Rajon – Ballkani Perëndimor mund të përballet me kthim të vizave
Shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të përballen me një presion të ri për të ulur numrin e azilkërkuesve nga vendet e tyre, që u drejtohen vendeve të BE-së, pasi shtetet e zonës “Schengen” ranë dakord pak ditë më parë në Luksemburg që të kthejnë kontrollin e përkohshëm të kufijve, për të parandaluar një fluks masiv të migrantëve, shkruan Bojana Barlovac për BIRN.
Anëtarëve të “Schengen” do t’u lejohet që të rikthejnë kontrollin normal të kufijve për një periudhë 6-mujore, me mundësinë e zgjatjes së këtyre masave edhe për 6 muaj të tjerë.
Kjo mund të përfshinte kontrollin e pasaportave midis vendit që përballet me fluks dalës të imigrantëve dhe do të zbatohet me konsensus nga shtetet e tjera anëtare.
Rregullat që propozojnë një mekanizëm të ri, do të duhet fillimisht që të miratohen nga Parlamenti Europian, përpara se të hyjnë në fuqi.
Kufiri midis Turqisë dhe Greqisë, ku u konstatuan 55,000 raste vitin e kaluar, shihet si arsyeja kryesore se pse u iniciua ky mekanizëm.
Gjithsesi, masat mund të ndikojnë Serbinë, vetëm në rast se numri i azilkërkuesve nga vendi do të ulet, ka thënë një diplomat i Brukselit për “Balkan Insight”.
Të dhënat e Komisionit Europian tregojnë se ka pasur rreth 14,000 kërkesa për Azil nga Serbia vitin e kaluar.
Nenad Banovic, kreu i policisë së kufirit të Serbisë, beson se regjimi i vizave nuk do të rizbatohet në Serbi.
“Unë e pranoj shifrën prej 14 mijë azilkërkuesish, por më duhet të përmend që ajo është ende më e ulët se në vitin 2010, kur kishte 17,700 kërkesa”, tha ai. “Si rrjedhojë nuk ka arsye për panik”.
Banovic tha se ishte e qartë që veprimet u ndërmorën përpara se të fillonte sezoni i pushimeve të verës, kur shumë njerëz shkojnë në Greqi dhe Spanjë për të punuar ilegalisht dhe papunësia është tashmë e lartë në këto vend.
Bashkimi Europian hoqi kërkesën për viza për qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi në dhjetor 2009, duke u lejuar atyre që të udhëtojnë në BE pa pasur nevojën e vizave.
Që prej asaj kohe, Serbia dhe Maqedonia kanë ndërmarrë disa ankesa që lidhen me numrin e azilkërkuesve, kryesisht shqiptarë etnikë dhe romë, që kanë aplikuar në Suedi, Belgjikë, Gjermani dhe shtete të tjera europiane.
BE ka thënë se aplikime të tilla nga shtetet e Ballkanit Perëndimor do të refuzohen, pasi ato nuk i plotësojnë kushtet për status të azilantit.