendi që ka vuajtur nga një izolim shumë i gjatë, shkruan ‘MSN Travel’. Shqipëria, e cila kufizohet nga Greqia, Maqedonia, Kosova dhe Mal i Zi, ndodhet në zemër të Mesdheut, por prej kohësh është injoruar si destinacion udhëtimi. Bota po zgjohet dalëngadalë dhe po ndërgjegjësohet për potencialin turistik që ka ky vend me plazhe dhe histori që ia vlen t’i shikosh dhe dëgjosh”.
Përtej fasadës
Kur themi sezoni turistik, zakonisht mendojmë vetëm për tre muajt e verës, por tani mund të kemi turizëm më të shtrirë në kohë, të kulturës dhe të grupeve të organizuara që vijnë nga jashtë. Nëse duhet të flasim për përgatitje, thotë eksperti i programit EDEP (Për zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e punësimit) pjesë e GIZ, Luan Dervishej, atëherë kemi parasysh përmirësimin e shërbimeve, infrastrukturës dhe organizimin e punës për vitin e ri turistik. Janë kryesisht përmirësime që kanë të bëjnë me investimet kapitale. Por, nëse duhet të flasim për ndryshim në organizimin apo menaxhimin e turizmit shqiptar, atëherë mund të flitet vetëm për rutinë”. Nuk ka zhvillime edhe në investime kapitale (akse rrugore, impiante kanalizimesh etj.), çka do të shotë se infrastruktura turistike do të jetë po ajo. “Nga ana tjetër duhet të pranojmë se ka rritje të ndërgjegjësimit për çështjen e pastrimit, nga qeveria dhe pushteti vendor. Progresi nuk do të vonojë, por për aq kohë sa nuk është trajtuar dhe përmirësuar sistemi i menaxhimit dhe kapacitetet e mjaft njësive vendore, problemet e pastrimit do të ngrenë kokë herë pas here”, thotë z. Dervishej.
Në parashikimin për numrin e vizitorëve ai shprehet më optimist dhe pohon se grupet e të huajve që vizitojnë Shqipërinë janë në rritje. “Shihet se ka më shumë ndjeshmëri për 100-vjetorin e pavarësisë. Aktivitetet në planifikim e sipër apo promocioni do të ndikojnë në rritjen e vizitoreve dhe në zgjatjen e sezonit deri në tetor-nëntor”.
Një kategori problemesh që kanë të bëjnë me sistemin, lëvrimin e fondeve, mënyrën e organizmit nuk mund të diskutohen në një
prag sezoni. Vendimet buxhetore tashmë janë marrë. Duhet të tejkalohen problemet emergjente, që kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore, shëndetësore, sinjalistikën, informacionin, trafikun etj.
Por jashtë vëmendjes nuk duhet të mbeten edhe faktorët e jashtëm. Kriza financiare do të vazhdojë, fqinjët nuk janë duke jetuar ditët e tyre më të lumtura, në këto kushte a do të mund të krijojmë avantazhe? “Mund të kemi, por ne vazhdojmë të penalizohemi nga infrastruktura që mungon, e cila nuk lejon që të përfitojmë në mënyrë të qenësishme. Flasim këtu për kapacitete akomoduese dhe infrastrukture pa defekte. Ndërkohë që duhet të konkurrojmë dhe me çmimet. Ka gjasa që Greqia do të humbasë në këtë terren, pasi do të priret të rrisë çmimet, për të rritur të ardhurat” thotë eksperti i GIZ.
Për të folur për shfrytëzim të plotë, turizmi shqiptar duhet të pësojë një hov cilësor, në investime e menaxhim. “Një shenjë fillestare që mendoj se mund të ndikojë në të ardhmen është nisja e procesit për rishikimin e strategjisë së turizmit.
Nëse procesi gjatë këtij viti do të ecë në drejtimin e duhur, atëherë mund të flasim për përqendrim përpjekjesh dhe masa për të siguruar ndryshime cilësore”, thotë z. Dervishej.
Taktikisht duhet të mësohet të lëvizet edhe kundrejt sjelljeve të industrisë së turizmit, të fqinjëve rajonalë. Ekspertët thonë se nuk janë kushtet për të bërë konkurrencë të pastër.
Shqipëria mund dhe të prezantohet me të veçantat dhe duke nxjerrë në pah elementët më intrigues.
Paketat rajonale për turizmin kulturor të natyrës janë domosdoshmëri. Drejtim tjetër i frytshëm ku mund të bashkëpunohet është shkëmbimi reciprok mes qyteteve të veçanta.
Çfarë na penalizon
Është destinacioni më lehtë i arritshëm, vetëm 30 minuta larg nga aeroporti me rreth 30 kilometra plazhe ranore të Gjirit të Durrësit (dhe po kaq të Gjirit të Lalëzit), pra me një potencial shumë të madh zhvillimi, por që për fat të keq është shndërruar në modelin se si nuk duhet të jetë turizmi shqiptar. Tregu turistik u largua nga Durrësi pasi gjatë verës (por jo vetëm) ka ndotje të madhe të ujërave të zeza që shkarkohen, ka pirgjeve me plehra, ndotje nga ndërtimet e pambaruara, ndotje akustike dhe vizuale, trafik të rënduar, mbipopullim, mungesë të shërbimeve profesionale e alternativa argëtimi etj.
Këto dhe shumë të tjera po penalizojnë jo vetëm Durrësin, por edhe një pjesë të mirë të bregdetit shqiptar, që nga ekspertët shihen me sy kritik, sa i takon zhvillimit të turizmit.
Për Zak Topuzin, kryetarin e sektorit të hotelerisë, në Shoqatën Shqiptare të Turizmit (ATA), Shëngjini dhe Pogradeci shihen më me optimizëm për rritjen e turizmit gjatë këtij sezoni.
“Eksperienca e kaluar na bën të besojmë se kjo lidhet me ndryshimin e orientimit të pushuesve vendas dhe shqiptarëve nga rajoni, të cilët po preferojnë të pushojnë në zona më pak të zhurmshme. Edhe qytete si Shkodra, Pogradeci dhe Korça po njohin rritje të numrit të vizitorëve. Edhe turizmi kulturor po ecën me ritme optimiste dhe kjo do të ndikojë te të ardhurat, duke qenë se janë pikërisht turistët e këtij segmenti që shpenzojnë më shumë”, thotë z. Topuzi.
Për sektorin hotelier, lajmi i mirë është se Organizata Botërore e Turizmit njoftoi se do të ketë rritje me disa për qind, pavarësisht krizës ekonomike.
Shqipëria nuk ka një strategji të veçantë ndaj dhe nuk shpresohet në ndonjë dinamikë të re. “Lënia në fuqi e Moratoriumit të skafeve, gjithashtu nuk ishte një lajm i mirë. Ka vend për një politikë më liberale që mund të favorizonte kryesisht hotelet që do t’i përdornin si një shërbim shtesë për klientët e tyre. Ndërkohë po punohet për përmirësimin e produktit në shërbim të rinisë, që janë dhe konsumatorët kryesorë”.
Dy janë problemet kryesore që po pengojnë rritjen e kapaciteteve akomoduese. Së pari, mungojnë politikat fiskale që do ta vendosnin Shqipërinë në të njëjtin nivel taksash me rajonin. Së dyti, po vazhdojnë të mbahen larg investimet seriozë në turizëm.
“Janë këto arsyet që po stimulohen më shumë ndërtimet e tipit vila e apartamente, që në të vërtetë nuk kanë lidhje me industrinë e turizmit. Mjaft ndërtues kanë investuar në fushën e hotelerisë, por janë përballur me vështirësitë e futjes në treg.
Sigurisht që nuk mund të lihen pa përmendur edhe efektet e krizës në Eurozonës”, thotë z. Topuzi.
Por, elementi më i rëndësishëm për të siguruar investime afatgjata në industri nga biznesi është krijimi i besimit reciprok. Politika ka treguar se ky besim nuk mund të jetë i qëndrueshëm. Me këtë duhet kuptuar që iniciativat e politikës duhet të jenë afatgjata dhe të shprehura në strategji e master-plane që nuk ndryshojnë me qeveritë.
Gjatë këtij sezoni, sektori hotelier do të luajë me dy “karta” për
t’u bërë konkurrues brenda, por edhe në raport me fqinjët e rajonit. Çmimet nuk do të ndryshojë dhe shërbimi ndaj klientëve do të përmirësohet.
“Nga sezoni në sezon po konsolidohet tregu vendas dhe i atyre shqipfolës. Një sy i vëmendshëm dallon se Ballkani po kthehet
në ‘markë’ (trend) dhe po zhvillohet si treg i përbashkët. E reja, përveç turizmit rajonal, është se ka rritje të kërkesës për shitje paketash me destinacione të kombinuara midis shteteve. Gjatë këtij viti do të shënohet një hap i ri cilësor në këtë drejtim dhe këtë e tregon edhe interesi që po tregohet në panairet rajonale”, thotë kryetari i sektorit të hotelerisë, në ATA. Po përse turizmi shqiptar po penalizohet në mënyrë të vazhdueshme? Cilat janë problemet emergjente që duhet të marrin zgjidhje? Ekspertët rendisin infrastrukturën, taksat e larta (TVSH-ja, taksa e fjetjes etj.), rregullimin e tregut dhe mungesën e standardeve. “Përmirësime janë bërë në infrastrukturën rrugore e sinjalistikë, por duhet të avancohen drejt tri drejtimeve kryesore: Berat, Gjirokastër, Sarandë, ku shkohet me vështirësi.
Zgjidhja e trajtimit të ujërave të zeza është kërkesa e përsëritur që vjen nga zonat e bregdetit. Në destinacione të ndryshme, problemeve të infrastrukturës u mbivendosen ato të mjedisit. Qytetet bregdetare si Saranda, Vlora dhe Durrësi, për shkak të këtyre problemeve, vitin e kaluar patën rritje të papërfillshme në turizëm. Krejt e ndryshme u paraqit ecuria në qytete ku infrastruktura është në përmirësim, si në Shkodër e Pogradec”, thotë z. Topuzi. Sipas tij, ekzistenca e mbeturinave në zonat turistike është një çështje që nuk mund të tolerohet më. Rekomandimi që ata artikulojnë është i qartë: të ngrihen struktura të përhershme në komuna e bashki. Të pajisen me fonde apo kredi për periudha ‘pilot’ deri dy vjet nga shteti. Të rritet kërkesa e llogarisë ndaj pushtetit lokal, që duhet të jetë në ndihmë të bizneseve.
Nxjerrja në pah në mënyrë të vazhdueshme e shqetësimeve të bizneseve turistike tregon se sa e madhe është nevoja për politika dhe masa specifike, me karakter prioritar.
Të gjithë janë të vetëdijshëm se burimet dhe mundësitë që ka Shqipëria janë të krahasueshme me rajonin. Modeli që duhet të ndjekim është ai që mund të merret nga vendet e Mesdheut e që sot janë liderë në turizëm. Turqia në vitin 2001 vizitohej nga rreth 300,000 turistë, sot falë vizionit dhe politikave fiskale arrin të tërheqë vëmendjen e 34 milionë turistëve (e dhënë për vitin 2011) dhe të zërë vendin e 7 në botë. Turizmi është e vetmja industri që mund të sigurojë punësim dhe mirëqenie të qëndrueshme.
Biznesi shqiptar gjithnjë e më shumë po ndërgjegjësohet se për të mbijetuar në industrinë e turizmit kërkohet shumë më tepër se ca krevate e një kuzhinë për të përgatitur ushqimin. Ekspertët thonë se ato hotele që sot po mbijetojnë e kanë arritur këtë falë përvojës së fituar në menaxhim, por edhe ofrimit të ushqimit të mirë që është një nga pikat më të forta të turizmit shqiptar. Një pjesë e këtyre hoteleve, jo vetëm në Durrës kanë investuar (edhe pse ka ende hapësira) në krijimin e ambienteve çlodhëse, të gjelbëruara dhe të përshtatshme edhe për fëmijët.
Ajo që këshillojnë ekspertët është se hotelet në Shqipëri duhet të përshtaten me kërkesat e tregut. Pra, të mos mbeten vetëm me shpresën e një sezoni veror që zgjat tre muaj, por të shtrihet në kohë. Të punohet edhe për turizmin ditor, atë të fundjavës, gjatë së cilës çmimet të mbahen të ulëta, mundësisht në kosto.
Një nga pikat e forta dhe me të cilën po konkurrojnë sot vendet fqinje janë shërbimet shtesë e që në pjesën më të madhe të hoteleve shqiptare mungojnë, siç janë qendrat Spa, saunat, xhakuzi, fushat e tenisit, sallat e lojërave të fëmijëve, këndet e argëtimit në ujë etj. Si çelësat kryesorë të suksesit ekspertët shohin marketingun, që nuk duhet të mbetet vetëm në atë që bën shteti me një buxhet vjetor që llogaritet në rreth 40 milionë lekë e që është tejet i ulët.
“Radari” turistik i Ballkanit
Dimri që sapo kaluam, për industrinë e turizmit në Maqedoni ishte më shumë se fatsjellës. Numri i turistëve u rrit me 35% në krahasim me vitin e kaluar dhe pjesa më e madhe e tyre vinin nga shtetet fqinje si Greqia, Bullgaria, Shqipëria, Serbia etj. Por, ajo që nxjerr në pah Agjencia e Turizmit e Maqedonisë ka të bëjë me faktin se vizitorët (kryesisht ata që vijnë nga Greqia e Bullgaria) nuk e kalojnë të gjithë kohën në një vend, ata lëvizin në destinacione si Shqipëria, Kosova e Mali i Zi. Ballkani, gjithnjë e më shumë po tërheq me turizmin malor.
-Në Serbi, segmentet që po rriten me shpejtësi janë: turizmi malor, i fshatit dhe i qendrave të bukurisë (Spa). Gjatë vitit 2001, Serbia renditej si destinacioni i 50 në botë, për turizëm.
-Në Maqedoni, qeveria po nxit zhvillimin e të gjitha llojeve të turizmit, si ai i masës, i fshatit, alternativ, dimëror, i verës dhe produkteve bio. Parashikohet që në vitin 2015, turizmi do të zërë 4-5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Vendi po ndjek një strategji të re që bazohet në zhvillimin sipas tri zonave të lira ekonomike, ndërkohë që po punohet për tërheqjen e turistëve nga Holanda. Nga ana tjetër, biznesi po përqendrohet kryesisht te shtimi i faciliteteve dhe investimeve në turizmin e skive. Ky është një segment që po njeh rritje befasuese nga viti në vit dhe vizitorët vijnë kryesisht nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Greqia e Gjermania. Operatorët turistikë maqedonas thonë se për të zhvilluar qendrat turistike, me qëllim që të ndihet diferenca mes fqinjëve, duhet të rritet ndihma, përkrahja dhe vëmendja e institucioneve shtetërore.
-Në Kroaci, investimet në këtë industri, për vitin 2012 do të rriten me 37%, në krahasim me një vit më parë. Sektori i hotelerisë ka planifikuar të ketë peshën kryesore në investime. Sipas një sondazhi, rreth 28 hotele parashikojnë të investojnë rreth 50% më shumë në krahasim me vitin e kaluar, për të përmirësuar ofertën e tyre turistike.
Kriza ekonomike ka dhënë efekte edhe në mënyrën se si po trajtohet turizmi. Ekspertët thonë se bota po kthehet në një fshat të madh, sidomos në fushën e biznesit; nuk ka kufij; gjëja më e rëndësishme është fitimi dhe kjo është e vërteta e madhe.
Opinione
Luan Dervishej: Një shenjë fillestare që mendoj se mund të ndikojë në të ardhmen është nisja e procesit për rishikimin e strategjisë së turizmit
Zak Topuzi: Elementi më i rëndësishëm për të siguruar investime afatgjata në industri nga biznesi është krijimi i besimit reciprok. Politika ka treguar se ky besim nuk mund të jetë i qëndrueshëm. Me këtë duhet kuptuar që nismat e politikës duhet të jenë afatgjata dhe të shprehura në strategji e master-plane që nuk ndryshojnë me qeveritë
“Moti” turistik
-Shkodra dhe Shëngjini parashikohet të jenë destinacionet që do të tërheqin më shumë pushues se një vit më parë.
-Me këto ritme do të ecë edhe Pogradeci dhe Tirana.
-Rajonet bregdetare, si Durrësi, Saranda, Vlora parashikohet të ecin me ritme mesatare rritjeje.
Biznesi: Po na dëmton informaliteti
Tatimet: Nuk do të ketë tolerancë
Shmangia e detyrimeve tatimore, fshehja e punonjësve dhe mosdeklarimi real i xhiros janë disa nga “mëkatet” fiskale që bëjnë bizneset e turizmit e që nuk do të tolerohen më nga tatimorët. Biznesi, nga ana e tij, kërkon ndëshkimin e njësive që punojnë në ilegalitet.
Në Shqipëri, informaliteti në industrinë e turizmit vazhdon të jetë në nivele të larta. Nuk dihet saktësisht sa hotele dhe njësi akomoduese familjare ka, se sa është numri i punonjësve, se sa janë kapacitetet për akomodim etj. Besohet se sot, njësitë familjare zënë rreth 65% të aftësisë akomoduese në Shqipëri, duke përbërë pjesën më informale të këtij sektori. Sipas strategjisë së turizmit, që është në fuqi (e që ndërkohë po rishikohet) ky raport brenda vitit 2012 duhet të ishte rreth 34%. Shifrat tregojnë se sa pak hotele janë ndërtuar gjatë këtij dhjetëvjeçari dhe bumin që ka shoqëruar ndërtimi i apartamenteve, të cilat edhe pse jepen me qira për pushuesit, nuk përbëjnë njësi të mirëfillta turizmi. Në këto kushte, ai që ndëshkohet me shpesh dhe që përballet më fort me problemet është biznesi që është më i ekspozuar,pra është i regjistruar.
Gjatë një takimi të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA), me Avokatin e Tatimpaguesve, Artur Papajani, drejtorin e Drejtorisë së Tatimeve Tiranë, Ismail Muça, dhe kreun e Tatimeve të Durrësit, Shkëlqim Fortuzi, u trajtuan një sërë çështjesh që shqetësojnë biznesin jo vetëm në ekzistencën e tyre përballë konkurrencës së pandershme, por edhe kundrejt regjimit fiskal që zbatohet në vend.
Pjesa më e madhe e bizneseve turistike janë të përqendruara kryesisht në Tiranë dhe në Durrës, ndaj dhe administrata tatimore e këtyre dy qyteteve ka hartuar plane të detajuara masash që përqendrohen në tri drejtime: të evidentohen të gjitha subjektet që duhet të jenë pjesë e detyrimeve tatimore, të verifikohen kapacitetet e punësimit dhe të evidentohen ata tatimpagues që mbartin rrezik, pra që gjenerohen nga sistemi për mosshlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Drejtori i Tatimeve të Durrësit u tregua i prerë përballë operatorëve të turizmit, duke u shprehur se, nëse nuk do të shlyhen të gjitha detyrimet e prapambetura, atëherë do të kalohet në konfiskim malli, sikundër parashikon edhe ligji. Drejtuesit e Tatimeve për Tiranën dhe Durrësit nënvizuan faktin se taksa që shmanget më shumë nga biznesi i turizmit është tatimi mbi burim (që ka të bëjë kryesisht me dhënien me qira të ambienteve akomoduese). Një detyrim ky që tatimet nuk arrijnë ta mbledhin në asnjë rast, që i përket njësive akomoduese familjare, që përbëjnë edhe pjesën më të madhe. Një fakt, për të cilin vetë administrata është e ndërgjegjshme. Zgjidhja është menduar të gjendet duke i kërkuar ndihmë bashkive, me procesin e hipotekimit të pallateve, ku do të qartësohen edhe shifrat e pronarëve, por edhe me CEZ-in, në bazë të regjistrave të abonentëve. Por, deri atëherë këto njësi do të vazhdojnë të përfitojnë të qeta të ardhura, që askush nuk do t’i taksojë. Tatimet, duke qenë se ky lloj biznesi është i vështirë për t’u identifikuar, pasi nuk lë “gjurmë”, kërkuan ndihmën e operatorëve të turizmit që të raportojnë këto raste.
Përfaqësuesit e agjencive turistike që operojnë edhe në biletari i kërkuan administratës tatimore që të nxjerrë një rregullore të qartë për mënyrën se si duhet të pasqyrohet xhiroja dhe se çfarë duhet të raportojnë në fund të ditës me mbylljen e kasës. Në rastin e biletarive, problemi qëndron te trajtimi i vlerës së shtuar të shërbimit (që është bileta). Avokati i Tatimpaguesve, Artur Papajani, njohu si të drejtë shqetësimin e shprehur nga biznesi dhe tha se do të rekomandojë nxjerrjen e një urdhërese të qartë dhe të detajuar për biznesin e turizmit. Ai u sugjeroi përfaqësuesve të këtyre bizneseve që problemet e tyre t’i transmetojnë në rrugë zyrtare. Ai i sqaroi bizneset se me ndryshimet që i janë bërë ligjit për TVSH-në, agjencitë turistike që ofrojnë shërbime për brenda vendit, do të paguajnë TVSH në bazë të marzhit të fitimit, ato që operojnë me jashtë janë të përjashtuara nga ky detyrim.
Drejtuesit e tatimeve të Tiranës dhe Durrësit e këshilluan biznesin që të tregohet korrekt me shlyerjen në kohë të detyrimeve, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të shmangin kontrollet e shpeshta. Ata sqaruan se frekuenca e kontrolleve tatimore përcaktohet nga sistemi i rrezikut, pra nga sinjalet që vijnë mbi parregullsinë në shlyerjen e detyrimeve tatimore.